E vërteta e kuotave bosh dhe zgjidhja e problemit të ambienteve tek Shkencat e Natyrës

    364
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni, për ndryshimet e vitit akademik

    Fillimi i vitit akademik për Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka filluar me problemin e mungesës së ambienteve. Por kjo do të jetë për pak kohë, pasi problemi do të marrë zgjedhje me rikonstruksion e një godine. Një fakt të tillë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni. Sipas tij së shpejti do të marri zgjidhje ky problem. Ndërkohë që, për vitin e ri akademik në vitin e parë janë regjistruar 93 % e fituesve dhe pjesa tjetër do të plotësohen me daljen e Formularit A3.

    -Zoti Koni, ka pasur shumë vende të mbetura bosh nga faza e parë e regjistrimit on-line, pasi flitet se ka shumë vende bosh?

    -Po, ashtu si edhe vitet e kaluara në fazën e parë të regjistrimit ka pasur vende bosh që kanë ngelur të paplotësuara. Nuk mund të them me saktësi se sa është numri i saktë, por po të ju them me një përqindje do të thoja që janë regjistruar rreth 90% e fituesve në fakultet. Ne kemi pasur 1400 fitues dhe nga këto mund të ju them që janë regjistruar 1300 prej tyre.

    -A janë hedhur në Formularin A3, të gjitha kuotat e mbetura bosh?

    -Ajo pjesë i përket Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ne nuk na takon të bëjmë rishpërndarjen në Formularin A3. Detyra jonë ishte që pas mbylljes së fazës së regjistrimeve t’i dërgonim kuotat e mbetura bosh. Ne këtë e kemi bërë dhe tani po presim që të dali Formulari A3 dhe të plotësohen edhe kuotat që kanë ngelur bosh.

    -A i është dhënë ndonjë zgjidhje me fillimin e vitit të ri akademik problemit të mungesës së ambienteve?

    -Ne kemi një godinë në rikonstruksion dhe presim që të mbarojë së shpejti. Por vështirësia  e parë ka qenë mjedisi, pasi ne këtë vit na është shtuar edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo bëhet cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht, kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë. Kështu që mjedisi është një nga vështirësitë tona të mëdha. Por kemi një sinjal pozitiv, siç ju thashë edhe më lart pasi ka filluar ndërtimi i një godine 6- katëshe dhe kjo do na ndihmojë shumë. Ndërkohë që rritje ka pësuar edhe stafi akademik në këtë fillim viti. Unë kam shtuar 3 pedagogë tek informatika, dhe numri i tyre nga 15 ka shkuar në 18 dhe do kalojmë edhe dy pedagogë dhe do bëhet 20 numri i tyre.

    -Si po shkojnë studimet e ciklit të dytë dhe a do të ketë ndonjë shtim të programeve të Masterit?

    – Unë do të thosha që ne kemi Master të Shkencave dhe Master Profesional. Masteri Shkencave është 120 kredite dhe Masteri Profesional është 90 kredite. Ne kemi 15 programe të ndara sipas departamenteve. Në total këto kuota janë pothuajse të njëjta me ato të një viti më parë. Këto janë programe që kanë qenë dhe në muajin shtator janë miratuar kurrikulat e reja për çdo program, nuk bëhet fjalë për ndryshime thelbësore, por janë ndryshime koherente që janë bërë edhe në funksion të rregullave. Presim propozime nga departamenti i informatikës apo i Fizikës, pa përjashtuar edhe departamentet e tjera për ciklin e dytë për të krijuar larmishmëri për studentët.

     -Le të ndalemi pak tek cikli i tretë i studimeve që është Doktoratura, a do të ketë ndonjë ndryshim në këtë cikël?

    -Duhet të kujtojmë që në vitin 2009, ka filluar studimet viti i parë i ciklit të tretë të Doktoraturës, dhe këtë vit mbaron brezi i parë i Doktoraturës. Tashmë në frymën e rishikimeve të ciklit të parë dhe të dytë, tërë programet e Doktoraturës. Brenda këtij viti kalendarik që do të fillojë, rishikimi i të tëra programeve të Doktoraturës. Ato do të shikohen me një synim të qartë dhe të pastër, sepse do të bëhen studime të thelluara akademike 60 kredite që janë detyrim për doktoraturën. Dhe brenda muajit dhjetor besoj do jenë mbyllur dhe pse jo të kemi edhe një program të ri Doktorature.

    -Sa do të jetë numri që do të mbrojnë tezën në Doktoraturë?

    -Në vitin akademik 2009-2010 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në programin e Doktoraturës janë regjistruar afërsisht 105-110 student. Mesatarisht i bie që të jenë nga 10 studentë për çdo program studimi. Fakulteti jonë është pak rigoroz dhe studentët që janë regjistruar në ciklin e Doktoraturës e kanë pasur mesataren mbi tetë. Për këtë arsye ne kemi vështirësi, pasi nuk plotësohen edhe kuotat ndoshta, por ne i kemi dhënë rëndësi edhe elementëve të tjerë.