Edi Rama: Vizita e Merkelit në Tiranë në fundmarsin e 2015-s,  takim i rëndësishëm me historinë e integrimit

422
Sigal

Intervista e  Kryeministrit Edi  Rama në Bugajski Hour

Bugajski: Një nga pyetjet që kam ndeshur më shpesh që kur jam kthyer në Tiranë është çështja e çmimit të energjisë. A është ky një problem që ju e shihni në shoqëri?

Kryeministri: Kemi pritshmëri të larta, por edhe përkrahje të fuqishme për këtë aksion dhe aksione të tjera, për shkak se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës që të trajtohen si idiotë dhe të paguajnë faturat e tyre në një kohë që të tjerët e vjedhin energjinë, zaptojnë hapësira publike dhe ndërtojnë ilegalisht, e shkojnë jetën lehtë e lehtë në kurriz të njerëzve të ndershëm dhe korrekt të vendit. Pra, mbledhja e të ardhurave është një pjesë mjaft e rëndësishme e funksionit qeveritar.

Bugajski: Sa i përket korrupsionit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë dhe korrupsionit të gjerë, a po adresohet kjo nga qeveria juaj?

Kryeministri : Qeveria duhet ta adresojë korrupsionin pikë së pari nëpërmjet modernizimit, pasi nuk besoj për asnjë moment se adresimi i korrupsionit ka të bëjë me spastrime që më vonë shndërrohen në gjueti shtrigash. Unë besoj fuqimisht se qeveria duhet të modernizohet! Gjyqësori është ai që duhet të ndëshkojë! Pra, deri më tani ne po e ndëshkojmë korrupsionin kudo që ne e shohim atë të shfaqet. Por, ajo që ne duam është një modernizim gjithëpërfshirës. Dhe njëkohësisht, ne duhet të nisim reformën e gjyqësorit, apo le të themi, fazën finale të reformës së gjyqësorit, pasi tashmë ne jemi të përgatitur për atë. Jam absolutisht i bindur se ne duhet të jemi mjaft të guximshëm në këtë pikë dhe ne jemi mjaft të përgatitur për të qenë të tillë.

Bugajski: Ç’do të thotë një fazë finale? Gjykatës të rinj?

Kryeministri : Jo, fazë finale do të thotë që të fillojmë tani transformimin dhe të kemi legjislacion të ri si dhe vizionin e programin e një sistemi krejt tjetër. Dhe, sigurisht, ndryshimi i njerëzve do të vijë pas kësaj.

Bugajski: I kthehemi tani njërës prej çështjeve që ju cekët më parë, pra prishjes së ndërtimeve pa leje. Përse është kaq e rëndësishme?

Kryeministri : Është e rëndësishme për shkak se ato ua zënë frymën komuniteteve. Po e bëjnë të pamundur jetën e njerëzve dhe po e bëjnë të pamundur ripërtëritjen dhe rilindjen e sensit komunitar të hapësirës urbane. Pra, është sundim i ligjit. Është ndarje e drejtë e hapësirës së përbashkët. Dhe është përgjegjësi karshi komunitetit tonë.

Bugajski: Sot ka një situatë ku PD-ja bojkoton parlamentin prej disa muajsh. Si reagoni ju ndaj kësaj çështjeje?

Kryeministri : Fatkeqësisht, ne po përjetojmë një përvojë jetësore të asaj thënies së famshme se historia përsëritet si një farsë mbasi është zhvilluar njëherë si tragjedi. Pra, kjo është pjesa komike e gjithë kësaj. Por gjithashtu shpresoj se edhe kjo do të ndryshojë sepse alibitë e opozitës nuk ekzistojnë më. Ne kemi përmbushur kërkesat e tyre, ndonëse…. Nuk po bëj komente për këtë. Ne i kemi plotësuar kërkesat e tyre, por s’e di se ç’bëjnë ata tani dhe përse s’janë në vendin e tyre të punës?

Bugajski: A ekziston mundësia që PD-ja në opozitë t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Kryeministri : Jo, nuk besoj se do të ndodhë kështu, por edhe nëse ndodh kështu, zgjedhjet do të mbahen. Dhe ne do t’i fitojmë ato me përkrahjen mjaft të fuqishme të njerëzve, ashtu siç do t’i fitojmë me PD-në në garë. Dhe jam i sigurtë se ata do të marrin pjesë në zgjedhje sepse mungesa në zgjedhje do të ishte vetëvrasëse.

Bugajski:. Lejomëni t’ia filloj me vizitën tuaj historike në Beograd dhe me incidentin e dronit në Beograd. A mendoni se kjo ishte një ngjarje momentale apo ka probleme të ndjeshme të pazgjidhura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve?

Kryeministri: Droni ishte si një letër lakmuesi. Ndodhi si çdo gjë budallaqe që mund të ndodhë në një lojë futbolli. U shndërrua në një dramë të madhe mbarëbotërore bazuar mbi benzinën e hedhur nga Beogradi. Gjë që është fund e krye qesharake. Dhe njëherazi është tragjike të shohësh se si ky objekt fluturues arrin të luajë mendsh një vend të tërë dhe pastaj të çmendë botën mbarë. Është absolutisht një test se ç’mosbesim të madh dhe se ç’vakum historik ka ndërmjet nesh.

Bugajski: A beson të njëjtën gjë si ju qeveria në Beograd?

Kryeministri: Kanë vështirësi dhe ne duhet t’i mirëkuptojmë! Kanë vështirësi! Por njëkohësisht ne duhet t’i ndihmojmë ata duke u thënë, ashtu siç bëra unë në Beograd, se ne jemi këtu. Serbia s’do të zhduket nesër dhe as Shqipëria s’do të zhduket.  Serbët do të jenë aty nesër dhe shqiptarët do jenë aty nesër. Pra ne duhet ta pranojmë si të vërtetë. Ka marrë fund! Sa i përket, pra, njohjes së Kosovës?! -Ka marrë fund! Me shqiptarët ata duhet të vendosin një marrëdhënie krejtësisht të re. Por ne duhet t’i ndihmojmë, Pasi ne jemi në një pozitë më të mirë se sa ata në këtë marrëdhënie.

Bugajski:   A do të vijë Kryeministri Vuçiç në Tiranë, dhe nëse po, kur?

Kryeministri: I kam bërë ftesë dhe do të isha shumë i kënaqur ta prisja këtu. Dhe shpresoj që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm.

Bugajski: Vitin e ardhshëm! S’ka asgjë të planifikuar?

Kryeministri: Jo, s’ka asgjë të planifikuar, por shpresoj shumë që ai të vijë. Do të takohem me të pas pak ditësh pasi në Beograd mbahet samiti kinez.

Bugajski: A keni një avokat në BE? A ka një vend specifik që ju përkrah?

Kryeministri: Mbeta mjaft i kënaqur disa ditë më parë mbas një takimi në Parlamentin e Hollandës ku patëm një diskutim se çfarë ndodhi këtë vit. Ata mbajnë një diskutim vjetor rreth asaj që ndodh gjatë vitit dhe ç’duhet bërë më pas. Ata kishin konsiderata mjaft të mira rreth Shqipërisë dhe përmirësimeve të guximshme të Shqipërisë gjatë këtij viti në rrugën e integrimit evropian.

Bugajski: Besoj se ju keni zhvilluar një marrëdhënie të mirë pune dhe personale me Kancelaren Merkel. Supozoj se kjo ka për të shtytur perspektivën e anëtarësimit në vitet e ardhshme?

Kryeministri Ne shpresojmë shumë që ajo të vijë në Tiranë aty nga fundi i semestrit të ardhshëm dhe ka për të qenë një takim tjetër i rëndësishëm me historinë e integrimit.

Sot  në Tiranë samiti i Kartës së Adriatikut

 

 Sot në Tiranë mbahet një samit i rëndësishëm në kuadër të Kartës së Adratikut, që përbën një marrëveshje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit si një “paradhomë” politike për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior-NATO. Përveç vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut që janë pesë shtete: SHBA, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia, në këtë samit do të jenë prezentë si vëzhguese Sebia dhe Kosova. Siç njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë: Burime zyrtare i bënë të ditur  se në takim disa vende do të përfaqësohen me ministrat e Jashtëm dhe disa vende do të përfaqësohen nga zv.ministrat e jashtëm. Ndërkaq, mësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohen nga një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit.