E vërteta për krijimin e partisë së ushtarakëve dhe festimet e 100-vjetorit

    398
    Sigal

    Intervista/Flet Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Zoi Kote

    Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë, është e angazhuar për të marrë pjesë në festimet që do të bëhen në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Kjo shoqatë do të marrë pjesë në festimet që do të bëhen, pavarësisht faktit se politika mund të jetë e ndarë në festimet e tyre. Një fakt të tillë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë Zoi Kote.

    -Zoti Kote, sa të bashkuar janë ushtarakët pasi herë pas here qarkullojnë zëra se janë të përçarë?

    -Përsa i përket ish ushtarakëve unë do të thoja që ato janë të bashkuar në një shoqatë. Zëra ka që janë ndarë, por është një grup i vogël që ne bashkëpunojmë me ta dhe nuk kemi probleme. Ata janë shkëputur për t’u bashkuar në një shoqatë tjetër. ata janë anëtarësuar në EUROMIL, ndërsa ne jemi të anëtarësuar me të drejta të plota në CIOR. Kështu që përsa i përket bashkimit unë do të thoja që ushtarakët janë të bashkuar pavarësisht faktit se, ato kanë krijuar një shoqatë tjetër, por interesat janë të përbashkëta.

    -Në lidhje me festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, a do të jenë të pranishëm ushtarakët dhe kë mbështesin më shumë festimet në Vlorë apo në Tiranë?

    -Ne në datën 9 nëntor zhvilluam konferencën tonë, e cila ishte shumë e suksesshme. Po ashtu ne do të jemi të pranishëm në të gjitha aktivitetet që organizojnë shoqata dhe organizata të ndryshme në lidhje me këto festime. Ne jemi të pranishëm kudo, ne ishim të pranishëm edhe në datën 17 Nëntor në datën e Çlirimit të Tiranës. Pra, ne jemi të pranishëm në të gjitha aktivitetet, po ashtu ne do të jemi të pranishëm edhe në festimet që do të organizojë qeveria me këtë rast. Shoqata e Ushtarakëve mendon që Vlora duhet respektuar dhe patjetër që duhet shkruar në Vlorë fillimisht. Por kjo për ne nuk do të thotë që nuk duhet të festohet edhe në Tiranë. Pra ne mbështesim idenë që duhet të festohet në Vlorë dhe më pas festimet duhet të kthehen në Tiranë. Ne së pari duhet të nderojmë figurën e Ismail Qemalit që ngriti flamurin në Vlorë para 100 vitesh dhe më pas ne duhet të vijnë për të festuar në kryeqytetin tonë.

    -Realisht çfarë po bëhet me Aktin Normativ, a keni gjetur ndonjë zgjidhje për këtë çështje?

    -Përsa i përket Aktit Normativ ai është duke u zbatuar dhe ai ul 25 % të ardhurat e ushtarakëve. Ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për ta hequr fare Aktin Normativ, por që për momentin nuk kemi ndonjë shpresë për ta hequr dhe e shohim paksa të vështirë. Ne nuk e dërguam aktin në Gjykatën Kushtetuese për arsyen se do ndërpriteshin pensionet dhe këtu gjyqet zgjasin nga dy apo më shumë. Kështu që ne nuk e kemi dërguar këtë çështje. Tani ushtarakët që kanë dalë para vitit 1991 ato marrin pension suplementar mirë, po ashtu edhe pensionet e plota të pleqërisë dhe suplementi i saj janë trajtuar mirë. Problem mbetet për pensionet suplementare të nënoficerëve sepse nuk u gjenden dosjet. Ndërsa për pensionet e parakohshme Akti Normativ i ul pensionet dhe pas 1 korrikut të 2009, këtu qëndron vështirësia. Por ne për këtë e kemi lënë që të vazhdojnë pensionet dhe më vonë ne do të mundohemi që t’i gjejmë një zgjidhje. Ndërkohë që, një shoqatë tjetër e ka hedhur në gjyq dhe pritet vendimi. Pastaj do ta kërkojmë edhe ne dhe po luftojmë shumë që ai të hiqet.

    -Ekzistojnë zëra se shoqata e ushtarakëve do të krijojë një parti, sa qëndrojnë këto që thuhen?

    -Përsa i përket shoqatës ajo do të mbetet shoqatë ushtarakësh. Por janë një grup ushtarakësh të ndryshëm të cilët janë bashkuar dhe kanë një ide që të krijohet një parti e krahut të majtë. Unë di të ju them që deri në këto momente që ne flasim nuk është vënë as emri kësaj partie, apo nuk është krijuar as ndonjë strukturë e kësaj partie.

    -Kjo parti që supozohet që të ngrihet nga ushtarakët a do të jetë e gatshme për zgjedhjet e 2013-s?

    -Ne mendojmë që kjo parti ushtarakësh të jetë e gatshme për zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Ne mendojmë që të futemi në zgjedhje dhe të bëhemi faktor. Pra, ushtarakët nëpërmjet kësaj partie të bëhemi faktor. Por një gjë duhet të dimë që shoqata do të mbetet shoqatë. Pastaj kush ka dëshirë që të bëhet pjesë le të bëhet pjesë e partisë nuk i ndalon njeri. Është ideja që partia që do të krijohet do të luftojë për të përgjithshmen, pra do të jetë një faktor ndihmues për zbatimin e ligjeve në Shqipëri. Pra do të jetë një faktor ndihmues në të gjithë vendin. Por kjo i takon planeve të së ardhmes, por kjo shihet se si do të vihet në jetë në ditët në vijim.