Duro Mustafai/ Në shtëpinë e shkencëtarit të madh, Akademikut Shaban Demiraj

    449
    Sigal

    “Me Xhemil Selam Limajt nuk ishim vetëm nxënës të Medresesë së Tiranës, por edhe vëllezër”

     (Sipas një bisede me Idajet Çaçajn )

    Akademiku Shaban Demiraj, mbushi 93 vjeç. Edhe më pak se 7 vite i duhen , që të plotësojë shekullin e jetës së tij. Megjithatë, ai mbahet mirë. Dhe po të përmendim fjalët e një vlonjati, do të thoshim: “Profesor Shabani, ky burrë i shquar e mendjendritur, është si ata lisat e Labërisë, që edhe në stuhi, nuk e ulin kokën e nuk e kërrusin trupin”. E kam pasur profesor të gjuhës shqipe këtë shkencëtar, e njeri të madh. Jam takuar me të, e kemi biseduar, disa herë në shtëpinë e tij. Dhe, ka mbetur për ne, ai që patëm njohur në auditorë e jashtë  tyre: I thjeshtë e fjalë pak, i ditur dhe i dashur. Ai është profesori që, edhe tani dhuron dije e dashuri, e në çdo moshë, të bën të ndihesh para tij, si një nxënës i përjetshëm.

    Këto ditë, profesori pati mysafirë, të rrallë. Ata jetojnë në Paris, po sa herë që vijnë në Tiranë, të parin takim do ta bëjnë me profesor Shabanin, në shtëpinë e tij. Janë fëmijët e një shokut të tij, ish bashkënxënës në Medresenë e Tiranës, Xhemil Selam Limajt, që ka afro 40 vjet, që është ndarë nga jeta, por profesori është shumë i ndjeshëm edhe ndaj fëmijëve të shokëve, që s‘jetojnë. Për këto takime, profesor Shabani, pa i fshehur emocionet thotë: “Ai djali nga Vranishti i Vlorës, ishte miku e vëllai im më i mirë, dhe takimi me fëmijët e tij, më bëjnë të ndihem sikur, takohem edhe me Xhemilin e paharruar”. Për këto takime flet edhe dhëndri i Xhemil Selamit, Idajet Çaça, me të cilin biseduam. E ja ç’na tha ai:.

    “Ata ishin njohur, që në fillim të viteve ’30-të, të shekullit të kaluar, kur Xhemil Selami nga Vranishti, dhe Shaban Demiraj, nga qyteti i Vlorës, do të gjendeshin bashkë si nxënës të Medresesë së Tiranës dhe ishin bërë miq.

    “E kam dashur shumë Xhemilin,se ishte njeri për ta dashur: Gjithnjë i thjeshtë e fjalë pak, dinte si të sillej e kudo i bënte vend vetes. E pata shok, po ne duheshim si vëllezër. Sa here që shikoj fotografitë e shkollës, ku kemi dalë pranë njëri-tjetrit, më duket sikur e kam këtu, përpara meje, e s’më besohet që nuk jeton”, na tha i mallëngjyer, Shaban Demiraj. Akademiku e profesori i nderuar i shumë brezave të studentëve, ndërmjet tyre edhe Gëzimen, vajzën e shokut të tij. Profesori do të na thoshte edhe se, nuk ishte vetëm gjaku i përbashkët lab, që i kish bashkuar të dy të rinjtë, por edhe ndjenjat e përbashkëta të atdhedashurisë dhe ajo dëshira rinore për t’u bërë dikush në jetë. “Ishin vite të vështira, kujton profesori, por miqësia ime me Xhemilin, na i bënte ditët më të bukura…”

    Në shtëpinë e profesor Shabanit, në Tiranë, unë pata rastin që, për herë të parë, të takohesha me të, në një bisedë të shumëpritur, emocionuese dhe të veçantën në jetën time. Në qendër të saj ishte figura e njeriut të adhuruar për mua dhe familjen time. Dhe për këtë gjithkush mund të shkruante shumë, por unë do të mjaftohem vetëm në disa momente:

    I –Fëmijët e mikut, në shtëpinë e profesorit…  

    Në një nga takimet, përpara se të ndahej nga jeta, Xhemil Selami i kish thënë profesor Shabanit se, kishte katër fëmijë e se me ta ndjehej i lumtur. Të dy miqtë kujtuan atë ditë vitet e rinisë në Medresenë e Tiranës e folën gjatë edhe për familjet e tyre. Por, jeta për Xhemilin kish qenë e shkurtër. Ai jetoi vetëm 52 vjet. E profesorit i mbetej te takohej vetëm me Beqir Isufin, që ishte nga Bratajt dhe i vetmi shok vlonjat i Medresesë që jetonte, se edhe Demir Majkua, nga Drashovica, prej kohësh ish ndarë nga jeta, ndërsa tjetri, Qemal Gorishova, (Dëshmor i Atdheut), ish vrarë në luftën kundër fashistëve, e një shkollë e qytetit të Vlorës kish marrë emrin e tij.

    Profesor Shabani, një njeri i kulturuar dhe i ndjeshëm në dashurinë ndaj shokëve, i kujtonte të gjithë, por një ndjenjë e thellë njerëzore nuk e linte të qetë, ishte dëshira për ta kujtuar nga afër mikun e tij, Xhemilin, edhe nëpërmjet fëmijëve të tij. Për këtë kish dhënë një premtim, të takohej me ta.

    I kujtohej shpesh ajo biseda me Xhemilin, kur ai i pat thënë se kishte katër fëmijë. Po ku t’i gjente ata për t’i takuar e çmallur? Kish dëgjuar se ishin të shpërndarë e kjo do të ndodhte, sidomos pas viteve ‘90-të. Tre nga të katër fëmijët e Xhemilit, që kishin krijuar familjet e tyre, jetonin, larg Shqipërisë. Gëzimja dhe Pirua ndodheshin në Francë, ndërsa Lumja në SHBA. Kish mbetur në Shqipëri vetëm Vladimiri, një sportist i zoti e trajner i njohur i  ekipit kombëtar të gjimnastikës artistike e “Mjeshtër i Sportit”. Por edhe atë, profesori nuk e dinte që ish djali i mikut të tij. Gëzimen e kish pasur studente, po ajo, me thjeshtësinë e urtësinë e të atit, nuk i kish dhënë të njohur. Tani ajo thotë se: “Më vinte rëndë, t’i prezantohesha profesorit tim, që dallohej aq shumë për drejtësi e korrektësi, me fjalët: “Unë jam…” Kisha frikë se mos ai mendonte, se po i kërkoja të më privilegjonte. E kjo ishte kundër natyrës së tij, prandaj…”  Kështu, koha kalonte, por një ditë do të merrej vesh edhe dëshira e profesorit. Dhe e para që e mësoi këtë ishte Gëzimja, vajza më e madhe. Tani do të ishte ajo që kërkonte ku e kish shtëpinë profesori, dhe nuk e mbante vendi gjersa të takohej me të…

    Unë që po shkruaj këto radhë, jam bashkëshorti i Gëzimes, Xhemilin e kam pasur vjehërr, po e kujtoj gjithnjë, si babanë tim të mirë. Ishte ai, që pas martesës me bijën e tij, mua kavajasin,më tregoi ku binte Vranishti dhe cila ishte historia e këtij fshati të bukur e të lashtë në Labëri. Ai na çonte shpesh ta vizitonim vendlindjen e tij që e adhuronte. Por, edhe ai kishte një mik, që e adhuronte. Ky ishte edhe shkaku, që në një ditë gushti, ne u nisëm posaçërisht nga Parisi, ku jetojmë, për tu takuar me Akademikun Shaban Demiraj. Dëshira e tij, për të na takuar, ishte bërë edhe ëndrra e dëshira jonë. Dhe patëm një takim të paharruar, të mbushur me emocione të fuqishme e ngashëruese…

     II. Fotografitë, që na ngjallin kujtime…

    Në shtëpinë e profesorit, në Tiranë, ishin dy fëmijët e Xhemilit, Gezimja e Vladimiri dhe unë, dy të tjerët, Pirua me Lumen nuk patën mundësi të vinin, njëri nga Franca dhe tjetri nga Amerika. Por jam i sigurtë se edhe ata një ditë të afërt, do trokasin në derën e shtëpisë së profesorit. Takimi ynë me të, ishte një ngjarje që s’kemi për ta harruar. Sapo na pa, atij nisi t’i shkëlqente fytyra me atë buzëqeshjen e ngrohtë prindërore. E ne, na u duk se nuk ishim gjendur rastësisht diku, tek disa “njerëz të panjohur”, por kishim ardhur në familje, midis prindërve tanë. Se, do të na priste buzëqeshur e krahëhapur edhe bashkëshortja e profesorit, një grua e ëmbël, e fisnike. Kjo ndodhi që me prezantimin tonë….

    Unë nuk kam parë në jetën time, një burrë 90 vjeçar, që sapo të sheh në sy, të hedh prapa krahëve  plogështinë e viteve të rënduara të moshës. Ai u gjallërua menjëherë. Na ftoi t’i qëndronim sa më pranë në kolltukun ku rrinte, e me sytë e përlotur do të thoshte: “Ju jeni fëmijët e Xhemilit, mikut tim.?”….“E kam kërkuar këtë ditë“…Se..,“Ne nuk ishim vetëm miq, por edhe vëllezër…”

    ..E biseda do të vazhdonte me fjalët e tij, që ne e regjistronim në mëndje dhe i rrënjosnim në  zëmër:

    “Më duhet tu them juve, bijve të mi, se aso kohe Medreseja ishte një shkollë me emër të madh në Shqipëri, dhe profesorët tanë ishin të gjithë me universitete të huaja, kështu që veten e ndjenim me fat, që mësonim këtu”, theksoi Akademiku.

    Xhemili, qëndroi në shkollë 4 vjet, nga 7 vjet, që ishte përfundimi i saj. Ai, për nevoja ekonomike u shkëput në vitin 1937. Gjeti punë si mësues, në fillim në Leskovik e më vonë në Kuçovë e në Lumin e Vlorës… Ndërsa, shoku i tij, Shabani, do të vazhdonte studimet. Pas Medresesë përfundoi gjimnazin klasik e studimet e larta, punoi si pedagog i shkollave të larta, që me krijimin e tyre në Shqipëri, duke iu vënë shkencës gjuhësore, ai do bëhej edhe një nga shkencëtarët e njohur, brenda e jashtë Shqipërisë, që gëzon famë në ditët tona…

    Megjithatë, të dy nxënësit e Medresesë, edhe pse ndoqëm rrugë të ndryshme në jetë, mbetëm ata që kishim qenë, vëllezër e shokë edhe të një ideali…”

    Shtëpia e Shaban Demirajt në Vlorë, do bëhej bazë e Luftës Antifashiste e do t’i jepte Atdheut edhe dy dëshmorë. Ishin vëllezër të profesorit, Aliu me Shyqyrinë. Po edhe shtëpia e Xhemil Selamit, (Limajt), në Vranisht, do të përfshihej në luftë, kundër pushtuesit fashist. Dhe Xhemili ndoqi me besnikëri deri në fund këtë rrugë.. Pas çlirimit ai punoi në sektor të ndryshëm, përfshi këtu edhe punën në përfaqësitë tona diplomatike, në Egjipt e në Turqi, fal edhe gjuhës që mësoi në Medresenë e Tiranës. Po ai më vonë do të mësonte edhe latinisht, anglisht, e arabisht.

    I kujton këto vite profesor Shabani e na thotë: “Ndarjen e tij nga jeta, në një moshë të re, e kam përjetuar me dëshpërim të madh. Dhe shpesh kam jetuar me kujtimet e bukura për të, e që nuk i harroj kurrë…”

    Në shtëpinë e një shkencëtari të njohur, të mbushur me librat e një biblioteke të madhe, që na dukej se hidhte dritën e diturisë, edhe mbi fytyrat tona, ai takim me profesorin, mikun e njeriut tonë të dashur, do të kujtohet gjatë. E, s’kemi për ta harruar edhe atë albumin e fotografive mbi tavolinë, ku shikonim për herë të parë, pranë njëri -tjetrit, të dy miqtë: Shaban Demirajn dhe Xhemil Selamin. Dhe pranë albumit me fotografi të kohëve të largëta edhe një libër i ri i profesorit me titull: “Prejardhja e shqiptarëve sipas dëshmive të gjuhës shqipe”, botuar kohët e fundit në Vjenë. Na mbetën sytë tek ai libër. Profesori, që kuptoi kureshtjen tonë, i dhuroi secilit nga një kopjo. Ishte një kujtim i bukur për mua të udhëtoja drejt shtëpisë, në Paris, me librin e Akademikut për identitetin tonë si shqiptarë…