Eduard Bejko:Rilindja i kthen shpresën Beratit

765
Sigal

Flasin për “Telegraf” deputeti i ri i Qarkut të Beratit, Eduard Bejko dhe Kryebashkiaku i Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli

Numërimi i votave sapo ka mbaruar dhe sipas rezultatit fitorja i buzëqeshi të Majtës së bashkuar, e cila ka marrë mbi shpatullat e saj, përgjegjësit, premtimet dhe shpresat e shqiptarëve. Shpresa, të cilat ishin humbur për banorët e Beratit që prej dy dekadash. Të ndodhur përballë faktit se, vetëm ndryshimi mund të sjelli shpresën e humbur tek ky qytet, qytetarët duke besuar tek Rilindja vendosën që me votën e tyre këtë herë të zhdukin varfërinë, të frenojnë krimin, të luftojnë korrupsionin dhe mbi të gjitha të hapin ndërmarrjet e shkatërruara gjatë kohës së demokracisë. Kjo dhe shumë faktorë të tjerë bën që elektorati i Beratit dhe në veçanti ai i Kuçovës të votonin në masën 54 për qind në zgjedhjet e 23 Qershorit. Por sesa do të bëhen realitet premtimet e dhëna nga e majta dhe sa duhet të besojnë qytetarët e Beratit tek një Rilindje gazeta “Telegraf”, i ka marrë një prononcim deputetit të ri të Parlamentit shqiptar, mjekut Eduard Bejko, i cili shprehet me nota pozitive për të ardhmen që e pret këtë qytet muze 2500-vjeçar.

Reagimi

Deputeti më i ri i Parlamentit të ri shqiptar  mjeku Eduard Bejko pas marrjes së mandatit dhe fitores së thellë të së Majtës së bashkuar u shpreh kështu për lexuesit e gazetës tonë: “Të gjitha premtimet që kemi bërë në fushatë elektorale do t’i bëjmë realitet. Unë si deputet i ri në këtë Parlament kam detyrimet e mia morale dhe do të punojë që të gjitha premtimet t’i bëjë realitet. Beratit do t’i kthejmë ndriçimin e dikurshëm. Do të punojmë që t’i kthejmë shpresën këtij qyteti 2500-vjeçar. Do të ndërtojmë infrastrukturën e shkatërruar që Berisha për hakmarrje të ngjyrës, e la në pikë të hallit, ku ky qytet, që për nga vlerat kulturore, muzeale, bukurit natyrore, turizmin ja kanë zilinë të gjitha shtetet evropiane. Prioritetet e kësaj qeveria që doli nga vota e këtij populli, do të bëhen realitet. Ne do të bëjë Beratin një qytet, ashtu si e meriton ai. Turizmi do të jetë prioriteti më i rëndësishëm, pasi nga ana e strategjisë së tij do të krijojë hapësira punësimi, por dhe ngritje ekonomike”, tha Bejko. Gjithashtu duke u ndaluar tek problemi i Muzeut Historik deputeti Bejko u shpreh: “Qeveria demokratike arriti deri aty sa nuk dha fonde as për ndërtimin e godinës së Muzeut Historik të Beratit, pasi ish-godinës së mëparshme i doli pronari. Ne do ta ndërtojmë atë muze me parametra bashkëkohore dhe të gjitha materialet me vlera historike që janë hedhur vend e pa vend do të sistemohen në muzeun e ri. Gjithashtu, nuk do të lejojmë që 450 banesat karakteristikë të tre lagjeve muzeale të shkatërrohen për mungesë fondesh. Ato për këtë arsye kanë filluar të amortizohen, por ne do t’i rindërtojmë ato edhe një herë nga e para”, tha ekskluzivisht për gazetën deputeti i ri i Parlamentit shqiptar Eduard Bejko.

Gjyzeli: “Bashkitë nuk do të ndahen më sipas ngjyrave politike”

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Bardhyl Gjyzeli, pas arritjes së fitores u shpreh për gazetën “Telegraf”, se fitorja e Partisë Socialiste është shpresa e naftëtarëve të qytetit të Kuçovës dhe rretheve të tjera që merren me naftën. “Qeveria e re socialiste, do të bëjë realitet premtimet e dhëna para elektoratit të Kuçovës e më gjerë, sepse edhe vetë Rama kur erdhi në qytetin e Kuçovës, premtoi se do të rivërë në eficencë të plotë sektorin e naftës, do të rihap ish-Ndërmarrjen e Shpim – Kërkimit, do të zgjerojë Uzinën Mekanike të Naftës, e cila shërben për prodhimin e pjesëve të këmbimit për sektorin e naftës në shkallë vendi, për minierat dhe njëkohësisht edhe për firmat e huaja. Me këto premtime për shqiptarët hapen dritat jeshile. Madje edhe bashkive nuk do t’i mungojnë fondet, sepse nuk do të ketë ngjyra politike që të bëjnë diferencën midis njërës bashki dhe tjetrës. Kuçova dhe mbarë Shqipëria, tashmë do të kenë shpresat e tyre për një jetë më të mirë, pasi prej vitesh ua kishte mohuar ‘regjimi’ i Berishës”, tha Gjyzeli. Kuçova sipas premtimeve të Ramës, do të ketë infrastrukturë të ndërtuar dhe naftëtarët së shpejti do të do të kenë statusin e tyre.