Edlira Çepani: Dhuna ndaj grave, gjithnjë e më shqetësuese në Shqipëri

    631
    Në Tiranë, veprimtaret e të drejtave të grave pohojnë se dhuna ndaj grave e vajzave u shtua këtë vit. Më shumë se gjysma e krimeve të ndodhura në Shqipëri janë akte dhune ndaj grave, e denoncuar prej vetë atyre. Veprimtaret e kësaj fushe, kërkojnë bashkëpunimin e gjithë faktorëve në zbatimin e ligjit kundër dhunës ndaj grave. Treguesit e dhunës ndaj grave dhe vajzave këtë vit në Shqipëri janë të ngjashme me një bilanc lufte, pohojnë veprimtaret e kësaj fushe. Mbi 3 mijë denoncime për dhunë janë regjistruar në polici dhe gjykata. Dhuna në familje është shkaku kryesor me numrin më të madh të viktimave. Gjendja e grave dhe vajzave vazhdon të mbetet kritike dhe dhuna ndaj grave e vajzave ka marrë një përhapje të jashtëzakonshme, thotë drejtuesja e Aleancës Gjinore për Zhvillim Mirela Arqimandriti. Bashkimi Ndër-Parlamentar e rendit Shqipërinë në vend të 68 nga 190 shteteve sa i takon pjesëmarrjes së grave në Parlament. Ndërsa Indeksi Global i Hendekut Gjinor e renditi Shqipërinë në vendin e 83 nga 142 shtete, duke shënuar një përparim jo të pakët nga një vit më parë në fushat e shëndetësisë, arsimit, ekonomisë dhe politikë. Megjithatë shifrat e dhunës këtë vit janë shumë shqetësues, thotë Edlira Çepani, drejtuese e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje. Njëkohësisht me pamjen e zymtë të dhunës, gratë këtë vit shtuan përfaqësimin në pushtetin vendor. Këtë vit rreth 35 për qind e antarëve janë gra në këshillat bashkiake dhe 9 gra bashkiake nga 61 bashki dhe kjo besohet se do ta forcojë zërin e tyre dhe do ta ulë dhunën. Gratë janë kryefamiljare në një numër të pakët, divorcet e tyre për shkak të dhunës janë ende të pakta, por numri i përgjithshëm i personave të shfrytëzuar seksualisht janë gra e vajza në mbi 90% të rasteve. Veprimtaret pohojnë se gratë dhe vajzat kanë nevojë për mbështetje të gjithanshme; konsulta juridike, mbrojtje fizike dhe krijimin e hapësirave më të mëdha në vendim-marrje që ato vetë të hartojnë politikat për një shoqëri më tolerante dhe më të qytetëruar. (VOA).
    Sigal