Me kushte të tilla, edhe një qytetar që s’ka as një qindarkë në xhep, mund të ndërtojë një rrugë me vlerë mbi 245 milionë euro. Bëhet fjalë për rrugën e shumëpërfolur Thumanë-Kashar, e cila është e gjatë vetëm 20 kilometër dhe do të kushtojë plot 245 milionë euro.
Kjo është një nga rrugët me kostot më të larta, duke kapërcyer edhe tarifat e vendeve të Bashkimit Europian. Nga një llogaritje e thjeshtë, 1 kilometër në këtë rrugë me 4 korsi do të kushtojë plot 12.25 milionë euro. Me këtë tarifë, ne lëm pas shtete si Kroacia, Hungaria e madje Danimarka.
Por përveç kostove tepër të larta që po i shkaktohet buxhetit të shtetit, qeveria po favorizon hapur kompaninë koncesionare, që në rastin konkrret është “Gener 2”. Në një vendim me numër 151, qeveria ka akorduar miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien e koncesionit për projektin.
“Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e bonusit prej 8.5 % të pikëve, që i jepet shoqërisë ‘Gener 2’ për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar” thuhet në VKM. Pra, kjo firmë e cila merr rreth 40% të buxhetit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka shumë gjasa që të fitojë edhe PPP-në për rrugën Thumanë-Kashar.
Dokumentet e siguruara nga Tpz.al tregojnë se “propozimi për ndërtimin e segmentit rrugor Thumanë – Kashar bën pjesë në planin e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës me anë të programit “One Billion Euro”. Por, në këtë projekt, qeveria pritet të jetë si kolateral i bankave, për kredinë që do të marrë koncesionari, në rastin konkrret “Gener 2”.
“Kjo synohet të realizohet duke përfshirë investimin e kapitalit privat. Prioritet për realizimin e këtij projekti është përfshirja e bankave dhe garancia që jep qeveria” thuhet në dokumentin e paraqitur në Agjencinë e Prokurimit Publik.
“Supozohet që bankat do përfshihen në investimin e këtij projekti si dhe me një interes të ulet. Supozohet që qeveria do dalë garant për marrjen e kredisë nga bankat” vijon dokumenti zyrtar në APP, çka hedh dyshime se, rruga nuk do të ndërtohet nga kapitali privat, por nga ai shtetëror, pasi të gjitha risqet i merr qeveria.
Pra, e thënë më thjeshtë, nëse kompania private nuk shlyen dot kredinë, atëherë kredia duhet të shlyhet nga qeveria! Por përse përdoret një skemë e tillë, kur në fakt të gjitha rreziqet i merr qeveria?!
Si përfundim, qeveria po i jep koncesionarit koston më të lartë për ndërtimin e rrugës, kredinë, bonusin dhe mbështetjen në rast se “Gener 2” fundoset tek bankat e nivelit të dytë. Me pak fjalë, këtë rrugë, me këto kushte, mund ta ndërtonte kushdo./TPZ.AL/
Më poshtë bonusi i Qeverisë për “Gener 2”:
Më poshtë Qeveria vendoset si kolateral për bankat, për “Gener 2”:
Më poshtë shpallja e PPP-së për Rrugën Thumanë-Kashar: