Edi Rama në grupin parlamentar të PS-së, kritikon Nishanin dhe Kryeprokurorin

444
Sigal

 PS-ja mblodhi dje për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit grupin e saj parlamentar. Grupi i deputetëve socialistë u drejtua për të parën herë nga kreu i partisë së tyre, Edi Rama, këtë herë në cilësinë e deputetit. Kryesocialisti Rama zbardhi detaje nga takimet që gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar me presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeprokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Aridan Fullani, duke premtuar se epoka e retorikës dhe e ‘luftës’ me këto institucione është mbyllur më 23 Qershor.

Duke iu referuar kreut të shtetit, Rama theksoi se, shpreson në bashkëpunimin e tij jo si noter i një pale që ka humbur zgjedhjet, por si President që respekton Kushtetutën. Kryesocialisti sulmoi kreun Prokurorisë së Përgjithshme se nuk ka bërë asgjë për të luftuar krimin. Sa i takon Bankës së Shqipërisë, Rama i bëri thirrje Guvernatorit Fullani që të thotë të vërtetën mbi gjendjen e financave të vendit.

Emrat e qeverisë së re, pasi të hidhen piketat e mirëqeverisjes

Synimi ynë, tha Rama, është që hap pas hapi Shqipëria të ketë një agjenci të posaçme kombëtare të burimeve njerëzore ku të jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njerëzor të këtij vendi, e të gjithë atyre që kanë investuar në dije dhe që kanë çfarë të japin”. Rama theksoi se, brenda javës së tretë të korrikut do të bëhet diskutimi për strukturën e re. “Nuk di të them tani nëse do të ketë më shumë apo më pak ministri, di që qeverisja jonë do të kushtojë më pak, më pas do të nisë diskutimi për emrat. Pavarësisht, fjalëve që do të vazhdojnë në media, ky është procesi, unë do mirëpres çdo propozim tuajin”, iu drejtua Rama deputetëve të grupit socialist.

 Edi Rama: “Të ndalet  çdo ndërtim pa leje në bregdet!”

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama u shprehu dje krerëve të bashkive dhe komunave bregdetare se duhet ndalur urgjent hovi i ndërtimeve pa leje në zonat turistike. Ky apel u bë gjatë një tryeze pune që Edi Rama kreu me kryetarë të Bashkive në Tiranë.  “Kjo gjendje alarmante ndërtimesh pa leje në këtë periudhë kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm, si pasojë dhe e këtij vakumi në periudhën e ndërrimit të qeverive. Në kushtet në të cilat flasim, nuk kemi justifikim të bëjmë sehir, duhet të veprojmë të hedhim në tokë të gjitha ndërtimet që janë në zhvillim e sipër dhe të ndalim këtë dallgë ilegaliteti që dëmton prona private dhe prona shteti”, u shpreh Rama në këtë tryezë. “Është aksion 2 –mujor, që të ndalojmë çdo karabina që po ngrihet tani, çdo hedhje gurësh në det, jo vetëm duhet të zhbëhet, por ata, që kanë cenuar detin, duhet t’i çohet organeve të prokurorisë”.