Durrës: Gjermeni dhe Dako inspektojnë zonën e ish-Kënetës

    456
    15 mijë banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës për vite të tëra kanë vuajtur pasojat e motit të keq. Gjatë vitit 2015, kjo zonë krahas legalizimit të banesave (11 mijë të tilla në të gjithë qytetin në një vit) iu nënshtrua edhe procesit të urbanizimit. Ndërtimi dhe rikosntruksioni i 10 rrugëve me një vlerë prej 245,277,628 lekësh, financim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve krijoi një infrastrukturë urbane brenda standardeve. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako inspektuan këto akse rrugore. Ministrja Gjermeni tha se nëpërmjet urbanizimit të zonave të tilla parandalohet dhe evitohen edhe përmbytje në zonat që dikur jetonin për ditë të tëra nën ujë.

    “Legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale janë dy procese që do të ecin paralelisht edhe në vitin që sapo ka nisur. Ndërhyrje të tilla të planifikuara në infrastrukturë dhe kanalizime parandalojnë përmbytjet, sidomos po ta krahasojmë situatën me disa vite më parë”, deklaroi ministrja Gjermeni. Kryebashkiaku Dako lajmëroi se krahas rrugëve në zonë po përfundon edhe ndërtimi i një kopshti për të vijuar gjatë vitit 2016 me projektet e urbanizimit të të tjerave zonave informale në bashkinë e Durrës.

    Janë të paktën 20 projekte të cilat janë zbatuar nga bashkia e Durrësit që prej tetorit të vitit 2013 të mbështetura nga FSHR dhe MZHU. Pjesë e projekteve janëe edhe rikonstruksioni I fasadave të godinave në rrugët kryesore të qytetit. Ministrja Gjermeni bëri me dije gjatë takimit me kryebashkiakun Dako dhe stafin e tij se javën e ardhshme bashkia e Durrësit e bashkë me të edhe 25 njësitë e tjera vendore do të nënshkruajnë kontratat me studio vendase e të huaja për hartimin e planeve të përgjithshme vendore. “Këto plane do t’i japin një hov të ri zhvillimit urban të qyteteve”, tha Ministrja.
    Sigal