Elbasan, kyçet Mjeksi, dalin të papunë 300 kryefamiljarë

    412
    Sigal

    Elbasani mes skamjes dhe përbuzjes, aktualisht numërohen rreth 38  mijë të papunë

    Pas afro një mungese prej 2 muajsh të municioneve për demontim, uzina e vetme e këtij lloji më e madhe në vend ajo e Mjeksit, është mbyllur. Sipas burimeve nga kjo uzinë, “Ministria e Mbrojtjes nuk jep detaje por shprehet se “nuk ka municione, firmat serbe, malazeze e bullgare, nuk kanë sjellë furnizim”. Por mbyllja e kësaj uzine (qoftë edhe e përkohshme) ka rritur ndjeshëm numrin e familje me vështirësi ekonomike, duke heshtur në rrugë 300 kryefamiljarë. Duket sikur të vetmet burime punësimi në Elbasan si uzina e Mjeksit dhe ndonjë linjë tjetër prodhimi, po shkojnë drejt mbylljes. Elbasani është katandisur sot në pikën e hallit, dhe  po degradon çdo ditë. Me një popullsi prej 130 mijë banorësh, Elbasani numëron aktualisht ka rreth 38  mijë të papunë,  ku gjysma e tyre janë ish-punonjës dhe specialistë të ish-kombinatit Metalurgjik dhe 12 uzinave të tij, si dhe shumë ndërmarrjeve nacionale të cilat u mbyllën, shkatërruan ose falimentuan gjatë 17 viteve tranzicion. Qyteti (dikur i luleve), është lënë në harresë totale nga të gjitha qeveritë e pas ‘90, duke stimuluar largimin e qindra e mijëra elbasanllinjve nga vendlindja drejt emigrimit. Qyteti sot ka “ushtrinë” e tij të të papunëve të vobektëve, dhe ka vite që ka marrë ngjyrën gri, askush nuk kujtohet për të mbajtur premtimet, askush nuk tregohet bujar për të akorduar fonde të veçanta për punësimin, investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, rrjetin hidrik dhe energjetik. Në qytetin e Elbasanit ka dy mensa publike, tek të cilat ushqehen çdo ditë  240 të  vobektë, gjithashtu ka edhe dy qendra të tjera të cilat strehojnë përkohësisht shtresat pa përkrahje si pleq të vetmuar apo të tjerë me probleme të thella sociale. Qyteti ngryset e gdhihet me të njëjtat fytyra, të zbehta nga ajri dhe tymi i gazeve dhe tymrave të metalurgjiku, ferro-krimit dhe fabrikës së çimentos, të cilat kanë që pas vitit 1998, që punojnë me intensitet të plotë, duke helmuar çdo ditë jetë njerëzish.  Në Zyrën e Punësimit dhe Ndihmës Ekonomike, në komuna, do të shikosh çdo ditë grupe të papunësh, tek përtypin fara luledielli, fytyra të parruara dhe lëkura të vyshkura, të cilët presin habere për ndonjë vend pune, ndihmë ekonomike, thes me miell. Në Elbasan ka shumë kategori njerëzish, veç të papunëve dhe invalidëve që trajtohen nga shoqata të  ndryshme me ndihma në ushqime. Në këtë qytet veprojnë 10 shoqata dhe fondacione  bamirësie, aq sa veprojnë në pesë qytete të tjera të mara së bashku, duke ushtruar aktivitete të dendura, duke nisur nga trajtimi ushqimor i mijëra familjeve të papuna dhe të vobekta.

     Ministrat dhe deputetët indiferentë

    Në qytetin e Elbasanit, ministrat dhe deputetët  janë neglizhentë dhe apatikë. Institucionet e shtetit kanë një administratë e cila punon me frikën e largimit nga vendi punës Askush nuk ka bërë dhe nuk po bën përpjekje për të ulur numrin e të papunëve, për të „rrëmbyer“ nga ministrat projekte  të punëve publike, dhe investime. Elbasani ka deputetët e vet, që në 23 qershor i votoi maksimalisht nga të cilët asnjë nuk mësohet se i ka zënë derën ministrave dhe të kërkojë të hapë vende të reja pune. Edhe uzina e Mjeksit e cila kishte të punësuar mbi 280 kryefamiljarë, prej 2 muajsh gjendet e mbyllur, për gjoja „mungesë municionesh“. Afro 60 për qind e fuqisë punëtore në Elbasan, janë të papunë, duke mos patur asnjë shans për të gjetur një të tillë edhe në vitet që vijnë. Qyteti po plaket çdo ditë, i gjendur mes mungesës së përkrahjes, jetës aktive, papunësisë, varfërisë ekstreme, rrënimit të biznesit, largimit masiv të qindra familjeve, dhe rritjes së numrit të vetëvrasjeve. Statistikat tregojnë se vetëm gjatë muajve janar-nëntor 2014,  numri i vetëvrasjeve në Elbasan, është trefishuar.  Kushtet e vështira ekonomike, si dhe problemet e thella sociale janë arsyet e vetme. Edhe investimet e nisura në disa prej akseve rrugore, nuk përmbushën asnjë premtim për punësimin e elbasanasve, pasi firmat ndërtuese ose kanë sjellë specialistët e tyre, ose kanë marrë me kontrata të përkohshme vetëm disa dhjetëra, duke mos ndryshuar asgjë. Elbasani meriton vëmendje më të madhe nga ministrat që i votoi dhe i besoi në 23 qershor. Pret më shumë nga Edmond Haxhinasto, i cili është vërtetë i LSI, por ka marrë votat e qytetarëve elbasanas, e atyre që edhe sot e kësaj dite janë akoma të papunë. Të zhgënjyerit thonë shpesh se “ne gjithmonë na marrin votën dhe pastaj na masin me pe kokën“, kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë gjithmonë me elbasanasit e mashtruar.

    Artur  AJAZI