Durrës, shkelje skandaloze në Autoritetin Portual

    908
    Sigal

    Terminalet bëhen lëmsh për interesa korruptive. Shkojnë në Prokurori letrat për hetim

    Shkelet me të dyja këmbët master-plani i portit për interesa korruptive, teksa favorizohen privatët gjermanë të Terminalit Lindor në kurriz të portit shtetëror duke lënë pa punë terminalin perëndimor, të cilin e administron. Krerët e rinj të portit, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë shtetërore/publike i Autoritetit Portual Durrës (APD) sha Selim Belortaja (LSI) dhe një nga zëvendësit i tij, Artjan Qirici (PS), janë “peng” paraardhësve të tyre, të cilët, me sa duket, mund të kenë ndikuar në emërimet e tyre. Anija “BBC Colorado” e kompanisë gjermane “Bockstiegel Reederei”, me filial kompaninë tjetër gjermane “EMS Shipping and Trading GmbH”, koncesionar i terminalit lindor “EMS APO”, ishte planifikuar të shkarkonte 421 tonë makineri në kalatën 11, pra tek terminali lindor, i destinuar, në bazë të master-planit, për  minerale. Drejtori  APD Selami Belortaja ka deklaruar, ndër të tjera, para delegacionit  kinez, më 17 janar 2014 se: “Pritshmëritë tona nga koncesionet kanë qenë të larta, sepse kemi ndarë logjikën që kompanitë private do të operonin me eficencë. Fatkeqësisht ne shohim që kjo nuk ka ndodhur ashtu siç pritej dhe kjo ka ndodhur sepse ai proces është kompromentuar nga interesa dhe veprime të gabuara. Kjo ka bërë që ne sot të kemi pakënaqësi serioze në lidhje me profesionalizmin e operatorëve privatë, pakënaqësi serioze në lidhje me cilësinë e kontratave të koncesionit të realizuara, të cilat nuk vijnë nga kundërshtia jonë për privatizimin por sepse zgjidhjet konkrete janë bërë gabim… Terminali perëndimor është një zonë e zhvilluar tashmë pret t’i dorëzohet një operatori ekspert në fushën e ekonomisë portuale”. Terminali perëndimor, që  administrohet nga APD-ja, është e specializuar për mallra të përgjithshme, pra për makineritë e “BBC Colorado-s”.

    Pse lihet pa punë terminali shtetëror?

    Por pse lihet pa punë terminali perëndimor, duke i shtuar pafrytshmërinë (ineficiencën) ekonomike, dhe favorizohet privati i terminalit lindor, për më tepër që këtë koncesion e konsiderojnë me shkelje? Është detyrim ligjor në kuadër të transparencës që APD të japë  përgjigje më të detajuar. Kjo pasi APD në një sqarim mediatik ka deklaruar se: “Nuk është drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, ai që përcakton vend-përpunimet e anijeve në çdo rast konkret. Këtë e bëjnë hallkat e ngarkuara me shpërndarjen e trafikut dhe përpunimin brenda portit, bazuar në kërkesat e agjencive detare. Në rastin konkret agjencia detare i ka kërkuar Dispeçerisë përpunimin në terminalin EMS, dhe kjo e fundit në konsultim me eprorin e vet, ka vetëm një kriter për ta vendosur në planin paraprak “nëse këtë ngarkesë specifike e lejon apo jo profili i terminalit”. Pra, nëse agjencia preferon terminalin lindor dhe jo terminalin publik (perëndimor), për një ngarkesë “mallrash gjenerale”, APD nuk ka instrument juridik për ta  “devijuar” anijen atje ku ajo ka më shumë interes, te terminali perëndimor”. Kjo sepse Autoriteti Portual, pavarësisht mendimit dhe vlerësimit që ka drejtori për mirëfunksionimin apo eficencën e konçesionarëve privatë, është i shtrënguar të respektojë rregullat kontraktuese dhe ato të konkurrencës. Ai nuk mund të abuzojë me autoritetin e  tij administrativ për t’i hequr punën normale një operatori dhe për t’ia kaluar një tjetri. Nga konsultimet e brendshme rezulton se, kjo do të përbënte një rast juridik të pakëndshëm dhe në disfavor të administratës publike. Sepse përpunimi i mallrave gjenerale është një e drejtë, që kontrata e koncesionit ia njeh edhe  operatorit EMS. Pra terminali perëndimor (publik) nuk ka ekskluzivitet mbi  këtë lloj përpunimi. Ndërkohë që terminali lindor e ka të përfshirë në kontratë edhe përpunimin e mallrave të përgjithshme. Prandaj dhe referenca e vetme për Dispeçerinë (për ta përfshirë apo jo në planin paraprak) në këtë rast mbetet kërkesa e agjentit detar dhe e operatorit EMS. Megjithatë, duke mbetur ende në fazën e planit paraprak të dispeçerisë, deri në ditën e përpunimit të anijes mund të ketë zhvillime të tjera, të cilat mund t’i japin hapësirë APD-së, që të vendosë ndryshe. Një  hapësirë e tillë mund të jetë kërkesa e ndryshuar e agjentit detar dhe kompanisë stivadore, ku ata të shprehen për preferencë të terminalit perëndimor. Sa i përket qëndrimit të APD-së ndaj kontratave koncesionare që ka lidhur Ministria e Transporteve me operatorët privatë, ai mbetet i pandryshuar, por nuk ka asnjë efekt juridik sa kohë që kontratat nuk anulohen nga ato instanca që i kanë lidhur. Së pari, kontrata e ministrisë nuk mund të prevalojë mbi master-planin e miratuar me vendim qeverie, dhe fare mirë Drejtoria e Përgjithshme Ekzekutive mund të kërkonte në ministri shfuqizimin e kësaj pike të kontratës për mallrat gjenerale dhe jo të shfajësohet.

    Shteti ‘bekon’ terminalin privat

    APD-ja deklaron se: “përsa i përket qëndrimit tonë ndaj kontratave koncesionare që ka lidhur Ministria e Transporteve me operatorët privatë, ai mbetet i pandryshuar, por nuk ka asnjë efekt juridik sa kohë që kontratat nuk anulohen nga ato instanca që i kanë lidhur”. Së dyti, “rregullat e konkurrencës” këtu shkelen, pasi teminalit lindor i jepet ekskluziviteti edhe për mallrat e përgjithshme, edhe për kontejnerët, duke e shndërruar në një terminal universal me bekimin e shtetit dhe drejtuesve të portit. Së treti, nga njëra anë thuhet se “nuk është drejtori i Përgjithshëm  Ekzekutiv i APD, ai që përcakton vend-përpunimet e anijeve në çdo rast konkret. Këtë e bëjnë hallkat e ngarkuara me shpërndarjen e trafikut dhe përpunimin brenda portit, bazuar në kërkesat e agjencive detare”. Nga ana tjetër thuhet se “megjithatë, jemi ende në fazën e planit paraprak të dispeçerisë. Deri në ditën e përpunimit të anijes mund të ketë zhvillime të tjera, të cilat mund t’i japin hapësirë APD-së, që të vendosë ndryshe. Një hapësirë e tillë mund të jetë p.sh. kërkesa e ndryshuar e agjentit detar dhe kompanisë stivadore, ku ata të shprehen për preferencë të Terminalit Perëndimor”. Por konstatohet se shtegu i hapur për të vendosur ndryshe, nuk do të respektohet se edhe në raportin ditor të anijeve, “BBC Collorado” i ishte është planifikuar në terminalin lindor, kalata 10, vetëm data e mbërritjes ndryshon, nga 24 janar në 1 shkurt 2014. Duke mos dashur të spekulojmë se me këtë qëndrim, që dëshmon përulësi para kinezëve, zoti  Belortaja tregon se e ka të trashëguar nga koha kur ishte ministër i PD-së dhe më pas aderoi në LSI. Por nuk kuptohet se si Belortaja pranoi një post të ulët, duke qenë një ekspert i shkëlqyer ekonomie. Ka zëra që thonë se, erdhi për t’u pasuruar në industrinë detare apo është një “mashë” në duar klanesh biznesi. Nuk duam të spekulojmë kur shohim se Belortaja i kundërvihet njërit  prej figurave qendrore të LSI-së, sikurse është deputeti dhe ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili ka deklaruar pikërisht në Kuvend se siç thonë durrsakët, “na e rrëmbyen gjermanët kalatën  lindore” [EMS Shipping and Trading GMBH].

    Kur porti administrohej nga shteti…

    Punonin mijëra durrsakë dhe, kur për të ngarkuar apo  shkarkuar një ton, kushtonte vetëm 5,800 lekë të vjetër. Porti merrte 70 për qind  të kësaj shume, pra 4,060 lekë dhe agjencitë që kishin të punësuar mijëra punëtorë, merrnin 1,740 lekë për ton, pra në total porti merrte 3,5 milionë tonë të barabarta me 14 miliardë lekë, kurse agjencitë 9,1 miliardë lekë. Po pse duhet t’ua jepte Eduard Ndreu, ish-drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv gjermanëve koncesionin? Gjermani hoqi  qindra durrsakë nga puna dhe çmimin e ngriti nga 5,800 lekë në 7,000 lekë për ton dhe, në shenjë “mirënjohjeje”, porti merrte vetëm 11 për qind, pra vetëm 770 lekë të vjetër, ose 3 milionë e 500 mijë tonë për 770 lekë barabartë me 2 milionë e 695 mijë euro, nga 14 miliardë, sot porti merr më pak se 3 miliardë. Po ashtu nuk duam të spekulojmë pse ish-kreu i PS-së në Greqi, biznesmen në transportin detar në Pire, 23 vjet emigrant, inxh. Artjan Qirici, i projektuar fillimisht në krye të portit të Durrësit, ka pranuar të jetë numri 2, nën “komandën” e Selim Belortasë të LSI-së. Për  meritat e jashtëzakonshme në shërbim të PS-së, duke sjellë me mijëra emigrantë për votime, si  ekspert në inxhinierinë ushtarake, në inxhinierinë detare inxhinier Qirici mund të ishte emëruar edhe zëvendësministër Transporti, Mbrojtje, apo në Kryeministri. Kompania gjermane që ka  koncesionin në terminalin lindor, reklamon në sajtin e saj se: “EMS Albanian Port Operator Shpk operon në terminalin lindor të portit të Durrësit që nga korriku i vitit 2013. Terminali përdoret kryesisht për ngarkim-shkarkime dhe depozitim mallrash, si minerale, xeherore, qymyr, klinker, skrap, çimento dhe vaj ushqimor. Terminali aktualisht ka dy kalata dhe një zonë magazinimi prej rreth 200,000 metra katrorë. Është planifikuar të ndërtohet një kalatë e tretë me magazinim shtesë. EMS APO është anëtar i EMS-Fehn-Group. EMS APO është degë e EMS Shipping & Trading GmbH, kompani gjermane logjistike. Terminali Lindor ofron akses të shkëlqyer si nga toka dhe nga deti. Terminali ofron zonë stokimi me sipërfaqe të përgjithshme 200 000 metra katrorë (planifikohet zonë shtesë depozitimi), thellësi uji 8.2 metra (pas thellimit 11.5 m); dy kalata me gjatësi të përgjithshme prej 430 ml (planifikohet kalata e tretë), 3 vinça hekurudhorë-portalë 15 tonësh, 2 vinça hekurudhorë-portalë 27,5 tonësh, riç stejker (reach staker), trajlerë për ngarkesa të rënda, vinça pirun, akses të drejtpërdrejtë në rrjetin rrugor shqiptar dhe hekurudhor” (shih fotot e bëra nga vet kompania). Territori aktual i terminalit lindor të Portit të Durrësit iu dorëzua më 15 korrik 2013 shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk., në zbatim të kontratës që ka lidhur kjo kompani me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, njofton zëdhënësja e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD). Ndërkaq APD-ja është kujdesur të sqarojë se “kontrata e koncesionit e datës 6 maj 2013 “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” është lidhur ndërmjet MPPT dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”, sipas procedurës së koncesionit të ndjekur nga kjo ministri në rolin e autoritetit kontraktues, dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 493 datë 1 gusht 2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontrakues, “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit”.

    APDurrës nuk do të ofrojë më shërbimet ngarkim-shkarkim

    Autoriteti Portual Durrës që nga 15 korriku 2013 nuk do të jetë më operator në ofrimin e shërbimeve të ngarkim-shkarkimit, pasi të gjitha burimet e terminalit (burimet njerëzore, infrastrukturë dhe superstrukturë) do të transferohen për shoqërinë koncesionare EMS- APO shpk., e cila në vijim ka të drejtë t’i menaxhojë ato dhe të lidhë kontrata shërbimi, sipas kushteve të kontratës koncesionare dhe tarifave të publikuara nga APD. Zona e koncesionit është territori aktual i terminalit lindor të Portit te Durrësit, do të  trajtohet sipas perspektivës së zhvillimit të projektit koncesionar. Shoqëria koncesionare, sipas kushteve të kontratës do të paguajë për MPPT pagesën prej 2 për qind të xhiros vjetore. Po ashtu ajo do të paguajë për Autoritetin  Portual  pagesën në masën 11 për qind të të gjitha tarifave të aplikuara, si dhe pagesën e tarifës së qerasë në masën 544 lekë metri katror për zonën koncesionare. Kjo është vetëm maja e Ajsbergut  në historinë e koncesioneve të APD-së, të cilat duhet të jenë objekt hetimi nga Prokuroria, ndryshe natyrshëm mendohet fakti se ky organ është i kompromentuar.

     Behar HOXHA