Eglantina Gjermeni: Të blejmë banesat e pashfrytëzuara të ndërtuesve për të pastrehët

    414
    Sigal

    Intervista/ Flet Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit: Ja fatura e legalizimeve

    Çështjet e legalizimeve të banesave, e shembjes së ndërtimeve pa leje dhe planet rregulluese që priten të zbatohen janë fokusi kryesor i intervistës së ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni në emisionin “Të Bësh Ekonomi” në “News 24” . Një tjetër problematikë e trajtuar në intervistë është edhe ajo e strehimit për mijëra familje që aktualisht në vendin tonë nuk kanë një banesë ku të strehohen. Ministrja i është përgjigjur edhe pyetjeve lidhur me turizmin dhe strategjitë që qeveria do të marrë për zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri.

     Zonja Gjermeni, çfarë do të jetë falas në procesin e legalizimeve?

    Në 8 vite, nga 293 mijë aplikime për legalizime janë bërë vetëm 22 mijë legalizime. Kjo është një lloj dëshmie se vërtet legalizimet dhe procesi i tyre janë përdorur për fushata elektorale dhe qytetarët kanë hasur vështirësi në dokumentimin e pasurive të tyre.

     Sa është borxhi i ALUIZNI-t?

    Nga pagesat e sigurimeve shoqërore dhe nga pagesat e punonjësve që janë marrë me kontratë është mbi 1 miliard lekë. Ky është vetëm një nga treguesit e situatës së dështimit të këtij institucioni. Në zyrat e ALUIZNI-t janë mbi 50 mijë dosje dhe kërkesa të cilat kanë ardhur nga qytetarë, të cilët kurrë nuk morën përgjigje.

     Çfarë do të ndodhë tani?

    Ky institucion po reformohet dhe po rikonstrukturohet. Ky institucion duhet të punojë në harmoni me institucionet e tjera. E rëndësishme është marrja në punë e profesionistëve dhe vendosja e një standardi tjetër të punës ku në si institucion shtetëror shkojmë tek qytetarët dhe jemi aty për t’i zgjidhur problemet. Përgjegjshmëria dhe lufta kundër korrupsionit është një detyrim ligjor dhe moral që ne e kemi përballë qytetarëve. Jemi zotuar që procesi i legalizimeve do të jetë falas.

     Çfarë nënkuptoni me këtë?

    Po punohet për një paketë ligjore e cila në janar do të kalojë në Këshillin e Ministrave e më pas në Parlament për të gjithë hapat dhe procedurat që ne do të ndjekim përsa i përket procesit të legalizimeve. Ajo për të cilën jemi angazhuar është procesi falas dhe nuk do të ketë hallka të tepërta dhe burokraci për të cilët qytetarët duhet të paguajnë duke filluar që nga roja deri te drejtuesi i institucionit. Brenda 4 -vjeçarit pjesa më e madhe e legalizimive do të ketë përfunduar.

     Për ta bërë më konkrete për qytetarët nëse dikush ka një banesë për të legalizuar, çfarë do të përfitojë falas dhe çfarë do të paguajë?

    E gjitha kjo është paketa që ne po hartojmë dhe që do ta prezantojmë në janar në një event publik. Do prezantohen në mënyrë të detajuar paketën ligjore. Dua të theksoj se i gjithë procesi i legalizimeve do të jetë falas.

     Pjesa e procedurave do të jetë falas.Popër pjesën e ndërtimit apo për tokën do të paguhet?

    Kjo është pjesë e paketës që ne do të prezantojmë brenda janarit.

     Poshihen mundësitë që dhe të jetë falas dhe me tarifa të reduktuara?

    Do u jepet fund një herë e mirë sorollatjeve të pakuptimeve. Dhënia e certifikatës së pronësisë dhe legalizimeve falas do të jetë siç e kemi premtuar, prandaj dhe jemi të angazhuar.

     A ka një shifër se sa do të jetë numri i familjeve që do të marrin një certifikatë pronësie në fund të vitit 2014?

    Nuk e them dot me siguri sot, por me paketën ligjore që do të sjellim në janar do të kemi një kalendar të qartë se si do të vazhdojë ky proces deri në fund të vitit.

     Sipas ligjit të ardhurat e legalizimeve duhet të shkojnë për shpronësimin e pronarëve, kanë qenë vërtet këto të ardhura me një destinacion të tillë?

    Në fakt sipas ligjit ashtu duhet të jetë. Shuma e mbledhur nga pagesat është 7 miliardë lekë, nga të cilat 4 miliardë janë përdorur për kompensimin e ish pronarëve dhe 3 miliardë janë përdorur nga qeveria e mëparshme në kundërshtim me ligjin nga ministria e financave në një zë tjetër. Pra nuk janë përdorur për destinacionin e parashikuar nga ligji.

     Ndërtuesit do të paguajnë për legalizimin e shtesës apo dhe për ata do të vlejë premtimi legalizim falas?

    Paketa ligjore do të japë përgjigje.

     A ka një shifër se sa familje kanë aplikuar për t’u strehuar?

    Një tregues që kam është, në kemi 65 bashki, kemi marrë të dhëna nga 25 bashki dhe rezultojnë rreth 16 mijë familje të pastreha. Është 1/3 e bashkive që kanë raportuar. Problemi i strehimit është problem i mprehtë veçanërisht për familjet në nevojë. Kësaj iu shtua dhe akti normativ, i cili nxjerr familjet nga shtëpitë e ish-pronarëve që tregon se u shtua numri i qytetarëve që kanë probleme me strehimin.

     Dhënia e kredive sipas skemave ekzistuese, apo do rishikohen edhe një herë?  

    Patjetër që do të rishikohen, kjo për t’u siguruar që këtë ndihmë ta marrin qytetarët të cilët kanë më shumë nevojë. Ky problem nuk zgjidhet vetëm nga shteti, kërkojmë bashkëpunimin e privatëve, ndërtuesve, për të ndërtuar banesa me kosto të ulëta. Kjo të arrihet përmes marrëveshjeve. Banesat e ngelura ta pashfrytëzuara, për shkak se nuk janë shlyer kreditë e marra në bankë për ndërtimin e tyre, të bashkëpunojmë me bankën dhe t’i blejmë me një kosto të ulët dhe t’ua shpërndajmë familjeve në nevojë dhe të pastreha.