Elbasan, CEZ rikthen faturat aforfe, 20 mijë banorë të papunë

    416
    Sigal

    CEZ në Elbasan, prej disa muajsh ka kthyer faturat aforfe ndaj qytetarëve dhe shumë bizneseve. Nuk ka ditë që qytetarët e Elbasanit, të mos ankohen me librezën dhe faturën e energjisë në dorë në sportelet e kësaj ndërmarrje, për abuzimin e bërë me anë faturash të mbushura me kilovat të paharxhuara. Nuk ka ditë që bizneset të mos ankohen për rritjen e vlerave të faturave, nuk ka ditë që ndaj CEZ të mos bëhen padi në Prokurori . Prej vitesh, faturat aforfe, janë kthyer në “mollë sherri”, mes qytetarit, drejtuesve dhe faturistëve të CEZ. Ata vijnë tek sportelet dhe kërkojnë të drejtën e tyre, kërkojnë se përse kjo faturë me vlerë kaq të madhe, përse nuk korrespondon me sahatin e vulosur, përse faturistët vijnë në lagje dhe mbushin faturat në kafene kur nuk gjejnë qytetarin në shtëpi? Këto janë disa prej pyetjeve që ngrenë qytetarët e Elbasanit, e qytetit që ka mbi 20 mijë të papunë, e qytetit ku mijëra familje të tjera jetojnë me ndihmë ekonomike. Kjo pasi, në Elbasan mungon një politikë e punësimit, apo më mirë të themi mungon një Zyrë e Punësimit, që të ketë alternativa punësimi. Duke u kthyer tek problemi energjisë elektrike dhe abuzimit që i bëhet asaj me anë faturash, “Telegraf” ka konstatuar se, “abuzimi me energjinë apo parave të qytetarëve ka vite që realizohet përmes një skeme zinxhir, duke patur si shkak mungesën e kontrollit dhe hetimeve nga organet kompetente. Edhe në periudhën kur ishin specialistët çekë, ata nuk kanë marrë parasysh ankimet dhe problemet e lindura në Elbasan, duke mbuluar shkeljet ligjore. Asnjëherë edhe Prokuroria nuk e ka marrë seriozisht problemin e abuzimit me faturat e qytetarit. Shpesh qytetarët pushtojnë zyrat e kësaj ndërmarrje, duke kërkuar të drejtat e tyre. Qytetarët dhe mjaft biznese, akuzojnë CEZ Shpërndarje për mashtrim me faturimet e energjisë dhe kërkon ndërhyrjen e organeve kompetente të shtetit. Qytetari kërkon të dijë të vërtetën e faturës tij aforfe, e cila mbushet me urdhër nga lart, qytetari kërkon të dijë se, përse drejtuesit e CEZ në Elbasan, nuk bëjnë transparente investimet në rrjetin energjetik. Qytetarët e Elbasanit, kanë të drejtën morale e ligjore të kenë një përgjigje nga drejtuesit e CEZ-it.