Edmond Panariti:Prishja e zgjedhjeve është shkatërrim i sistemit dhe atentat ndaj Shqipërisë

497
Sigal

*Ish- ministër i Jashtëm

 Ende nuk ka as një perceptim e as një ndërgjegjësim reflektues nga maxhoranca, mbi fatalitetin e prishjes së konfigurimit kushtetues të Komisionit Qendror zgjedhor. Shkarkimi i jashtëligjshëm i njërit prej anëtarëve të KQZ, në fakt e deligjitimoi në tërësi këtë komision, i cili tashmë është jashtë binarëve dhe nuk duhet të vazhdojë në paligjshmërinë e tij. Ndërsa, numërimi prapa i procesit zgjedhor ka filluar, ne, sot nuk kemi një autoritet qendror të administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo është komprometuese dhe më tepër se kaq është shumë e rëndë e rrezikshme dhe fyese. Kjo që po ndodh është një turp për të gjithë ne dhe dëshmon se çfarë përmasash mund të marrin polarizimi i tejskajshëm, klima e mosbesimit midis palëve dhe papërgjeshmëria. Nëse dikush synon të çojë vendin në zgjedhje, me institucione farsë, atëherë synimi i vërtetë është prishja e zgjedhjeve. Nëse synimi është prishja e zgjedhjeve, atëherë qëllimi i vërtetë është shkatërrimi i sistemit, instalimi i kaosit, anarkisë dhe i destabilitetit. Shqipëria dhe shqiptarët, ende nuk janë çliruar nga makthet e kolapsit shtetëror dhe anarkisë dhe dramës kombëtare të pas zgjedhjeve të 1996. Shurdhëria, verbëria dhe papërgjegjshmëria e atëhershme, i shtruan udhën revoltës, anarkisë dhe  e ndezën anembanë Shqipërinë, duke djegur të paktën dhjetë vite të proceseve, shpresave  dhe të ardhmes së saj. Pa përmendur këtu, dramat dhe tragjeditë njerëzore të asaj çmendurie e cila filloi si dhunim institucional. Çdo politikan  racional dhe i përgjegjshëm i këtij vendi, duhet të kuptojë menjëherë, se kjo është një situatë humbjeje dhe humbësish. Nuk ka kohe dhe për fat të keq si gjithnjë ndodhemi në emergjencë kohore, ndodhemi në ‘cajt -not’, kur ndodhemi më pak se dy muaj larg zgjedhjeve. Duhet vepruar shpejt, me përgjegjshmëri dhe vendosmëri për rivendosjen e legjitimitetit të Komisionit Qendror Zgjedhor. Baraspeshimi i anëtarësisë dhe zgjedhja e një kryetari me konsensus, do t’i rikthente institucionit legjitimitetin dhe do të rivendoste besimin e shqiptarëve, ndaj tij. Duhet vepruar tani, përndryshe, Shqipërisë dhe së ardhmes së saj, po i përgatitet një atentat i rëndë