Durrësi, jashtë imazhit të një qyteti turistik

    479
    Sigal

    Mungesa e një plani urbanistik, hyrja e qytetit dhe problemet mjedisore në qytetin bregdetar

    “Qyteti i Durrësit që të kthehet dhe konsiderohet si një “metropol detar dhe turistik”, ndoshta do t’i duhen edhe pak vite, pasi atij i mungon një plan i qartë urbanistik dhe rregullues”- u shpreh specialisti i urbanistikës Nesti Goga. Kjo vihet re sapo një vizitor i huaj vjen nga e vetmja hyrje e qytetit, siç është Ura e Dajlanit dhe ndeshet me kioskat, e mbira sërish në vitet e fundit. Por në Durrës mund të hysh edhe nga dy pika të tjera dytësore si nga Shkozeti dhe nga Plepat. Hyrja e parë shërben kryesisht për automjetet, të cilat udhëtojnë në drejtim të Durrësit nga veriu dhe kryeqyteti i vendit dhe hyrja e dytë i shërben automjeteve, të cilat vijnë nga jugu i vendit.

     Investimet e pamjaftueshme

     Në periudhën kohore 1999-2001 në Durrës u ndërtuan dy mbikalime; një në sektorin e Plepave dhe tjetri te Ura e Dajlanit. Ato duket se kanë zgjidhur vetëm zbutjen e fluksit të makinave, por edhe kalimin mbi shina, i cili dikur sillte çrregullime të mëdha në trafik, por janë zgjeruar edhe rrugët hyrëse në Durrës. Por, me gjithë ndryshimet në sistemin rrugor në Durrës, ajo që të bie në sy në të dyja hyrjet e Durrësit është një dekor aspak dinjitoz për metropolin e dytë të vendit. Në Plepa rrethrrotullimi i makinave është në gjendje të mjeruar ende. Nuk ka një tabelë të madhe në qendër të tij, ku mund të afishohen tabela të ndryshme orientuese për plazhin dhe qytetin e Durrësit. Pak më tutje, në të dyja anët e rrugës kanë mbirë kioska dhe ndërtime pa leje prej tulle e betoni të cilat kanë zënë një sipërfaqe të madhe toke duke ia marrë atë asfaltit. Poshtë mbikalimit tregtarë ambulantë, por edhe nga ata që shesin lëndë ndërtimi e kanë transformuar atë në një farë magazine fushore. Një pjesë e mirë e sheshit në hyrje të plazhit është dëmtuar dhe në verë atje gjen pluhur me shumicë, ndërsa në dimër pellgje me ujë dhe me baltë. E njëjta tablo shihet edhe në hyrjen tjetër në të cilën gjen me shumicë tregtarë dërrasash, tjegullash, shitës karburantesh me bidona dhe shishe plastike, atje shiten gurë themeli, ndërsa poshtë mbikalimit gjen gjithfarë shitësish ambulantë, duke të krijuar mendimin se gjendesh në një qytet të thellë dhe jo bregdetar e turistik. Pak më tutje sheshet përgjatë trasesë së trenit janw rrethuar nga pronarë lavazhesh dhe të tjerë, të cilët kanë instaluar makineri për tregtim gazi dhe karburanti. Por sikur të mos mjaftonin këto, mbi kolektorin e plazhit, pak metra përpara Urës së Dajlanit, u ndërtua një distributor gjigand nga një kompani që gjatë 2 viteve të fundit është rritur mjaft. Natyrisht që distributori ka siguruar dy firma, një nga qendra me Tiranë dhe tjetra nga Durrësi. Në një segment rrugor prej 2,5 km në Durrës funksionojnë 16 distributorë nga të dyja anët e rrugës.

    Problemet mjedisore

     Ka mbi 2 vjet që banorët e një blloku në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit, e cila ndodhet përballë murit rrethues të portit detar ankohen se jetojnë mes një pisllëku të madh. Grumbuj me mbeturina inerte, vagonë treni të shkatërruar dhe ndërtime pa leje në formë barakash janë ato që të sheh syri në këtë pjesë të Durrësit. Në fakt ky është një problem i ngritur edhe herë të tjera në shtyp, por situata ka mbetur po ajo, bile malet me mbeturina janë rritur akoma më shumë. Bashkia e ka pasur të pamundur të hyjë në këtë sektor pasi territori është pronë e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave, madje edhe disa objekte të transformuar si shtëpi banimi janë në inventarin e saj. Mbi kodrat me mbeturina inertesh kanë mbirë shkurre e barëra të këqija. Burime nga Drejtoria e Hekurudhave u shprehën se “puna do të nisë nga largimi i vagonëve të trenit e më pas do të vazhdojë me pastrimin”. Por muajt kalojnë dhe peizazhi mbetet i njëjtë në një kohë që banorët nuk guxojnë të hapin dritaret e banesave të tyre për ajrim. Specialisti i urbanistikës Goga mendon se “hartimi dhe miratimi nga KRRTRSH i një plani rregullues, do të sistemonte mjaft probleme të mprehta në Durrës, duke i dhënë atij vlerën e tij të vërtetë në fushën e turizmit detar dhe arkeologjik, por edhe duke krijuar një tjetër imazh për zonat e banuara urbane turistike”.