Elbasan, Lefter Koka mban premtimin ndërton impiantin modern në Evropë

1114
Inaugurohet impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan. Projekti i ministrit të Mjedisit Defter Koka i jep fund tumorit 20 – vjeçar në këtë qytet. Kryeministri Rama: Isha skeptik gjatë prezantimit, sot flas ndryshe, ky është vetëm fillimi
Ajo që gjithkush e ka ëndërruar, tashmë duket se është bërë realitet. Qytetarët shqiptarë, kanë prekur një ëndërr. Për herë të parë pas 26 vitesh demokraci Shqipëria, bëhet me impiantin më modern të përpunimit të mbetjeve urbane. Një projekt modern dhe i cilësuar më i madhi në rajon, që askush nuk do ta besonte, por për pak muaj u bë realitet në qytetin e Elbasanit. Domosdoshmëria e përpunimit të mbetjeve urbane, bëri të mundur që në mars të vitit 2015, t”i hapej rrugë nisjes së ndërtimit të landfillit më të madh dhe më modern në qytetin e Elbasanit. Projekti u propozua nga ministri i Mjedisit Defter Koka, ndërsa vënie e tij në zbatim iu besua shoqërisë “ALBTEK ENERGY” sh.p.k. Impianti, investim me vlerë 22 milionë euro, është vendosur në vendgrumbullimin e mbetjeve në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, që ishte kthyer në një rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin për qytetin dhe zonat përreth, ku gjenerohen rreth 120-140 tonë mbetje të ngurta urbane. 
Fjala e plotë e ministrit Defter Koka
Sot është pa diskutim një ditë e shënuar, jo vetëm për mua si Ministër Mjedisi, por më së shumti për të ardhmen e mjedisit shqiptar, për jetën e sigurt të qytetarëve, pasi së bashku ia dolëm që të ndërtojmë një model të vërtetë suksesi. Rreth 3 vite më parë, pak kush besonte se në vorbullën e 1001 problemeve, me të cilat përballej vendi do t’ia dilnim që të krijonin mundësi aty ku shumëkush shikonte vetëm probleme. Pavarësisht reformave madhore e historike të ndërmarra në mjedis, kritikat kanë qenë gjithmonë prezent dhe unë vërtet shpresoj të vazhdojnë të shoqërojnë çdo iniciativë të ardhshme. E them këtë me bindje, pasi realisht janë ato, që na kanë ndihmuar për vendimmarrje më të drejta, më afër objektives dhe më afër interesit qytetar. 

Jam shumë i kënaqur, që shoh sot këtu mes nesh, disa nga zërat publikë më kritikë për këtë vepër madhore që po inaugurojmë sot, ta shohin dhe ta prekin nga afër, për të shuar çdo skepticizëm që ata patën. Më duhet të them, sado retorike mund të tingëllojë, Realiteti Mjedisor me të cilin u përballëm në 2013-ën ishte në kufijtë e alarmit, ishte një realitet krejtësisht surreal. Në 2 Dekadat e fundit ne duhet ta themi, se jo vetëm dora e njeriut, por edhe vetë politika, po çonte drejt greminës në limitet e degradimit, natyrën dhe mjedisin shqiptar. Sulm frontal nga çdo drejtim e çdokush, pa asnjë mëshirë ndaj pasurive natyrore që Zoti na ka bekuar. 

Qindra mijëra hektarë pyje të masakruar; Fauna dhe qindra specie të rralla drejt zhdukjes së plotë. Miliona metra kub mbetje urbane të depozituara vend e pavend, pranë shtëpisë, pranë lumit, në rrugë në det, duke bërë mision të pamundur ndërtimin e imazhit të një vendi turistik.

Por jo vetëm kaq! Ne duhet ta themi, se janë shpërdoruar Miliona Euro, para të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë apo para të donatorëve, për të kryer studime fizibiliteti apo të tjera projekte, në sektorin e mjedisit. Jam i sigurt se askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar ato para. Për një gjë ju siguroj, vetëm në mjedisin shqiptar jo! Përballë një situatë të tillë, arnimet nuk mund të ishin zgjidhja, ndaj kërkohej vullnet dhe vendimmarrje e menjëhershme, për një ndërhyrje rrënjësore.

Nuk dua të ndalem sot në sukseset e dy momenteve historike të mjedisit shqiptar, moratoriumin e pyjeve dhe të gjuetisë, apo në të tjera reforma madhore që kemi ndërmarrë në këto 4 vite. Sot e gjithë vëmendja, plotësisht e merituar, i takon një modeli të vërtetë suksesi. Ky impiant që ne po inaugurojmë sot, e them me garanci, se do të shndërrojë njëherë e përgjithmonë imazhin e Shqipërisë, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve. Asnjë bashki, asnjë qytet apo Qark, më mirë se Elbasani, nuk mund të shërbente si demonstrim i një transformimi rrënjësor. 

Sot Elbasani është shndërruar nga qyteti më i ndotur apo gangrena mjedisore e vendit tonë, si rëndom i janë referuar në 25 vite ekspertët mjedisorë, pa diskutim në një model që nuk duhet të jetë një histori e veçuar suksesi, por duhet pasuar dhe nga të tjera projekte si ky. Falë Partneritetit Publik-Privat, ne mundëm që në vetëm dy vite e gjysmë të investonim 26 milionë euro, ku vetëm 30% e tyre nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga privati.

Por çfarë është bërë e mundur falë këtij investimi modern në qytetin e Elbasanit? Ministri i mjedisit Defter Koka, shpjegon me detaje për të gjithë qytetarët se kush janë të mirat dhe përfitimet nga projekti më i madh i realizuar në vendin tonë në këto 26 vite. 

Falë këtij investimi u bë i mundur:
Rehabilitimi i plotë i dampës ekzistuese të mbetjeve që ishte kthyer në një gangrenë për qytetin e Elbasanit dhe shndërrimi i tij në një park REKREATIV dhe të gjelbëruar. Memoria mund të jetë e shkurtër ndonjëherë,dhe e sotmja mund ta bëjë të djeshmen inekzistente. Por sikundër e patë në dokumentar, vetëm 2 vite më parë Elbasani ishte një realitet i trishtë ose më saktë i mjerueshëm. Në këtë qytet, ndërtuam një landfill të ri, brenda të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian me një impiant modern të trajtimit të ujërave, i cili u bë funksional me kapacitet të plotë , rreth një vit më parë. 

Sot po inaugurojmë të parin impiant në Shqipëri për prodhimin e energjisë nga mbetjet duke bërë të mundur që dhe jetëgjatësia e landfillit të jetë mbi 80 vjet. Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Elbasan është fjala më e fundit e teknologjisë që mban nivelin e emetimit të gazeve me dhjetëra herë nën normat e emetimeve që ka përcaktuar vetë Bashkimi Evropian. 

Më duhet të them, se sot po inaugurojmë një vepër inxhinierike unike në llojin e vet në Shqipëri, me teknologjinë supreme që ajo sjell. Impianti është në gjendje të prodhojë 2.85 Megavat energji elektrike në orë, si dhe rreth 11 megavat avuj në orë, të cilat në të ardhmen, do të përdoren për serat hidroponike, që do të ngrihen këtu pranë.

Absolutisht, sot jemi përballë, një kryevepre të teknologjisë që tejkalon çdo standard mjedisor kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky impiant, i pari i këtij lloji është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në fushën e mjedisit në vendin tonë. Falë bashkëpunimit me gjigantët Botërorë të teknologjisë si: Paul Wurth, Siemens apo Tama është bërë e mundur që ky impiant të jetë super ekologjik, në respekt të plotë të natyrës dhe njerëzve.

Qytetarët e Qarkut Elbasan, nga sot do të kenë një shans më shumë, ata do të rrisin fëmijët e tyre në një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm. Është Detyra jonë e të gjithëve ne, të garantojmë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve Shqiptarë! Është detyra jonë t’i kthejmë Shqipërisë një faqe tjetër. 

Ky është shansi ynë, shansi për të gjithë qytetarët shqiptarë!

Unë personalisht ndihem krenar, pasi nga sot hapim një kapitull krejtësisht të ri të menaxhimit të mbetjeve në vend, kapitullin e një Mjedisi Evropian.
Rama: Impianti i propozuar nga ministri Koka, tejkaloi të gjitha parashikimet 
Para se të vendoste firmën mbi vendimin që do t”i hapte rrugë ndërtimit të impiantit të përpunimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit, kryeministri Edi Rama, e ka para me skepticizëm, propozimin e ministrit të Mjedisit Defter Koka. Por dje teksa mori pjesë në inaugurimin projektit më të madh në rajon, shefi i qeverisë foli me superlativa për punën e ministrit Defter Koka, për projektin modern të prezantuar dhe vënë në zbatim me iniciativën e tij. “Duhet ta them shumë sinqerisht se pasi kam dëgjuar prezantimin e ministrit të Mjedisit më është dukur shumë bukur për të qenë e vërtetë dhe kam thënë që mbështetjen do ta kesh deri në fund, por çfarë dëgjova me çfarë do shoh me duket se nuk do përputhen. Por në fakt çfarë dëgjova dhe çfarë shoh, jo se përputhet por i kalon të gjitha parashikimet e bëra”, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij. Shprehu mirënjohjen për për të gjithë ata që punuan në realizimin e impiantit duke vënë në krye të tij ministrin Defter Koka. Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se në këtë rast qyteti i Elbasanit ka shpëtuar nga mortja që i ngjante një mallkimi të paracaktuar për ta ndjekur Elbasanin gjeneratë pas gjenerate. “Kjo është një mortje që i përket të shkuarës”, tha Rama. Ai e cilësoi impiantin një shëmbëlltyrë të teknologjisë së fundit. Sipas tij Elbasani nga vendi që bashkëjetonte me bombën ekologjike deri tre vite e gjysmë më parë sot është në pararojë të transformimit teknologjik, për ti dhënë fund një historie të tmerrshme të kthimit të mjedisit tonë në një hapësirë ku plehrat kanë bërë kërdinë historikisht qysh pas rënies së regjimit të vjetër. “Sot kemi një impiant që nuk e ka kush në rajon. Dhe nuk keni parë gjë akoma se ky është vetëm fillimi. Kontributor shumë i rëndësishëm në këtë projekt është ministri i mjedisit”, tha kryeministri Edi Rama. Ndërsa foli me superlativa për projektin e përfunduar, shefi i qeverisë nuk la pa prekur edhe debatin që është duke u zhvilluar nga banorët e Mbrostarit në Fier, të cilët janë kundër ndërtimit të landfillit në zonën e tyre. Kryeministri u shpreh bindur se me këta banorë do të punohet dhe do t”u tregohet se bllokimi i ndërtimit të impiantit nuk është fitore , por ndërtimi i tij mund të quhet e tillë. Ky projekt, sipas kryeministrit sjell zhvillim, punësim dhe ekonomi më të mirë. 
Sigal