E vërteta mbi përgjegjësinë e transportit të parave

578
Reagon Shoqata Shqiptare e Bankave: Ja e vërteta mbi përgjegjësinë e transportit të vlerave monetare
Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve të saj, pasi me ligj bankat nuk lejohen të transportojnë vetë paratë
Opinioni publik dhe gjithë shoqëria është njoftuar dhe informuar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në datën 9 shkurt 2017 në rrugën për në Rinas, ku një grup kriminelësh kanë ndaluar dhe grabitur eskortën që po transportonte vlera monetare.
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ndan të njëjtin shqetësim dhe interes për dënimin e autorëve të këtij akti të përsëritur në një territor që duhet të ishte model i sigurisë. Ajo do të mbështesë deri në fund, pa asnjë mëdyshje, të gjitha institucionet përgjegjëse të bëjnë punën e tyre të hetimit dhe mbledhjes së provave për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para drejtësisë autorët e krimit.
Por, në këtë mori informacionesh të mbingarkuara, shpesh në mënyrë jo profesionale, është hedhur baltë mbi përgjegjësinë e bankave për një veprimtari që ligji e ka shumë qartë të përcaktuar. Sqarojmë se shërbimi i transportimit të vlerave monetare në industrinë bankare kryhet në përputhje me Rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 67, datë 1.6.2016 “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet ku kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare” dhe të ligjit nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”. 
Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve ku zhvillojnë veprimtarinë, kanë përgjegjësi të zbatojnë kërkesat rregullatore dhe ligjore për lidhjen e kontratës me një shoqëri Shërbimi Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF), e cila është e licencuar për transportimin e vlerave monetare, si dhe të bëjnë sigurimin e godinave, vlerave monetare në kasafortë dhe në lëvizje. 
Sipas ligjit, bankat nuk lejohen të transportojnë vetë vlera monetare. Ato nuk janë përgjegjëse për vendosjen e standardeve apo kërkesave për këtë veprimtari, sa kohë ligji nuk parashikon dhe nuk ia njeh këtë detyrë apo të drejtë. Shoqata Shqiptare e Bankave, pasi ka evidentuar elementët e rrezikut gjatë transportimit të vlerave monetare, ka kërkuar, për më tepër se 7 muaj, pranë autoriteteve vendosjen e standardeve për transportimin e vlerave monetare në kuadrin rregullator përkatës, i cili ende nuk është plotësuar.
Shoqata Shqiptare e Bankave mbështet dhe inkurajon tryezën e rrumbullakët me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Bankën e Shqipërisë dhe AAB si instrumentin më të mirë për të ecur përpara. Dakordësia në takim për shoqërimin gjatë transportit të vlerave monetare me policinë e shtetit, të kontrollit të SHPSF-ve dhe për ngritjen e një grupi pune të përbashkët që do të shqyrtojë planin e masave për parandalimin e ngjarjeve të përsëritura dhe të rënda gjatë transportimit të vlerave monetare, janë të mirëpritura dhe garanci më shumë drejt vendosjes edhe të kësaj veprimtarie nën siguri të plotë. 
Sigal