Eduard Zhupa: Skënderbeu ka prodhuar futboll, por mungon spektakli për të afruar tifozët

795
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Një analizë për javën e 17-të të Superiores, vjen në gazetën “Telegraf” nga specialisti i futbollit 
Keni vite larg futbollit të elitës, aktualisht ku është përqendruar aktiviteti juaj profesional?
Ju falënderoj që më drejtoheni për një mendim teknik në futbollin shqiptar të kohës, njëherësh e quaj edhe një kontribut të përbashkët në rritjen e nivelit të futbollit tonë. Aktualisht, unë drejtoj e menaxhoj Akademinë e Futbollit “Edi Zhupa”, me fëmijë të moshave nga 10 deri në 13 vjeç. 

Nisur nga përvoja juaj si ish-lojtar dhe ish-trajner në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, sa interes keni pasur për ta ndjekur në këtë periudhë?
Të gjitha ndeshjet që shoh në stadium apo në ekranin e televizorit, gjithmonë mundohem që të ndjek nga këndvështrimi i një specialisti futbolli. Në këto 17 javë kam ndjekur live thuajse një ndeshje në çdo javë, të tjerat të televizion, por mendoj se të gjitha këto javë të luajtura i kam “prekur” për çka kanë dhënë.

Duke qenë se ju i keni ndjekur të 17 javët ku janë luajtur 85 ndeshje, çfarë dukurie do të veçonit në përgjithësi, jo vetëm për rezultatet e fiksuara?
Nga një këndvështrim i përgjithshëm, profesionalisht mendoj se në rivalitetin në vendet e kreut të renditjes, Skënderbeu ka më shumë superioritet, edhe pse humbi këtë javë në Gjirokastër. Kjo është dukuria e parë për kreun, ndërsa skuadrat që e ndjekin mendojnë vetëm për një vend në zonën e Evropës dhe nuk përbëjnë problem për kryesimin e tij.

Ka ndonjë dukuri tjetër që ju do ta veçonit në këto 17 javë të luajtura?
Natyrisht që po, dhe mendoj se është skuadra e Lushnjës, e cila e ka “betonuar” tashmë vendin e fundit në renditje. Ndërsa skuadrat e pjesës së poshtme në renditje, kanë pasur shumë probleme në tregues të veçantë të lojës. Me zhvillimin e merkatos dimërore, ndoshta ato do ta arrijnë një konfigurim të përafërt se ku mund të shkojnë deri në mbylljen e kampionatit.

Si ish-trajner, si e shikoni ritmikën e Superiores, në krahasim me sezonin e kaluar në këtë periudhë?
Futbolli kërkon që të rritet më shumë cilësia e kohës kur ke kualitete, por duke qenë se menaxhimi i tyre nuk bëhet i studiuar dhe buxhetet që kanë skuadrat nuk kanë nivele të larta, atëherë nuk mund të themi se ka ndonjë ndryshim më cilësor nga e njëjta periudhë e sezonit të kaluar.

Nga kjo periudhë e përgatitjeve dimërore, çfarë veçoni në vazhdimësinë e skuadrave të Superiores?
Të gjitha kanë bërë merkato, të gjitha janë stërvitur, dhe disa kanë bërë ndeshje miqësore me kundërshtarë të mirë, të tjerat kanë luajtur miqësore çfarë kanë kapur. Të tre këto elementë janë vënë në funksion të përmirësimit të situatës në çdo skuadër.

Nisur nga renditja aktuale e Kategorisë Superiore në 17 javë, sa reale duket ajo në raport me atë që kanë dhënë skuadrat?
Është reale, sepse të gjitha skuadrat kanë marrë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës, ndonjëra më pak e ndonjë tjetër më shumë se sa mendohej, por në tërësi, veç Skënderbeut e më pak Flamurtarit, të tjerat nuk kanë bindur në lojë. Në shumë ndeshje luhatet kurba e ngarkesës së lojës dhe orientimi saj bëhet në nivele të ulëta.

Këtë javë të 17-të u shënuan 15 gola, është një mesatare e mirë kjo?
Në Superiore, mirë është që rëndësi ti jepet prodhimit të lojës, sepse nëpërmjet saj vijnë edhe golat, të cilët natyrisht janë maja e kësaj loje. Kështu do të afrojmë spektaklin me tifozët në stadium, të cilët edhe në këtë sezon nuk kanë qenë shumë të pranishëm.

Nesër mbyllet zyrtarisht merkato, mendoni se do të kemi ndonjë goditje “big” në këto orë të mbylljes së saj?
Edhe mund të ketë ndonjë të re, por deri më tani, më cilësore më duket merkatua me trajnerët, e më pak te futbollistët. Gjithsesi, pres që “vula” e fundit e kësaj merkatoje të jetë me ndonjë emër që të veçohet nga të tjerët si deri më tani.
Unë jam gjithmonë kundër ndryshimit të trajnerëve brenda një sezoni. Filozofia e një trajneri nuk shpaloset asnjëherë në mesin e sezonit, sepse një trajneri i duhet 5-6 muaj që ta futë skuadrën në ritmin e garës, ndërsa i duhen të paktën dy vite që projekti të ketë rezultat konkret. E gjithë kjo tregon se me trajnerët veprohet gabim, si në anën teknike, ashtu edhe në atë morale të tyre.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 18-të
Datë 4 shkurt 2018 
Kukësi-Flamurtari 13:00
Laçi-Teuta 13:00
Lushnja-Luftëtari 13:00
Skënderbeu-Vllaznia 13:00
Partizani-Kamza 16:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 17 37
2. Flamurtari 17 31
3. Kukësi 17 28
4. Laçi 17 27
5. Kamza 17 26
6. Partizani 17 24
7. Luftëtari 17 22
8. Teuta 17 16
9. Vllaznia 17 15
10. Lushnja 17 9
Sigal