“E duam Shqipërinë si Europa”. Studentët ‘pushtojnë’ Tiranën

583
Sigal

Në ditën e dytë të protestës së tyre, Studentët e Universiteteve Publike  protestojnë kundër vendosjes së tarifave për provimet e mbartura.

Me thirrjet “E duam Shqipërinë si Europa”, “ne nuk jemi bankomat”, “S’ka më heshtje, s’ka më pritje” studentët e bashkuar kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe heqjen e tarifave shtesë për provimet e mbartura. Studentët thonë se do ta vijojnë protestën e tyre dhe nuk do të dorëzohen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:00 të ditës së sotme që të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre.

“Vendimi për tarifat është i padrejtë dhe diskriminuese. Ne jemi njerëz elitarë dhe presim mirëkuptim. Ne presim që të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë. Kemi kërkuar të takohemi me ministren e Arsimit. Protesta jonë nuk do ndalet. Ne do kalojmë në demonstratë. Kjo është një protestë studentore dhe nuk është politikë. Politikën nuk e bëjmë ne”- thotë një nga studentët.

“Kjo protestë do të dalë mjaft mirë sepse jemi të bashkuar dhe kemi të njëjtin qëllim. Qëllimi jonë është të anulohet vendimi i VKM për të paguar edhe taksën edhe kreditet. Nëse Ministrja nuk plotëson kërkesat tona ne nuk do ndalemi”- thotë një tjetër student.