Durrësi në “SOS mjedisor” qindra ton plehra digjen 7 km larg qytetit

1330
Sigal

Në mes të flakës dhe të gazrave helmues qindra njerëz mbledhin hekur, alumin, bakër, letra apo materiale plastike

Fusha e plehrave në Durrës është tejmbushur e gjitha dhe për të hapur sadopak vend, për shkarkimin e sasive të reja çdo ditë, plehrave u vihet zjarri. Specialistët e Mjedisit në Durrës, thonë se efekti i gazrave toksikë që çlirohen nga djegia e plastikës ka pasoja neuroparalizuese tek komuniteti. Përgjatë orëve të natës një re tymi përfshin të gjithë qytetin ndërsa në mëngjes shija në gojë është e hidhur për shkak të dioksidit të karbonit, që mijëra banorë thithin nga djegia e mbetjeve urbane.

Ndotja

Nga plehrat çlirohet në ajër karbon, hidrogjen, azot, squfur, etj., lëndë si këto. Nga emërtimet e tyre dalin veçanërisht oksidet e azotit dhe gazra sulfurorë. Si pasojë e djegies së plastikës çlirohen në atmosferë gazrat më helmues për popullatën, ekuivalente me gazrat e llojit nervin, lëndë, e cila përdoret në ushtri si armë kimike. Pesticidet, plehrat që digjen dhe detersivët që derdhen vazhdimisht në det, i sheh në çdo kohë në një distancë fare të afërt me plazhet e Porto-Romanos dhe të Bisht-Pallës. Por nëse për syrin e një turisti-kureshtar këto plehra personifikojnë vdekjen, për banorët e zonës informale ky “trekëndësh” ka vlerën e mbijetesës. Bëhet fjalë për fushën e grumbullimit të plehrave , në të cilën digjen çdo ditë qindra ton mbetje urbane në qiell të hapur.

Situata

Këta banorë gërmojnë pa pushim me duart pa doreza, masivin e plehrave që mbërrin çdo ditë nga qyteti-metropolitan. Mbi 40 familje nga Mirdita, Mati, Puka dhe Tropoja bashkëjetojnë mes miliarda insektesh, mes një reje të vazhdueshme toksike që çlirohet nga djegia e plehrave gjatë 24 orëve dhe mes ankthit se një ditë plehrat mund të mos ekzistojnë më. Kjo ndodh në kuptimin më të drejtpërdrejtë, ku edhe forca e fjalës është e pafuqishme të përshkruajë “ferrin”, që jetojnë çdo ditë burra, gra, pleq dhe fëmijë. Për këta njerëz të lagjes “Burimi”, nga plehrat e 500 mijë banorëve të Durrësit dhe rrethinave fillon siguria për bukën e përditshme. Në mes të flakës dhe të gazrave helmues këta njerëz mbledhin hekur, alumin, bakër, letra apo materiale plastike, lëndë këto të cilat riciklohen nga tregtarët e shumicës. Familje të tëra nga veriu jetojnë dhe punojnë mes helmeve. Çdo ditë në këtë skaj të ish-kënetës së Durrësit mbërrijnë kamionët e ngarkuar me mbeturinat urbane. Në mungesë të një impianti pastrimi apo riciklimi për materialet, plehrat digjen duke shpërndarë në atmosferë një sasi alarmante gazi karbonik.

Problematika

Në këtë fushë ka lindur domosdoshmëria për zgjidhje afatgjatë. Mënyra e vetme mbetet riciklimi, i lëndëve si plastika, karta, metalet, vajrat etj. Ngritja e impianteve për riciklimin e mbeturinave do të  punësonte njerëz, do të ulte ndotjen, do ta bënte turizmin më tërheqës dhe mbi të gjitha do të përmirësonte cilësinë e ajrit që thithin gjysëm milioni banorë. Vetëm  dy kilometra larg plehrave që digjen, natyra e Porto-Romanos dhe e Bishtit të Pallës “lëngon” nga një tjetër plagë e pashërueshme deri më tani.