E vërteta për fillimin e këstit të dytë për trashëgimtarët e të përndjekurve politikë

    407
    Sigal

    INTERVISTA/Flet përgjegjësi i sektorit të Pagesave për të Dënuarit Politikë, Lek Hajdari

     Dëmshpërblimi për këstin e dytë për kategorinë e të dënuarve politikë që jetojnë nuk mund të mbyllet për vitin 2012, pasi nuk ka një afat të përcaktuar qartë se kur do të mbarojë. Në një intervistë për “Telegraf” përgjegjësi i sektorit të Pagesave për të Dënuarit Politikë, Lek Hajdari, bën të ditur se ende po vazhdojnë dëmshpërblimet për personat që janë gjallë, por ende nuk mund të jepet një afat se kur do të mbyllet kësti i dytë për këtë kategori. Ndërkohë që në lidhje me fillimin e dëmshpërblimit për trashëgimtarët zoti Hajdari ka bërë të ditur se: “Nuk mund t’ju jap ndonjë informacion të saktë. Por shpresoj dhe mendoj që do të fillojë menjëherë sapo të vijë buxheti i vitit të ri”.

     -Zoti Hajdari, jemi në fund të vitit 2012, kohë për të cilën qe folur që do të mbyllej dhënia e këstit të dytë për kategorinë e personave që janë gjallë, aktualisht si paraqitet situata?

    -Ç’është e vërteta asnjëherë nuk është thënë nga Ministria e Financave që do të mbyllet kësti i dytë në fund të vitit 2012. Shprehja që ju përdorni në pyetjen tuaj është një shprehje që ka të bëjë më shumë me aludime gazetareske sesa me një fakt të vërtetë.

     -Ju thoni që nuk është thënë nga Ministria e Financave se kur do të mbyllet kësti i dytë. Realisht kur do të mbyllet kësti, pasi nuk mund të jetë pa një afat?

    -Në zbatim të vazhdimit të pagesave të ish të dënuarve politikë, për këstin e radhës ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrave me numër 419, i cili përcakton radhën e pagesave të këstit të dytë dhe të këstit të radhës. Në vendim ishte e përcaktuar që kësti i dytë do të fillojë në mars të 2012, por asnjëherë nuk është shprehur se kur do të përfundojë kësti i dytë. Në zbatim të këtij vendimi në bazë të pikës 7 dhe 8 i jepet përparësi personave që jetojnë si fillim personave mbi 65 dhe pas tyre atyre nën 65 vjeç. Pasi të mbarojë kategoria e personave që jetojnë dhe më pas do të vazhdohet për personat që nuk jetojnë.

     -Në momentet që flasim sa është numri i personave që kanë marrë pagesën për këstin e dytë dhe sa persona kanë për të marrë lekët nga kjo kategori?

    -Realisht ne kemi paguar për këstin e dytë 2085 këto janë persona që jetojnë. Po ashtu kemi paguar edhe 71 persona që janë me raport mjekësor sipas udhëzimit të dy ministrive që ka dalë disa kohë më parë. Por nuk mund t’ju them se sa është numri i personave që duhet të marrin leket. Pasi çdo familjar i interesuar nëse ka vdekur i dënuari pasuron dosjen në ndryshimet e gjendjes civile. Ne nuk kemi mundësi se sa kanë vdekur dhe sa jetojnë. Ne në këtë kategori vërtetojmë sa kemi paguar, por nuk mund të japim informacion të saktë se sa është numri i personave që kanë për të marrë lekët për arsyet e mësipërme.

     -A mund të na thoni ndonjë afat se kur mund të fillojë dëmshpërblimi për këstin e dytë për trashëgimtarët?

    -Kategoria tjetër do të vazhdojë me urdhër të eprorëve tanë. Nuk mund të ju jap ndonjë informacion të saktë. Por shpresoj dhe mendoj që do të fillojë menjëherë sapo të vijë buxheti i vitit të ri.

     -Një problem i theksuar për sektorin tuaj kanë qenë dosjet me mangësi, çfarë po bëhet me këto dosje?

    -Dosjet me mangësi është e vërtetë që kanë qenë dhe mbeten një problem i theksuar për sektorin tonë. Unë e kam përsëritur dhe u kam bërë thirrje personave të interesuar si në mediat vizive dhe ato të shkruara që çdo dosje që dërgohet në adresën tonë të dërgohet me një informacion përkatës, duke pasqyruar numrin e dosjes dhe numrin e telefonit. Në mënyrë që unë të kemi mundësi që ti kontaktoj për ti pyetur për ndonjë informacion përkatës. Akoma vazhdojnë dosje me mangësi të tilla. Dhe unë nëpërmjet gazetës tuaj gjej rastin që të ju bëj thirrje të interesuarve që të mos dërgojnë asnjë dokument pa një informacion përkatës. E thënë më qartë nëse x person nis një informacion për Ministrinë e Financave ai duhet të bëjë të ditur se kujt i përket kjo dosje i përket ky dokument, numrin e kontaktit e të tilla gjëra si këto që unë përsërita edhe më sipër. Ka përmirësime shumë por, përsëri më duhet të theksoj që ka edhe mangësi shumë dhe kjo si pasojë sjell bllokimin e punës për dëmshpërblimin e personave të tjerë që mund ti kenë dokumentet në rregull për të marrë paratë.

    Dosjet me mangësi pengesë për dosjet e tjera

    Dosjet me mangësi janë dosje, në të cilat postohet dokumentacioni, dosje me dokumente të fotokopjuara të panoterizuara, ose ato me certifikata të fotokopjuara, të cilat nuk kanë vlerë pa u noterizuar, ose me numra llogarie, të cilat janë të hapur në monedhë të huaj  dhe kjo është e papranueshme për ne. Por dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. U bëjmë thirrje të gjithë personave që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, se çdo dosje që dorëzohet, duhet të bëhet sipas nenit 14, nr. ligjit 19831. Nëse një i interesuar ka depozituar dosjen pranë zyrave të Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë ose me anë të postës, brenda saj duhet të ketë, bashkangjitur me dokumentacionet, numrin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është i listuar personi për pagesë, numri i dosjeve individuale dhe një numër telefoni i njërit prej personave të interesuar. “Ju këshillojmë që, në çdo rast, të depozitohet një numër kontakti, (nr. telefoni), nëpërmjet të cilit ne do t’ju komunikojmë për procedurat në vazhdim.