Durrësi dhe rezistenca ndaj agresionit fashist të 7 Prillit

    479
    Sigal

    Kujtimet e veteranit Ramazan Vogli, partizanit të parë që hyri në qytetin e çliruar

    Më 14 Nëntor është çliruar qyteti i Durrësi, qytet, i cili i ka dhënë Europës dëshmorët e parë të luftës kundër fashizmit më 7 Prill 1939, si dhe partizanin dëshmor në moshën më të re të vendit, 15-vjeçarin Met Hasa. Durrësi është qyteti, i cili u sulmua më 7 prill të vitit 1939, pikërisht 144 ditë para fillimit zyrtar të Luftës së Dytë Botërore, që nisi me pushtimin ushtarak të Polonisë më 1 shtator të të njëjtit vit. Më këtë datë, Shqipëria u bë objekt pushtimi nga shteti fashist i Musolinit, drejt qiejve të Shqipërisë, sipas statistikave të ekspertëve ushtarakë të Luftës së II-të Botërore, u sulën mbi 600 avionë dhe 173 luftanije, të cilat me zjarre e hekur u përpoqën të nënshtrojnë popullin tonë, por këtë qëllim s’e arritën asnjëherë.

    DESHMORËT E 7 PRILLIT

    Më 7 prill brigjet shqiptare u lanë me gjakun e bijve patriotë të Shqipërisë. Ndonëse jo të organizuar profesionalisht populli ynë tregoi se s’do të pajtohej kurrë me orekset fashiste që po tentonin të gllabëronin mbarë Europën. Më 7 Prill ranë në fushën e nderit 9 luftëtarë, të cilët shërbyen si shembull frymëzimi në betejat e mëvonshme përkrah koalicionit të Fuqive të Mëdha. Të rënët e 7 prillit janë:

    Mujo Ulqinaku

    Hamit Dollani

    Haxhi Tabaku

    Hysen Koçi

    Isak Metalia

    Ramazan Velia

    Ismail Reçi

    Ibrahim Osmani

    Hamit Vashko

    ÇLIRIMI I DURRËSIT

    Qyteti i Durrësit u çlirua me 14 Nëntor 1944. Gazeta “Telegraf”, ka vënë në dispozicion të lexuesve të saj një material mjaft interesant, me kujtime të personit që ka hyrë i pari në qytetin e çliruar. Së bashku me ‘të, sjellim edhe një foto ekskluzive mbi takimin e partizanëve dhe festën e zhvilluar në këtë në qytet, çlirimin e të cilit e ka përshëndetur ish- “Debatikasi” dhe një nga gazetarët më në zë të viteve të pas çlirimit Hamdi Sollaku. Këto kujtime na i sjell pas kaq vitesh, veterani Ramazan Vogli, i cili i ka lënë të shkruara kujtimet e tija nga atmosfera historike e kësaj dite. Duke u nisur si nga kujtimet e historianeve, ashtu edhe nga shënimet e ish-Partizanit Vogli, mësohet se për çlirimin e qytetit nuk është zbrazur asnjë pushkë, pasi gjermanët u larguan dhe në tërheqje e sipër, hodhën në erë pjesë të infrastrukturës. Në qytet kishte vetëm disa dhjetëra punëtorë shqiptarë, që mund të hynin vetëm me leje për të punuar në fabrikën “Stamles” në port, derisa funksionoi si dhe në ndonjë impiant tjetër me interes për prapavijën gjermane. Të gjithë banorët e tjerë ishin larguar forcërisht nga qyteti. Durrësi ka pasur një histori më vete të luftës. Si rezultat i operacionit të koduar “Shëtitje në port”, banorët e tij u evakuuan, duke u detyruar të lënë qytetin më 23 Nëntor të vitit 1943, për t’u rikthyer vetëm në 14 nëntor të vitit 1944. Evakuimi ka përfshirë rreth 8 mijë persona që u detyruan të linin shtëpitë e tyre, për t’u strehuar në miq e të afërm në rrethinat e qytetit ose në qytete të tjera.

    MEMORIALET E ISH -PARTIZANIT RAMAZAN VOGLI

    Në kujtimet e tija autori përshkruan atmosferën kur po luftohej për çlirimin e Tiranës dhe kishte ditë e net që armët e artilerisë nuk pushonin. Ishte kohë e ftohtë dhe binte shi me dëborë në vendin, ku ndodhej Komanda në fshatin Memaj, pozicionuar aty  për të mbajtur nën kontroll rrugën Ndroq-Plepa, Ndroq- 4 Rrugët e Shijakut. Ai shkruan se rreth orës 02:00 të natës në vendkomandë ka shkuar një motoçikletë triçikël dhe personi që e drejtonte atë i është drejtuar banesës, ku qe vendosur Këshilli N.Çl i Qarkut, Komanda e Qarkut. “Njeriu që zbriti me të shpejtë nga triçikli ishte një person i yni, Hilmi Hoxha, i cili njoftoi shpejt me emocione për largimin e forcave gjermane nga Durrësi”. Më pas Vogli na sjell të plotë tablonë e hyrjes së tij me një person me emrin Bedi dhe me Hilmiun në qytet. “Nisemi drejt Durrësit. Heshtje e madhe. Vetëm zhurma dhe dritat e triçiklit e prishnin qetësinë e natës. Arritëm tek ura e Dajlanit. Shtyllat e postbllokut ishin hedhur nga e djathta, dukej që ndonjë mjet i rëndë t’i kishte hedhur ashtu gjysmë të thyera. Postë komanda i kishte dyer e dritare të hapura, brenda asgjë nuk ishte në vendin e vet. Tavolina dhe karriget e Komandantit gjerman ishin hedhur nëpër tokë në mënyrë të parregullt. Dhomat e fjetjes së ushtarëve paraqiteshin më keq gjë që tregonte rrëmujë të provokuar nga nxitimi e nervozizmi… U nisëm me të shpejtë për në qytet, arritëm në hyrje dhe morëm rrugën në lindje të qytetit. Kjo rrugë nuk kishte pasur ndryshime, ishte po ajo rrugë e ngushtë e pashtruar siç ishte në nëntorin e 1943-shit… Kaluam nga fusha e aviacionit, u kthyem, ndaluam tek furri i grekut, pas tij ishte kinema “Gloria”dhe u drejtuam me pamje nga ku sot është biblioteka e qytetit. Pasi vlerësuam gjendjen konkrete, nisa për në Ndroq Bedin me Hilmiun me porosi që forcat e Komandës së vendit të N. Prefekturës të niseshin sa më parë për në Durrës, të njoftohej Kavaja dhe Shijaku për gjendjen e krijuar dhe të hynin sa më parë në Kavajë dhe Shijak”.

    HYRJA E PARTIZANËVE NË DURRËS

    Rreth orës 04:30-05:00 forcat e Komandës së vendit  të N. Prefekturës së Durrësit arritën në hyrje të qytetit. Nga ecja e shpejtë ishin djersitur paçka se ishte ftohtë. Entuziazmi i tyre nuk përmbahej… Midis tyre kishte edhe durrsakë që ktheheshin pas një viti në qytetin e tyre. Kishte vetëm ushtri gjermane e ndonjë shqiptar që jetonte me leje speciale nga garnizoni gjerman… Në pasditen e 14 nëntorit rreth orës 16:00 hynë në Durrës edhe forcat e Brigadës së XII-të Sulmuese.

    Robërit gjermanë denoncojnë minimin

    Më 15 nëntor në mëngjes dy partizanë të komandës së vendit panë në dritaren e prapme të godinës, ku sot është biblioteka qytetit dy ushtarë gjermanë, mbasi e diskutuam atyre iu bë thirrje për dorëzim në gjermanisht. U dorëzuan menjëherë me gjithë armatimin që dispononin. Nga këta, dy djem rreth të 30- tave të mërzitur nga lufta, xhenier, (minator) mësuam se qyteti ishte i minuar. Në fabrika kishin vendosur mina, plasja e tyre do të bëhej menjëherë me ndezjen e motorëve dhe makinerive të tjera, në ndërtesa me kate, në kanalet e qytetit. Këta gjermanë u treguan shumë të dashur dhe të sjellshëm me ne. Na afruan ndihmën e tyre dhe punuan me ndërgjegje për çmontimin e minave, ndihmuan në heqjen e minave në plazhin e Durrësit deri sa dhanë dhe jetën e tyre gjatë çmontimit të tyre…

    Vogli, polemikë me historianët e kohës për çlirimin

    Kujtimet që dhamë i përkasin ish -partizanit Ramazan Vogli. Ai i ka shkruar ato në vitin 1989 me rastin e 45 -vjetorit të çlirimit. Një kapitull më vete të shënimeve të tija përbejnë polemika që ai ka bërë me disa studiues për datimin e qyteteve të Durrësit, Kavajës dhe Shijakut si dhe për faktin se kush e çliroi Durrësin. Në përfundimin e memorialëve rreth luftës të shkruara me një shkrim me stilograf, mjaft të qartë dhe të kujdesshëm, ai ka lënë edhe një shënim. Të cilin po e botojmë të plotë. “Shënim: Me rastin e 45-vjetorit të çlirimit qytetit të Durrësit m’u kërkua një shkrim. Shkrimin e bëra e dërgova tek personi i kërkuar, ky ja kaloi titullarit tij. Ky i fundit ja kaloi historianit  që nuk e dinte si u çlirua qyteti. Historiani e mbajti pa e dërguar për botim dhe për 8 muaj mora vesh se nuk ishte pëlqye për faktin se qyteti (që u çlirua pa luftë) na qenka çliruar nga Brigada e XI-të dhe e XII-të S. Dhe jo nga Komanda e Qarkut. Në fakt as ne që u futëm të parët as brigadat e XI-të e XII-të S nuk zbrazën ndonjë fishek mbi trupat e armiqve. Flitet që historia është kokë fortë, ashtu duhet të jetë, por ja që historinë e bëjnë njerëzit me vendime subjektive. P.sh. Kavaja, Durrësi, Shijaku u çliruan më 14 nëntor 1944, ndërsa kjo datë i mbeti Durrësit dhe Kavajës, ndërsa Shijaku 10 km larg Durrësit na qenka çliruar më 16 nëntor, kur forcat e Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit, u larguan përfundimisht nga Durrësi rreth orës 01:00 në të gdhirë të 14 nëntorit ne i shpëtuam zënies së rrugës së Shkodrës. Lind pyetja me çfarë u larguan forcat gjermane nga Shijaku për në Shkodër kur në Vorë ishin forcat e Brigadës së XV-të S?! Kështu që, gabimisht i mbeti dita e çlirimit Shijakut ashtu si dhe çlirimi i Durrësit nga Brigada e XI-të dhe XII-të S.