E vërteta e hidhur e librit “Estetika” e Prof. Alfred Uçit

192

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C

Gazetari dhe studiuesi i njohur Dashnor Kaloçi ka botuar dhe po boton dokumente sekrete nga arkivat e PPSH, veçanërisht atë që kanë të bëjnë me letërsinë, artet; shkrimtarët dhe artistët në periudhën e komunizmit. Në botimin e radhës, ai ka përfshirë edhe një letër, të drejtorit të Shtëpisë botuese “8 Nëntori” në të cilën informonte Ramiz Alinë se “‘ESTETIKA’ e Alfred
Uçit është kopjuar nga sovjetikët
”. (“Gazeta Shqiptare”, 30 maj 2018.) Njoftimi i datës 30 maj të këtij viti në “Gazetën Shqiptare” se “‘ESTETlKA’ e Alfred Uçit është kopjuar nga sovjetikët”, nuk ishte e papritur dhe as e panjohur për mua. Arsyeja është jo se kam punuar në ndonjë agjenci sekretesh ose zyra të koduara, por për ca rrethana, që lidhen me botimin e librit. Befasuese ka qenë atëherë, befasuese mbetet edhe sot, kur zbulohet se profesori, zoti Uçi, publikisht thotë një të pavërtetë, se libri “Estetika” është libri i tij origjinal; ndërsa e vërteta e mirëfilltë është fakti se libri “Estetika” është i kopjuar nga sovjetikët, ky libër nuk është punë e tij, nuk është origjinal. Ky është një fakt i hidhur, i dënueshëm moralisht dhe publikisht.

  1. E VËRTETA
    Shtëpia botuese “8 Nëntori” kishte edhe një sektor, që quhej “Redaksia enciklopedike”. Përgjegjësi i asaj redaksie, në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, ishte Gaqo Konomi, me të njiheshim që nga jeta e përbashkët në konviktin e Gjirokastrës gjer sa mbaruam studimet e larta. Mbaheshim për miq. Në fillimet e vitit 1966 isha kthyer në Tiranë nga Pekini, Republika Popullore e Kinës, ku për disa vite kisha punuar si profesor i gjuhës shqipe. Pas kthimit në Shqipëri isha emëruar si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit, atëherë në rrugën “Kont Urani”. Një ditë, aty nga mesi i muajit maj të vitit 1967, Gaqo Konomi erdhi dhe më takoi në qendrën time të punës, Institutin e Folklorit. Shkuam në ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe pimë nga një kafe. Vura re që zoti Konomi dukej i shqetësuar. Ai menjëherë hyri në temë dhe më tha, se sapo ishte kthyer nga zyra e Fadil Paçramit, ish-sekretar i propagandës në komitetin e partisë së Tiranës, me të cilin kishte pasur një bisedë të vështirë. Zoti Konomi nxori nga çanta dhe më tregoi dy libra, njëri me titull “Estetika, Jeta Arti” në shqip që mbante si autor Alfred Uçin dhe tjetri origjinali, libri rusisht. Gaqo Konomi më pohoi se, edhe pse ia kishte bërë të qartë Fadil Paçramit se varianti shqip, me autor Alfred Uçin, nuk ishte libër origjinal i Uçit dhe se nuk duhej botuar, Fadil Paçrami e kishte përcjellë Gaqo Konomin me këto fjalë: “Dëgjo, shoku Konomi. Libri të botohet siç e ka shkruar (kupto: kopjuar) Uçi, se kemi nevojë për libra të tillë”. Madje Paçrami kishte shtuar: “Jepi nja 40 mijë lekë për librin se ka edhe dyzetvjetorin e lindjes “! Pyetja kryesore shtrohet: Pse Fadil Paçrarni dhe më vonë edhe Ramiz Alia, i cili informohet me anë të letrës nga drejtori i Shtëpisë botuese “8 Nëntori”, zoti Kristo Sharra, ku i kërkonte që të mos botohej si vepër origjinale libri “Estetika” i Alfred Uçit, bënë të kundërtën, miratuan botimin e një libri që nuk ishte origjinal. Ky nuk është thjesht një miklim, përkrahje, për librin e profesor Uçit, por një mbrojtje, një miratim, një vijë politike, një qëndrim i shprehur publikisht për estetikën sovjetike, që u bë edhe qëndrimi zyrtar i PPSH për zhvillimin e letërsisë dhe arteve. Në “Informacionin” që instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH i dërgonin Ramiz Alisë lidhur me librin e kopjuar të Alfred Uçit (botuar në Gazetën Shqiptare, 30 maj 2018) ka disa formulime jo të sakta dhe tepër të përgjithshme.

  1. E VËRTETA E PLOTË

Ja e vërteta e atyre shembujve që silleshin në libër dhe që tiren aq gjatë në “Informacionin” përkatës. Pas disa javësh si u vu në qarkullim libri “Estetika, Jeta, Arti” u takuam me prof. Ramadan Sokolin, i cili mbante në duar dy numrat e revistës “Nëntori”. I hapi dhe më tregoi shembujt, vargjet që kishte marrë zoti Uçi nga studimi i Prof. Ramadan Sokolit dhe i kishte futur në librin e tij “Estetika”. Madje është për të ardhur keq që në këtë kopjim të hapur (kishte me dhjetëra vargje të tillë) nuk kishte asnjë shënim referimi për revistën dhe autorin. Profesor Sokoli, për statusin e vet politik, u mjaftua me aq. “lnformacioni” ka edhe pika të tjera jo të sakta, kur thuhet se “Në mënyrë paraprake mund të themi se akoma nuk e kemi bërë konfrontimin me literaturën e huaj që ka shfrytëzuar autori”. Jo “shokë” të “Informacionit”, Alfred Uçi e kishte kopjuar dhe jo “shfrytëzuar autorë të tjerë”. Libri “Estetika, Jeta Arti” u bënë baza ideologjike dhe politike e PPSH në zhvillimin dhe vlerësimin e veprave të letërsisë, arteve dhe çdo veprimtarie kulturore. Ky është shërbimi më i keq që i bëhej kulturës shqiptare, që e vinte nën estetikën sovjetike. “Kjo i përshtatet politikës ruso-madhe dhe shoviniste të zhdukjes së kombeve, që po realizon revizionizmi sovjetik.” – thuhej në “Informacionin” drejtuar Ramiz Alisë. (“Gazeta Shqiptare”, 30 maj, f. 11.)

 

III. VETËM E VËRTETA
Estetika u bë lënda kryesore në Fakultetin e Filologjisë, në Akademinë e Arteve, madje ishte provim për gradat shkencore “kandidat” ose “doktor”. Estetika marksiste u kthye në fe. Mëkatarët, d.m.th. ata që nuk krijonin, pikturonin, skalitnin a kompozonin sipas kritereve të saj, sipas normave estetike marksiste, shpalleshin heretikë d.m.th. dënoheshin që nga ndalimi i veprës për publikim, gjer tek përjashtimi nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, të tjerë burgoseshin ose internoheshin, si Mehmet Myftiu etj., ose përfundonin para togës së pushkatimit. Në dokumentet sekrete si “Kadare në pallatin e ëndrrave” e të tjera, botuar vitet e fundit në seri nga Dashnor Kaloçi, del qartë se ndjekja, përfolja gjer edhe rreziku i arrestimit dhe burgosjes së Kadaresë, lidhej drejtpërdrejt me faktin se shkrimtari Kadare ndiqte një metodë të re krijuese, që binte ndesh me metodën e realizmit socialist, me estetikën marksiste. Ndalimi për botim i poemës “Pashallarët e kuq”, romanit “Pallati i ëndrrave” e librave të tjerë të Kadaresë si dhe përpjekja për të penguar librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dëshmojnë se zbatimi i kërkesave të estetikës marksiste nga krijuesit letrarë dhe nga artistët ishte detyrim politik. Kadare kujton tek libri “Ftesë në studio”, se Drago Siliqi, drejtor i ndërmarrjes së vetme botuese “Naim Frashëri”, njëherazi mik i shkrimtarit, i kishte thënë se dorëshkrimin e librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ia kishin dhënë edhe shkrimtarit S. për një opinion të dytë. “Bëj diçka” – i kishte thënë Drago Siliqi Kadaresë – “shtoi qoftë edhe një frazë me dhjetë fjalë, ku të përmendet fjala parti si mishërim i heroit pozitiv kolektiv. Rasti i shkrimtarit disident Mehmet Myftiu është shembulli më i qartë dhe tipik se ç’rol parësor mori estetika marksiste në jetën e krijuesve letrarë dhe artistikë. Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte ndër të parët që, me krijimtarinë e vet letrare, nuk ndoqi kërkesat e estetikës marksiste-leniniste dhe as ligjet kanunore të metodës së realizmit socialist. Kjo i kushtoi rëndë shkrimtarit Myftiu, atë e kritikuan ashpër dhe e larguan nga organet letrare. Aty nga fillimi i vitit 1954 Mehmet Myftiun e thirrën në Ministrinë e Arsimit. Qibrie Ciu, zv. ministre e atij dikasteri, pas një fjalimi politik për kujdesin e PPSH për letërsinë e realizmit socialist, i ofroi pasaportën për studime letrare në një universitet sovjetik. Mehmet Myftiu e kishte befasuar Qibrie Ciun kur nuk e ishte marrë, nuk e kishte pranuar pasaportën dhe ishte larguar. U kthye në fakultet dhe vazhdoi rregullisht studimet. Shkrimtari Mehmet Myftiu nuk ishte antikomunist, as bënte agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Jo. Ai kishte vënë në provë jetën e vet fizike kundër nazistëve. Ai e donte popullin, Shqipërinë. Mehmet Myftiu doli hapur kundër estetikës marksiste dhe parimeve të realizmit socialist sovjetik. Diktatura totalitare nuk mund t’ia falte Mehmet Myftiut refuzimin e hapur të pasaportës për studime në vendlindjen e realizmit socialist, në vendlindjen e zhdanovizmit. Zhdanovizmi kafshoi si gjarpëri; se ajo metodë nuk ishte thjesht një metodë letrare, por ishte armë, që godiste, burgoste, internonte çdo krijues që nuk i nënshtrohej zinxhirëve të saj kanunorë. Nuk kaluan as 5-6 muaj pas refuzimit të pasaportës për studime në Bashkimin Sovjetik dhe Mehmet Myftiun papritur, në një mëngjes plot shi, e kishin arrestuar dhe e internuan në një kamp “elitar” diku në periferi të Fierit. Me këtë metodë u krijuan mjaft vepra të dobëta artistikisht, që u ngjanin pamfleteve politikë, vepra që nuk ngjallnin asnjë ndjenjë estetike. U krijuan piktura dhe skulptura që paraqisnin njerëz viganë, me muskuj si tela çeliku dhe gjoks gati shkëmbor. Ndërsa në letërsi u botuan romane, drama dhe poema entuziaste dhe skematike. Lindën bejtexhinjtë socialistë. Alfred Uçi u bë “shef” i estetikës, “shef” i kritikës letrare dhe arteve. Asgjë nuk mund të botohej pa autorizimin e tij. Bashkë me Bardhyl Ficon shkuam tek përgjegjësi i ri i redaksisë enciklopedike në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”, zoti Nelson Çabej, dhe i kërkuam që libri “Eposi shqiptar i krahasuar me atë serbo-boshnjak”, i përgatitur nga shkrimtari Veis Sejko, që kishte mbaruar studimet e larta në Zagreb, të botohej. Zoti Nelson na tha se kjo ishte e pamundur pa autorizimin e “shefit” të estetikës, Alfred Uçit, që ishte njëherazi edhe drejtori i Institutit të Kulturës Popullore. Pikëpamjet e estetikës marksiste që përhapeshin me librin “Estetika Jeta Arti” të zotit Uçi dhe me botime të tjera të këtij lloji, edhe pas vendosjes së pluralizmit politik, duken ende gjurmë në libra, shkrime etj. Gjer sot nuk ka asnjë studim serioz kritik kundër estetizmit sovjetik dhe ndikimit të tij në letërsinë artet dhe kulturën shqiptare. Askush nuk u ka kërkuar falje atyre që u dënuan në format më të ndryshme se nuk iu nënshtruan dogmës estetike marksiste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një libër i tillë do të kishte shkaktuar “një krizë” kulturore. Para disa vitesh një profesor me emrin Abramov, historian, u kritikua në gazetën “The New York Times” se në librin e botuar kishte marrë, “kopjuar” një paragraf nga libri i dr. Kissinger-it. Prof. Abramov doli në gazetë dhe tha se paragrafi ishte si citim, por redaktori kishte harruar shenjat dhe numrin e citimit. Profesorin e hoqën si shef dhe pas disa muajve u largua dhe nga universiteti. Ka mbetur si ngjarje e shënuar çështja e gazetarit të njohur Dan Radher, që ishte shef i lajmeve ndërkombëtare në ABC News. Ai humbi postin dhe u largua, pas 25 vjet shërbimi, se programi televiziv kundër presidentit Bush, se ai nuk kishte shërbyer në gardën kombëtare, doli i pavërtetë. Kopjimi, në të gjitha format e artit, të kulturës, si dhe të shkencës, është dënuar dhe dënohet. Dua të shtoj këtu se edhe në shkolla dhe universitete në Amerikë kopja është e dënueshme gjer sa studenti mund të përjashtohet. Libri “Estetika, Jeta, Arti” ishte kopje e variantit rus, por ajo u bë “bibla” jo vetëm e autorit, por recitohej dhe kërkohej në çdo analizë letrare, artistike etj. Mjafton të sjell edhe një shembull. Para disa vitesh Prof. Ramadan Sokoli kishte përgatitur një dokumentar për muzikantin shqiptar Jan Kukuzeli, gjeniun nga Durrësi, që i dha melodinë shpirtit të Bizantit (Enciklopedia britanike, volume 10, f. 218.) Shfaqja e tij u kundërshtua me argumentin se gjoja ishte “jashtë kritereve të estetikës marksiste”. Me ca ndërhyrje u bë e mundshme që ta shihnin Ismail Kadare, Llazar Siliqi, Anastas Kondo dhe unë, që të mundësohej shfaqja e dokumentarit. Konceptet e estetikës marksiste sovjetike, në një mënyrë ose në tjetrën, u shfaqën edhe në punën kërkimore e studimore në Institutin e Kulturës Popullore, ku prof. Alfred Uçi ishte njëherazi drejtor, por më tepër si “shef i estetikës”. Duhet thënë se letërsia folklorike është studiuar dhe studiohet nga shkolla të ndryshme filozofike, që shpesh dallohen diametralisht njëra nga tjetra. Profesori i Harvardit, Albert B. Lord, zbuluesi i teorisë homerike të letërsisë gojore, ka shkruar se: “The oral poet learns his songs orally, composes them orally, and transmits them orally”. (Albert B. Lord “The Singer of Tales”, New York, 1965). E thënë shqip, këndonjësi e mëson këngën gojarisht, e krijon gojarisht dhe e përcjell po gojarisht. Ky është koncepti bazë i teorisë folklorike amerikane, që ndryshon nga ai i folkloristikës sovjetike, që e quante këngën popullore “narodnoe kolektivnost potiçeski tvorçesta”, d.m.th. krijimtari poetike popullore kolektive. Këto pikëpamje, d.m.th. që e shihnin si “krijimtari kolektive”, kanë zotëruar edhe në folkloristikën shqiptare gjer para vitit 1990, por ndikime të atyre koncepteve, për të ardhur keq, shfaqen edhe sot e kësaj dite në mjaft “studime” dhe artikuj. Në një konferencë kombëtare para disa vitesh, kushtua Eposit heroik shqiptar, Prof. Uçi mbajti raportin kryesor. Dukej mendja e zgjuar e autorit, stili i tij filozofik, por të gjitha tezat dhe mendimet i nënshtroheshin filozofisë estetike marksiste. Më konkretisht, kategoritë estetike si “e bukura”, “e shëmtuara”, “grotesku”, “heroikja” etj., viheshin në kornizat e estetikës marksiste. Në atë tubim shkencor, një kumtesë mbajti dhe Ismail Kadare, që dallohej qartë nga një këndvështrim i ri dhe perëndimor mbi këtë monument të kulturës epike shqiptare. Në përfundim lexuesi i vëmendshëm vë re qartë, se në këtë shkrim fjala nuk është për të gjitha librat e Prof. Alfred Uçit, me vlerën e tyre (nënvizimi imi), por dëshmon se “Estetika”, edhe sipas parimit juridik amerikan “e vërteta, e vërteta e plotë, dhe vetëm e vërteta”, nuk ishte origjinale, por një kopje e varianteve ruse, një akt anti-kulturë që nuk e nderon profesorin. Si e tillë do të duhej të hiqej nga CV-ja e tij. Duket se, edhe si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, në mes të një thesari shqiptar krijimesh folklorike, përfshirë edhe fjalët e urta, profesor Uçi ka anashkaluar njërën prej tyre, që thotë: “E vërteta zhytet, por nuk mbytet”!