Durrës, ja kush i shkatërroi strukturat mbrojtëse në Kodër Vilë dhe Currila

558
Sigal

Flet për “Telegraf”, Haxhi Bici, shef i sektorit të Policisë Pyjore në Qarkun e Durrësit: “Kemi gjobitur 17 banesa”

Njëra korsi e rrugës së Currilave ka prej disa ditësh e bllokuar nga rrëshqitjet. Pjesa e pjerrët e kodrës tashmë u ka shkuar në afërsi të themeleve të disa banesave. Në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor të Qarkut të Durrësit tregojnë se rrëshqitjet e vazhdueshme të këtyre ditëve e kanë rënduar së tepërmi situatën në Kodër Vilë dhe Currila. Kjo ndodh sipas specialisteve, sepse janë shkatërruar tërësisht duke filluar që nga viti 1997 strukturat mbrojtëse që ka pasur zona më parë. Këtu kanë ndikuar ndërtimet e ndryshme që janë lejuar të bëhen në rrëzë të kodrinës për lokale si dhe në zonat e sipërme të saja, që janë zona të pastabilizuara. Sipas Haxhi Bicit, Shef i Sektorit të Policisë Pyjore në këtë drejtori, janë gjobitur për ndërtimet në këtë zonë nga policia pyjore rreth 17 banesa si dhe janë dërguar listat e banesave pa leje që nuk duheshin lejuar për t’u ndërtuar në një zonë të pastabilizuar. Bici shpreh shqetësim mbi situatën mjaft të rrezikuar të banesave në zona të ndryshme të rrëshqitjeve dhe thotë se ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme. “Janë 6 banesa,- thotë ai -në pjesën e poshtme të Currilave dhe pjesa tjetër në lartësi të Kodrave të Currilave që ndodhen në rrezik. Për këtë janë bërë edhe gjobitje, por kjo nuk e ka zgjidhur situatën”.

Kërkesa

Për problemet e mësipërme në zonën e Currilave, Drejtoria e Shërbimit Pyjor u ka drejtuar edhe një shkresë zyrtare autoriteteve qendrore dhe lokale të Qarkut të Durrësit me anë të së cilës kërkon rrugëzgjidhje të problemeve të akumuluara prej vitesh. Ai thotë se, është dërguar edhe një shkresë në adresë të Bashkisë,  Prefekturës dhe Kryesisë së Qarkut me anë të së cilës kërkohen masa të menjëhershme për minimizimin e dëmeve që vijnë nga rrëshqitjet e vazhdueshme në Kodër Currila. Në shkresë është theksuar se: “Fatkeqësisht, këtë dimër, rrëshqitjet në objektin e Kodër Currilave po bëhen me përmasa të mëdha dhe me pasoja për të ardhmen. Për t’i paraprirë këtij fenomeni, nuk duhet lejuar hapja e themeleve për ndërtime të ndryshme pa lejë, të cilat fatkeqësisht ekzistojnë. Letra nënvizon edhe faktin se, për këto ndërtime pa lejë Drejtoria e Shërbimit Pyjor ka gjobitur 17 banesa, të cilat janë ndërtime të përfshira në listën e ndërtimeve pa lejë që i janë dërguar Inspektoratit të Ndërtimit për prishje, por nuk është ndërhyrë. Pyjoret kërkojnë në këtë letër heqjen dhe evakuimin e banorëve që banojnë dhe shërbejnë në këto ndërtime pa lejë, kryesisht në këtë periudhe shirash. Ndërkohë që kërkohet të ndërhyhet për të bërë ndërtime mbrojtëse në vendet, ku ato janë të dëmtuara.

PYJORJA: 25 HA SIPËRFAQE I PËRKET BASHKISË, POR AJO SE KA MARRË NË DORËZIM

Ndërkohë, në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor mësohet një territor prej rreth 25 ha ndodhet akoma nën administrimin e kësaj drejtorie, megjithëse sipërfaqja është populluar me banesa dhe ndodhet brenda vijës së verdhe të qytetit të Durrësit. Kjo zonë nuk është marrë nën administrimin e Bashkisë siç duhej të ishte vepruar sipas kritereve të përcaktuara zyrtarisht. Ndërkohë që, rrëshqitjet vazhdojnë dhe shumë banesa ndodhen në prag të rrëshqitjeve.