Edhe mjekët dhe infermierët do t’i nënshtrohen testeve

    374
    Sigal

    Të gjithë mjekët dhe infermierët që janë në punë dhe që do të duan të vazhdojnë të punojnë, do t’i nënshtrohen një testimi që do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë. Lajmin e njoftoi dje vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas një takimi me drejtues, mjekë dhe e infermierë të sektorit publik. Ai tha se testimi do të nisë gjatë muajit shkurt dhe do të përfundojë në mars. “3700 mjekë dhe 13010 infermierë e laborantë do të hyjnë në këtë testim që nis në shkurt dhe përfundon në mars. Ai do të realizohet në bashkëpunim me katedrat e Mjekësisë”, tha Beqaj.

    Ministria e sahëndetësisë ka ardhur në këtë përfundim se në procesin e trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë janë zbuluar që ka boshllëqe edhe më bazike në njohuri, prandaj, sipas ministrit, duhet një fotografim i situatës që është sot, edhe për mjekët edhe për infermierët. “Me infermierët do ta fillojmë nga QSUT-ja dhe pastaj do zbresim në spitale dhe në (shërbimin) parësor. Me mjekët do ta fillojmë nga qendrat shëndetësore, nga mjekët bazë derisa të vijmë drejt piramidës. Janë praktikisht 3720 mjekë, por ndoshta kjo shifër rezulton pak, sepse sigurisht, ata që janë pedagogë, nuk janë pjesë e këtij sistemi testimi dhe 13010 infermierë dhe laborantë, – janë rreth 12300 infermierë dhe rreth 700 laborantë, – që janë trupat e infermierëve dhe mjekëve në sistemin publik, që do të testohen.

    Tek infermierët do të testojmë fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesën profesionale. Është shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit, edhe pjesa e etikës. Dhe, sigurisht, do të na duhet të ndërtojmë aty edhe një pjesë të testimit edhe për çështje që lidhen me korrupsionin. Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që kemi, një gjë është fakt: Shëndetësia është një nga dy sektorët e jetës publike në Shqipëri, që perceptohet nga shqiptarët, si dy nga më të korruptuarit” tha ministry Beqja.