Durrësi i mbushur me klinika private të paligjshme

    80

    Apartamentet dhe kafenetë  merren me qira  nga mjekët e spitaleve

    Durrësi është qyteti që po mbushet me klinika private mjekësore të paligjshme. Klinika  Dentare, Ortopedike, Kirurgjike, Ekografike, për vizita të specialiteteve të ndryshme janë hapur  pothuajse në çdo lagje, e cep  më cep të qytetit. Nga Spitalla, në ish-Kënetë, nga Currilat në Urën e Dajlanit, nga Plazhi deri tek Shkëmbi Kavajës, gjenden klinika “të specialiteteve”, që punojnë në të zezë, duke thithur pacientë nga spitalet e shtetit. Madje janë mjekët e Spitalit Rajonal Durrës ata që i adresojnë pacientët dhe familjarët e tyre tek “klinikat” private, duke u dhënë adresën dhe numrin e telefonit. Rritja e numrit të këtyre klinikave e ka shkakun tek mungesa e kontrollit nga organet tatimore dhe të ISKSH-së, të cilët prej vitesh nuk kanë qenë në gjendje të dinë numrin e saktë, adresat e tyre dhe personelin që shërben atje. Rritjen më të madhe të numrit të këtyre “klinikave” e hasim në 2 vitet e fundit. Vetëm në lagjen 16 dhe 17, brenda 2 viteve të fundit janë hapur në apartamente dhe ish-lokale, bar-restorante, mbi 27  të tilla, kryesisht  dentare, ekografike, radioskopike, radiologjie, dermatologjie, madje nuk mungojnë edhe veterinarie, të cilat nuk afishojnë as tabelat  emërtuese dhe treguese. Mjaft mjekë të licencuar në Durrës u shprehën për “Telegraf” se “kemi kolegë që as 2 orë nuk punojnë në spitale dhe krisin e ikin në apartamentet e tyre që i kanë kthyer në klinika, atje i drejtojnë edhe pacientët, duke abuzuar me rregulloren, ligjin dhe duke njollosur emrin dhe punën tonë  të përbashkët”. Të indinjuar shprehen edhe mjekët dentarë, të cilët deklaruan se “ka dentistë që sapo kanë mbaruar shkollat dhe kanë hapur në dhoma pallatesh apo kioska “klinika dentare” , punojnë me pajisje jashtë standardeve, me materiale të lira dhe shpesh të skaduara dhe u zhvasin paratë qytetarëve me pa të drejtë, shteti duhet të ndërhyjë, nuk mund të konkurrohemi nga njerëz të tillë, ne paguajmë një thes me para në tatime, kurse dhjetëra të tjerë nuk paguajnë  asnjë lek”. Mjekët e licencuar shpesh e kanë ngritur zërin e tyre edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe degën e Tatimeve, të cilat janë mjaftuar me kontrolle rutinë, apo shpesh edhe duke u kompromentuar  nga pala e paligjshme. Ka ardhur koha të mos luhet me jetën e qytetarëve, të mos punohet me forma e metoda të paligjshme, ka ardhur koha të penalizohet  çdo mjek i ri apo i vjetër që shfrytëzon orarin e punës, mjetet dhe logjistikën e spitaleve për të fituar para nga qytetarët, duke i  ftuar ata në “klinikat” e tyre në thellësinë e lagjeve  periferike apo edhe në qendër. Ligji  duhet  të jetë dhe  të zbatohet për të gjithë njëlloj, për të mbyllur dhe penalizuar  piratët e bluzave të bardha në Durrës, që janë kthyer në lubi të parasë duke harruar misionin e mjekut.

    Opinion/ Mëkatet e shëndetësisë i vuan pacienti

    Që korrupsioni dhe mitmarrja në sistemin shëndetësor të luftohen, duhet të fillohet duke rregulluar sistemin. Mitmarrja që bën mjeku është për t’u ndëshkuar, por pjesën më të madhe të korrupsionit nuk e bëjnë mjekët. Duhet pyetur Ministria e Shëndetësisë sa borxhe ka, duhet pyetur drejtorja e QSUT-së si e ka gjendjen e spitalit, sa medikamente ka të skaduar në magazinat e saj. Sistemi shëndetësor nuk ka vetëm pjesën e ofrimit të shërbimit, por ka edhe pjesën e vet të administrimit. Këtu menaxhohen miliarda lekë çdo vit dhe menaxhimi i tyre ka lënë shumë për të dëshiruar. Ministria e shëndetësisë duhet të marrë masa dhe jo të bëhet palë me atë grusht kompanish që tregtojnë medikamente, pajisje dhe materiale konsumi, të cilat mjelin prej vitesh buxhetin e shëndetësisë. Disa dhjetëra persona përfitojnë dhjetëra milionë dollarë çdo vit në mënyrë të padrejtë, në kurriz të shëndetit të qytetarëve të këtij vendi. Të njëjtët persona dhe të njëjtat kompani bëjnë biznes me çdo qeveri dhe çdo administratë; persona që, jo rrallë, kanë pafytyrësinë e vendosjes së maskës së moralistit apo shpëtimtarit. Shqiptarët e dinë se si janë “fituar” tenderat në këtë vend dhe jo vetëm në shëndetësi, por edhe në arsim, infrastrukturë, etj. Kjo është një nga gangrenat që nuk po i shqitet Shqipërisë, është korrupsioni i të ashtuquajturave “bluza të bardha”. Çdo shqiptar, të paktën një herë, ka provuar mbi vete, apo tek të afërmit e tij, se çdo të thotë të përplasesh me mjekët, infermierët, apo qoftë edhe me pastruesen brenda një spitali, pa nxjerrë “lekë nën dorë”. Lufta kundër pagesave nën dorë është një prej sfidave më madhore e sistemit shëndetësor. Si ndiheni kur shkoni në spital dhe mjeku ju thotë të shkoni pasdite në klinikën e tij për ta paguar? Si ndiheni kur mjeku ju shikon me përbuzje, nëse nuk i jepni lekë? Si ndiheni kur mjeku është i papërgatitur dhe rrezikon jetën e të afërmit tuaj? QSUT, në të cilën duhej të zgjidhen diagnozat e komplikuara, duhej të kishte mjekët më të mirë, duhet të kishte shërbimin më të mirë shëndetësor, duhej të kishte një sjellje etike më të mirë, duhej të kishte mjekimet më adekuate, duhet të kishte medikamentet më të domosdoshme dhe ato specifike, duhej të kishte ekzaminimet dhe analizat, më të domosdoshme në punë, por në fakt është katandisur në shumë drejtime jashtë funksionit bazë. Praktikisht është kthyer në spital të mëshirës dhe të mitmarrjes, duke u konvertuar nga spital publik, në spital që shfrytëzohen nga mjekët primarë, e për pasojë duke mos u zbatuar asnjë urdhëresë dhe duke mos u bërë asnjë kontroll, shfrytëzohen  edhe nga mjekë të tjerë specialistë, por dhe infermierë, kryeinfermierë, farmacistë. Çdo pacient që shtrohet në një spital të tillë, paguan nën dorë, blen medikamentet që duhej të ishin në spital, duron sjelljet hipokrite të personelit shëndetësor, biseda e të cilëve sillet pak a shumë me nënkuptime që ata… duhet të paguajnë për shërbimin.. me pretekstin se e kanë rrogën e ulët.. Çdo gjë shitet dhe blihet pa u hyrë gjemb në këmbë. Çdo gjë ka dalë nga kontrolli. Krye-infermierja mbyll sytë për përvetësimin e medikamenteve, mjeku shënon medikamente në kartele në mënyrë fiktive (për t’i marrë e për t’i shitur më vonë dikush tjetër në farmacitë që gëlojnë rreth spitaleve). Ekzaminimet dhe analizat janë një tjetër torturë e vërtetë për pacientët e shkretë që kërkojnë shërbim shëndetësor standard në një Spital publik, por… Skaneri prishet çdo muaj, ekzaminimet e tjera gjithashtu. Pacientët detyrohen nga këto rrethana artificialisht të përgatitura nga drejtuesit e këtyre shërbimeve, që të shkojnë t’i bëjnë privatisht dhe të paguajnë qimet e kokës. Koncepti i pandëshkueshmërisë është një nga modelet më të suksesshme në Spitalet e Tiranës dhe të Republikës. Edhe ata mjekë dhe infermierë të ndershëm që janë, po asfiksohen nga llumi i anarkisë dhe i parregullsisë.