Edit Durham dhe përvjetori i Pavarësisë shqiptare

    1034
    Sigal

    Ajo ka bërë shumë për Shqipërinë. Kur themi shumë! Shumë! Por edhe në mos, mjafton vetëm një rast, një akt i saj i veçantë dhe simbolik që ajo të nderohet dhe respektohet si heroinë, kur në ditën e pushtimit fashist më 7 prill të vitit 1939, në moshën 76-vjeçare, me një tabelë kartoni varur në qafë ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”! “Ndihmoni Shqipërinë”! – protestoi e vetme për orë të tëra para Ministrisë së Jashtme Britanike, veprim që e përsëriti ditë me radhë, aq sa i detyroi autoritetet e larta angleze t’i kushtonin asaj vëmendje dhe të rishikonin qëndrimin e tyre.

    Ne dhe Durham

    Veprimtaria e Edit Durham në Shqipëri dhe për Shqipërinë si udhëtare, si artiste, si etnografe, si antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste është e madhe dhe e veçantë. Për afro një gjysmë shekulli ajo lidhi fatet e jetës saj me fatet e Ballkanit dhe veçanërisht të Shqipërisë. Veç veprimtarive të tjera të karakterit politik, social e  shkencor, ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme”, e shkruar në vitin 1909, është më e njohura dhe më e arrira. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën “Njeriu” (Man) e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë. Me mendje të ndritur dhe gjeneroze, ajo kuptoi me shpejtësi shpirtin e shqiptarëve. Pa frikë dhe kompromis, ajo i tregoi botës dhe ligjeve të saj për ato që kishte mësuar. Shqiptarët nuk e kanë harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë këtë angleze. Në malet e Shqipërisë, që ajo i njohu shumë mirë, lajmi për vdekjen e saj në atë kohë bëri bujë te të njohurit e shumtë, por edhe te ata që kishin dëgjuar për të.

    E pandarë nga luftëtarët shqiptarë

    E vërteta është se shqiptarët e kanë nderuar dhe e nderojnë edhe sot Durham, pasi ajo u fali zemrën atyre, ndërsa ata mirënjohjen e thellë. Ndaj dhe studimet e saj ata i konsiderojnë si pjesë autentike dhe të pandara të historisë së tyre. Madje, ajo cilësohet e nderohet si një nga figurat më të spikatura të huaja të shekullit të kaluar që ka luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë qoftë nga Presidenca, qoftë nga autoritetet dhe institucionet e larta shkencore të vendit tonë. Megjithatë, në këtë 100-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë, ashtu si dhe protagonistët e tjerë historikë, edhe ajo, duhet të konsiderohet si një protagoniste dhe luftëtare direkte e kësaj ngjarjeje dhe duhet t’i kushtohet vëmendje. E para, të vlerësohet dhe njihet më mirë, pasi shumë nga veprat e saj nuk janë përkthyer ende në shqip. E dyta, megjithëse ka shumë materiale dhe dokumente të saj që ruhen në disa akademi të botës, por më tepër në tre muzeume në Londër, asnjë institucion shkencor nuk është kujdesur të paktën t’i shikojë për kuriozitet, jo më që t’i studiojë dhe t’ia paraqesë publikut shqiptar. E treta, në kuadrin e vlerësimeve që do t’u bëhen figurave historike me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, edhe asaj t’i jepet një vend nderi. Sa? Sa i takon!…Se kështu nderojmë më shumë veten tonë se vetë atë!…

    Kush ishte Edit Durham

    Mary Edith Durham u lind në Londër në vitin 1863 në një familje intelektuale në Londër. Pasi mbaroi për pikturë në Akademinë Mbretërore të Arteve, u mor me ilustrime zoologjike. Në moshën 37 vjeçare, e këshilluar edhe nga doktori i saj, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për t’u qetësuar. Me anë të detit, duke u nisur nga Anglia deri në bregun e Dalmacisë, duke udhëtuar nga Trieste në Kotor, më në fund zbarkoi në Cetinje, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël e harruar e botës do t’i linte asaj mbresa të thella për të gjithë jetën. Ndaj ajo për 20 vjet me radhë udhëtoi dendur nëpër Ballkan duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Evropës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo ndodhet në Shqipëri në vitet më të vështira të këtij vendi, kur ai po bënte përpjekjet e fundit për t’u shkëputur nga zgjedha otomane, por edhe më vonë kur mbi të u sulën për ta copëtuar vendet fqinjë të ndihmuar edhe nga fuqitë e mëdha. Në vitin 1908, ajo udhëton në Shqipërinë e Veriut, e joshur nga mënyra e jetesës dhe traditat shqiptare, për të cilat shkruan librin “Shqipëria e Epërme” (1909). Më pas ajo bëhet një zë i fuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve me protestat e saj të fuqishme drejtuar Fuqive të Mëdha dhe më pas, Konferencës së Ambasadorëve në Londër, për padrejtësitë e mëdha e të jashtëzakonshme që po i bëheshin Shqipërisë. Zëri i saj i protestës u shkri në një me atë të popullit shqiptar, u dëgjua në Paris e në Londër, në Berlin e Rusi, në Stamboll e në të gjithë botën. Ajo u kthye në legjendë me udhëtimet dhe përshkrimet e saj të botës së malësorit shqiptar.

    Pas jetës në Shqipëri për një periudhë të gjatë, ajo u kthye në Londër, ku u bë sekretarja e shoqatës Angli-Shqipëri e themeluar nga Aubrey Herbert në Londër. Ajo vazhdoi shoqërinë e saj dhe në vitet ’30, duke bërë shumë miq shqiptarë që shkuan në mërgim në Londër. U dëshpërua shumë për pushtimin fashist të Shqipërisë. Megjithëse në moshë të thyer, ngriti fuqishëm zërin e saj. Vdiq në nëntor të vitit 1944, dy javë para çlirimit të Shqipërisë, ditë që ajo po e priste me padurim.