Dyfytyrësia politike e Imamit, te kallëzimi penal ndaj Braçes

    390
    Sigal

     2012, ministri i Mbrojtjes padit Braçen! 1995, deputeti Imami, akuzon ministrin Zhulali, për të njëjtat akuza!

    Më 3 tetor 2012, kallëzimi penal i mamit, hipokrizia politike3 tetor 2012 Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal kundër deputetit Erion Braçe. Motivacioni i këtij kallëzimi është nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror sipas ligjit përkatës, si dhe disponimi i dokumenteve shtetërore në rrugë të paligjshme. “Zoti Braçe dhe Partia Socialiste duhet të kuptojnë që kontratat ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive tregtare nuk mund të përfliten nëpër konferenca shtypi apo faqe gazetash”,- kështu e përligji kallëzimin penal  kundër Braçes, ministri Imami. Ndërkohë, që organet e drejtësisë e të akuzës akoma  dhe sot nuk kanë reaguar për akuzat e deputetit Braçe ndaj ministrit Imami.  Ndërkohë,  që Kuvendi rrëzoi kërkesën e PS-së, për ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar akuzat e PS-së në adresë të ministrisë së Mbrojtjes për trafiqe armësh dhe të tjera. Ndërkohë, që ministri i Mbrojtjes, Imami pengon deri sot mbikëqyrjen parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes.

    2 shkurt 1995, deputeti Imami në rolin e Braçës 2012

    Po të ishte cilido tjetër ministër i Mbrojtjes dhe të bënte kallëzim penal kundër  deputetëve  për  nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe zotërim të paligjshëm të dokumenteve sekretë shtetëror, do të ishte disi i kuptueshëm. Mirëpo, ministri Imami të bëjë në 2012, kallëzim penal kundër deputetit Braçe, do të thotë dy gjëra: Ose Imami nuk ka fare kujtesë, ose Imami në politikë është një aktor që interpreton role politike që i ka besuar…regjisori partiak. Sepse, deputeti Imami, në 2 shkurt 1995, së bashku me deputetin Perikli Teta, mbajtën një konferencë të madhe shtypi dhe…akuzuan ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali për eksportimin e lëndëve plasëse në duart e malazezëve dhe serbëve. Perikli Teta dhe Arben Imami, i servirën shtypit një dosje të tërë me dokumente që vërtetonin, sipas tyre, implikimin e Ministrit të Mbrojtjes, në vitet 1992-1997, të të ndjerit Safet Zhulali në kontrabandën e armëve. Imami i deklaroi shtypit se kishte fakte që vërtetonin se Ministria e Mbrojtjes ishte në shërbim të agjenturave serbe. Madje, oponenca e deputetit të PAD-së, Arben Imami kundër ministrit të Mbrojtjes Zhulali, ishte kaq e madhe, sa u zhvilluan 2 interpelanca në Kuvend, me Kryeministrin Meksi dhe ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali. Qeveria e atëhershme, përdori të gjitha format demokratike parlamentare për opozitën, duke pranuar edhe interpelancë në parlament. Imami e akuzoi Ministrin e Mbrojtjes se “gjatë vitit 1994 hapësira ajrore dhe ajo tokësore e vendit ishte shkelur mbi katër herë. Ç’garanci jep Ministri i Mbrojtjes për mbrojtjen e vendit? Ky ministër po vepron si kambist duke injoruar banka dhe duke bërë tregti me para në dorë. Ky ministër ia ka arritur të ulë çmimin e naftës në ish-Jugosllavi, duke lejuar autobotet greke të shkojnë drejt Malit të Zi”.

    1995, Imami publikon dokumente tepër sekrete të Ministrisë së Mbrojtjes

    Si deputet i PAD-së (opozitare asokohe me PD-në) deputeti Imami publikon edhe një dokument, i cilësuar tepër sekret,  Autorizimi, me nr. 3/3 Regj., datë 3 shkurt 1993, që Arben Imami kishte arritur të merrte: “Autorizohet Uzina Kimike (Reparti Ushtarak Nr. 6959) në Mjekës Elbasan si subjekt ekonomik më vete, me numër llogarie në lekë 373/112 në Bankën e Shtetit në Elbasan dhe me numër llogarie në valutë 678/107/01 në Bankën Tregtare në Tiranë të eksportojë në Kroaci, nëpërmjet firmës “Kastrioti” [Slloveni] materialet e mëposhtme:

    1. Trinitrotoluol “TNT”            140 tonë

    2. Barut                                                          20 “

    3. Mostra eksperimentale baruti 0,297 “

    4. Hegzogjen RDX                                        5 “

    Ky autorizim është i vlefshëm deri më 28.2.1993.MINISTRI I MBROJTJES, SAFET ZHULALI  (Nënshkrimi, vula)”.  Sipas deputetit Arben Imami, me informacionin e deriatëhershëm (2 shkurt 1995), “janë bërë rreth tetë ngarkesa me anijen “Vela Luka” në periudhën nga prilli 1992 deri në shkurt 1993 (kujtojmë që është pikërisht kjo anije që u sekuestrua nga flota italiane dhe në bordin e saj u gjendën 100 automatikë “Kallashnikov” me origjinë nga Shqipëria)”. Imami tundte në mënyrë teatrore shkresën e Zhulalit dhe kishte zbuluar se anija nuk kishte shkuar as në Slloveni as në Kroaci, por “ka shkarkuar mallin luftarak në ndonjë nga portet e Malit të Zi e implikuar haptazi në konfliktin në Bosnjë si aleat i Serbisë. Asokohe, ministri i Mbrojtjes, Zhulali nuk mori mundimin që të bënte kallëzim penal ndaj deputetit të opozitës, Imami për publikimin e dokumenteve tepër sekret dhe as e kërcënuan  me burg. Madje, qeveria e asokohe u ballafaqua me Imamin me dy interpelanca në parlament. Qeveria e 2012-s, për të mbuluar zullumet e  ministrit të Mbrojtjes, Imamit përdor ndaj opozitës kërcënimet e burgosjes dhe kallëzimet penale, duke i mohuar, njëkohësisht, çdo të drejtë kushtetuese e parlamentare, që të kryejë detyrën e saj. Ky është evoluimi antidemokratik i qeverisë së PD-së, nga 1995-sa me Kryeministër Meksin e ministër  Zhulalin,  në 2012-n me Kryeministër Berisha dhe ministër Imamin.

    Dyfytyrësia politike e Imamit

    Ministrin Imami e ha meraku i publikimit të sekreteve shtetërore, nga akuzat e Erjon Braçes, që bëri kallëzimin penal në prokurori më 3 tetor 2012? Apo mos vallë, dokumentet e publikuara nga deputeti Braçe, në 2012-n, ndaj trafiqeve të armëve të ministrisë së Mbrojtjes, me ministër Imamin, janë të një shkalle më sekrete, nga ato dokumente që publikoi Imami në 1995 kundër ministrit Zhulali, po për trafiqe armësh? Përgjigja politike është: Imami përdor presionin e shantazhin politik kundër kundërshtarëve politikë, për të fshehur përgjegjësitë e veta. Kjo mund të shpjegohet edhe me refuzimin e deritanishëm, antikushtetues, që ministri Imami i bën mbikëqyrjes së parlamentit në ministrinë e Mbrojtjes.  Në 1995, si deputeti i opozitës, Imamit iu dha 2 herë mundësia në parlament, me interpelancë, që të kërkonte përgjigjet e akuzave të bëra ndaj ministrit të Mbrojtjes. Përse, më 2012-n, Imami nuk pranon interpelancë e mbikëqyrje? Ministri Imami, ka diçka që përpiqet që ta fshehë? Dhe përse do ta fshehë?

    __________________________________________________________________________________________

    Jemi në mes të një rreziku të madh!

     

    Erjon Braçe

     

    Deputeti socialist Erjon Braçe, ka reaguar sot, në rrjetin e vet social, për deklaratën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Avramopullos, që Greqia e quan të mirëqenë marrëveshjen me Shqipërinë për kufijtë detarë, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe fillimin e kërkimeve detare për naftë e gaz nga një anije e specializuar norvegjeze, për llogari të qeverisë greke. Ja se çfarë thotë deputeti Braçe: “Greqia e ka marrë të mirëqenë marrëveshjen për përcaktimin e kufijve në detin e Jugut  Gjirin e Sarandës mes Sali Berishës dhe Karamanlis! Pavarësisht se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në fuqi,grekët as nuk duan t’ja dinë për të dhe i referohen në çdo veprim ushtarak dhe ekonomik marrëveshjes me Berishën dhe firmosur me Bashën. Jemi në mes të një rreziku të madh!  Sa;i Berisha po hesht! Nuk flet! Nuk mbron vendimin e Gjykatës! Nuk thotë që marrëveshja nuk ekziston më! Nuk kundërshton vendimet e grekëve, që përfshijnë zonën e falur në marrëveshje! Partia Socialiste qëndroi fort sot, siç ka bërë në vijimësi për këtë çështje. Ne nuk do e njohim atë marrëveshje siç deri më sot por çështja e kufirit duhet të zgjidhet! Me drejtësi, kushtetutshmëri! A duhet të kthehet në konflikt, por prej saj as duhet të marrim dëm, të lëshojmë e të paguajmë kosto.