E drejta e pronësisë si pëlhura e Penelopës; pronarët thurin, qeveritarët shthurin

    510
    Sigal

    Pronarët shqiptarë kërkojnë nga ndërkombëtarët, referuar korrespondencës me ta, të ushtrojnë presion mbi qeverinë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronës

    E drejta e pronësisë dhe respektimi i Kushtetutës përbën thelbin e përpjekjeve të pandërprera dhe të vazhdueshme të pronarëve shqiptarë. Përpos përpjekjeve brenda vendit, çështja e pronave shqiptare ka trokitur që herët në dyert e Europës dhe më gjerë. Por, edhe pse një nga prioritetet për integrimin e Shqipërisë në BE, e drejta e pronësisë duket si një mision i pamundur në vend. Pronarët i kanë bërë thirrje Europës që të jetë bashkë me ta për  zgjidhjen e këtij problemi kaq të mprehtë. Por, edhe pse Bashkimi Europian ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje sa më parë për kërkesat e pronarëve, qeveritë shqiptare lodhen shumë të shthurin natën atë që pronarët ndërtojnë ditën, duke zgjatur pafundësisht pritjen penelopiane. Njohja e të drejtës së pronësisë rrjedh nga angazhimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar, megjithatë ajo ende ngelet një fjalë boshe për pronarët e ligjshëm. Por, për sa kohë që nuk zgjidhet drejt ky problem, për sa kohë që nuk eliminohet një herë e përgjithmonë korrupsioni në trajtimin e të drejtave të pronësisë, Shqipëria nuk mund të hyjë në rrugën e mirëfilltë të demokracisë, në të cilën populli shqiptar shpreson të hyjë. “Integrimi Europian është, së pari, një angazhim i përbashkët ndaj respektimit të vlerave universale të të drejtave të padhunueshme dhe të patjetërsueshme të Njeriut, përfshirë të drejtën e pronësisë. Këto vlera janë themelore për të siguruar drejtësi, paqe, liri, sundim të ligjit, prosperitet dhe gjithashtu shërbejnë si shtylla e parë për zgjerimin e Bashkimit Europian”, shprehet për “Telegraf” kreu i shoqatës “Bregdeti” Niko Nesturi. Pronarët gjithmonë kanë vënë në dijeni Bashkimin Europian rreth problematikave të shumta për çështjen e pronës, që artificialisht janë krijuar nga qeveritë shqiptare, si për shembull miratimi i një sërë ligjeve dhe projektligjeve për pronësinë, në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm me qëllimin e uzurpimit, grabitjes së hapur dhe tjetërsimit përfundimtar të pronave të patundshme. Porse, me gjithë përgjigjet pozitive në drejtim të shqetësimit të ngritur prej tyre, pronarët kanë konstatuar mbështetje apo aprovim të heshtur të paudhësive të qeverive shqiptare nga ana e ndërkombëtarëve. “Mbështetja apo aprovimi i heshtur që përfaqësues të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare, të angazhuara në Shqipëri, i kanë dhënë qeverive shqiptare mbështetje të drejtpërdrejtë të cenimin të të drejtave themelore të njeriut, duke favorizuar aferat korruptive të njerëzve të veshur me pushtet, të cilët insistojnë të bëjnë të pranueshëm edhe përpara faktorit ndërkombëtar ligjërimin sistematik të akteve të paligjshme të një pjese të popullsisë në dëm të të drejtave dhe lirive të një pjese tjetër”, thonë bregdetasit. Pronarët kërkojnë vëmendjen e ndërkombëtarëve për kthimin urgjent të pronave dhe jo në 2020-n, siç thotë Qeveria në “strategjinë” e saj, si dhe përmbushje të kërkesave të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (vendimi pilot i korrikut 2012).

     Përgjigjet e ndërkombëtarëve

    Shoqatat e pronarëve “Bregdeti” dhe “Pronësi me drejtësi” kanë vënë në dispozicion të gazetës “Telegraf” gjithë korrespondencën e tyre me ndërkombëtarët.

    Këshilli i Europës

    Komisioni është në dijeni të problemeve të vazhdueshme në Shqipëri lidhur me pronat e konfiskuara nga regjimi komunist. Gjithashtu është në dijeni të detyrimeve kushtetuese lidhur me legjislacionin për pronat që duhej të plotësohej që në nëntorin e vitit 2001. Komisioni bashkohet me mendimin tuaj që autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin urgjentisht masa konkrete për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për këtë problem të rëndësishëm. Komisioni në bisedimet e tij me qeverinë shqiptare dhe përfaqësuesit politikë do të vazhdojë të ngulmojë në mënyrë të veçantë për këtë prioritet dhe të nxisë zgjidhje të shpejtë në lidhje me pronat, nëpërmjet zbatimit të një legjislacioni të përshtatshëm në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë. Komisioni e konsideron futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian vetëm nëse garantohen të drejtat themelore të popullit shqiptar, siç është dhe prona.

     Ish ambasadori Amerikan John Withers

    Shtetet e Bashkuara ndjekin nga afër çështjen e kthimit të pronave në Shqipëri. Duke njohur faktin se e drejta e pronësisë është shtrati për një shoqëri të lirë dhe demokratike, më shqetëson shumë çështja e përshkruar në letrën tuaj. Ambasada nuk bëhet palë në asnjë në çështje pronësie të veçanta, të cilat janë subjekt i gjykatave. Megjithatë unë dhe ambasadorë të tjerë e kemi theksuar në shumë raste me qeverinë shqiptare se nevojiten për të gjetur rrugë të drejta dhe të kënaqshme për mijëra çështje pronësie në gjithë Shqipërinë. Shqipëria është në rrugën e Integrimit Europian dhe të drejtat themelore të njeriut sikundër e drejta e pronësisë do zgjidhen në këtë rrugë. Është kritike që Shqipëria t’i zgjidhë këto çështje në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

    Ledjana Saliu