Dy fjalë për Qazim Shemajn: Kur njeriu pranon fatin si poet

    157

    Pasi përfundon së lexuari librin me lirika të zgjedhura të Qazim Shemajt gjen edhe një shtyse më shumë për të ripërsëritur: lirika e qëlluar, është drama e lirikut të vërtetë. Në një truall me fat të trishtë, por edhe me një lexues si yni, të cilin s’e kemi lënë të marrë frymë në luftën për ekzistencë, nuk ka qenë dhe as është e lehtë për të lexuar e shijuar lirikat. Aq më shumë për t’i shkruar ato. Qazim Shemaj ia ka dalë mbanë!

    Bashkohem me miqësinë, por pse jo, edhe me shijen prej miku të hershëm të Ilirian Zhupës, në zgjedhjen e bërë prej lëndinës malore lirike të autorit dhe ne radhitjen qartazi të autorit Qazim Shemaj, si…”portret i kryer poeti”. Mbase nxitueshëm, por jo pa shkak, përdora më sipër fjalë me ngarkesa të përkundërta, siç duken fjalët “drama” dhe “lirika”. Ata që kanë njohur jetën e Qazim Shemajt (vëllezërit e miqtë e tij më të afërt, sidomos dy të tjerët e trinomit poetik tepelenas Ilirian Zhupa, Petrit Ruka, apo ai i anës tjetër të lumit, Kastriot Mahilaj), por jo më pak përqarkësit e tjerë aty e më gjerë në gjeografinë poetike përvijuar në shqip, pra ata që janë dashur e grindur me të, ata që e kanë dëgjuar duke folur për gjërat që ka më të shtrenjta jeta dhe poezia, por edhe për gjërat më të shtrenjta që njeriu ndodh që i humbet në jetë, por i rikthen, i ringjall, i përjetëson në artin e fjalës, nuk mund të mos bien në një pohim për arsyet përse lirika e Qazim Shemajt, ka thelbet e dramës 24 karatshe…

    Por, si duket, jeta merr kuptim, bëhet e bukur dhe e fisme, kur njeriu kupton dhe bëhet mik me fatin e tij!

    Prej kohësh, vetë Shemaj është artikuluar se lirikët tek ne kanë “nxituar të rriten/ Si gruri për drapër…”

    Kur zëmë në gojë lirikën, më së pari duhet shpëtuar prej paqartësisë së termit: për asnjë shkak a interpretim a përvojë liriku kombëtar apo botëror, lirika nuk ka përse të identifikohet thjesht me poezinë për dashurinë, madje edhe sikur të tolerohet se prej trungut të madh të fjalës “dashuri” sythojnë e biskojnë e ciclojnë (kjo e fundit fjalë-krijesë e mbrame e Qazim Shemajt) gjitha degëzimet e ndjesive të kësaj jete. Ta konsiderosh lirikën si vetëm “këngë dashurore”, është si të thuash e të besosh se dashuri bëjnë vetëm bukuroshet, “ato që s’më deshën mua asnjëherë”, i quan në kahje të rrejshme Shemaj! Ose, po të bënim një paralele për dramatikën apo tragjiken, do duhej të pranonim se luftë bëjnë vetëm njerëzit zemërzinj, të pashpirtët!

    Poezia, sidomos ajo, është ngrehinë harmonish…

    Q.Shemaj gëzon e vuan për fjalën. qoftë edhe brenda një tri vargëshi, ashtu si brenda një poeme homerike, harmonia e ndjesisë me fjalën është e detyrueshme. Shemaj mbetet poet i brishtësisë, i kuqlimeve, i gjelbërimeve (që endè s’kanë zënë kokërr- por kokrra është aty, tek ngjyra, e pjekur, e rreshkët,) i valëzimeve të ajrit e të ujërave në perëndimet e në agun e ditëve, në mbresat e jetës që sapo-bëhen valë. Kush të dojë le të shkojë tjetërkund  e të rropatet pas dallgëve e revolucioneve: mjeshtri i flautit, është hequr diku mënjanë, syri s’e gjen dot ku, por vjen vetë zëri dhe ta rrëmben veshin e zemrën dhe ta mban frymën si në puthje të gjatë…

    Shemaj është i patjetër në mënyrën se si e shpërfaq botën e njeriut, njeriu poet u gëzohet gjërave që ka, por mrekullia shton kate kur ai vë buzën në gaz dhe i këndon edhe gjoja mungesës, atyre “që kurrë s’na deshën”. Ngaqë dashuria shpesh është e pamundura, e arritura jo lehtë, maja e mbërritur me mund të madh, e përse jo, gjer edhe ajo që krijohet dhe arrihet thjesht si objekt poezie.

    Lirika e Qazim Shemajt është sublimja reale. Pasi ke vërejtur e kullotur syrin një jetë të tërë, si ajo bleta që ka bredhëritur në një milion lule, vjen momenti kur kthehesh në hojen tënde dhe piklon e dorëzon atë brishtësinë e brishtë, “picolo grande amore”-n tënde, vetëm tënden, atë që mban nënshkrimin … Qazim Shemaj!

    Faruk MYRTAJ