Duro MUSTAFAI/  Masakra naziste e dimrit, brenda një fshati 61 të vrarë 

882
Sigal

7O  VJET MË PARË

 Të përbuzësh gjakun e të rënëve, ke përbuzur lirinë dhe njollosur Shqipërinë

Ngjarja, që ka ndodhur në një fshat të Labërisë, 7O vjet më parë, kur pritej Çlirimi i shpejtë i Shqipërisë, ndoshta është e pa njohur e plotë për të gjithë… Ajo ka të bëjë me masakrën naziste në Vranisht të Vlorës në dimrin e vitit 1943-1944. Nazistët gjermanë vranë atëherë 61 burra, gra e fëmijë të pa fajshëm, dogjën fshatin,grabitën e shkatërruan pasurinë e popullit. Kjo ngjarje tragjike, që të kujtonte “Borovën martire”, të pak muajve  para saj , do ta përmendte Vranishtin si një “Borovë të dytë”, dhe  një tjetër “Fshat martir” e do ti shtonte edhe një faqe tragjike historisë, të atij fshati hallemadh, por paqësor që nuk i donte luftërat. Por kur ato iu imponuan,ashtu si kudo në Shqipëri, diti ti përballoi me trimëri,duke u bërë një nga fshatrat e njohur në Labëri, si fshati i luftëtarëve për liri e pavarësi. Këtë  e kishin  provuar armiqtë në luftën e Janinës, në luftën e Vlorës dhe atë antifashiste. Fshati që më 19O8, priti Ismail Qemalin, se  kërkonte mbështetjen e luftëtarëve për liri, e këtë ai  do ta gjente tek ajo Çeta patriotike e trimave të Kapedan Sali Vranishti me shokë. Të atyre, që gjatë gjithë historisë, nuk e kursyen gjakun për lirinë. E për këtë si një testament për brezat,  do të shkruheshin edhe  fjalët …” Ti gjak e dashuri ke derdhur bujarisht,

 I ashpëri, fisniku Vranisht….

Vranishti

  Se, lufta shoqërohet me sakrifica dhe liria fitohet me gjak. Kështu ndodhi gjatë atij operacionit të egër armik, në atë  dimrin e ashpër kur në befasi nazistët rrethuan e masakruan banorët dhe dogjën fshatin. Dhe ngjarja do të hynte në faqet e një libri shkruar nga Dr. Mikado Shakohoxhaj, sot kolonel në lirim. Autori i librit, në ato ditët e masakrës, ishte vetëm 5-6 muajsh dhe rastësia e bëri ti mbijetonte gjëmës. Por ngjarja tragjike që kish lënë gjurmë në shpirtin e tij të njomë, do ta shoqëronte gjithë jetën. Se pranë tij 6 njerëz nga  tre breza të trungut familjar Shakohoxhaj do të kositeshin në hyrje të fshatit e rrugëve të tij, nga breshëritë e plumbave nazistë. Dhe Mikadua i vogël do të mbetej  pa mbështetjen e përkëdhelitë e  njerëzve më të dashur në jetë pa gjyshin e tij ( Ismailin ), pa babanë, ( Qerimin ), pa vëllanë, (Xhevdetin ), pa xhaxhanë ( Hyson ), pa dajën (Azbiun).. Por në ato ditë tmerri, pothuajse në çdo shtëpi pati të vrarë, madje disa familje, si Bitrajt, Bashojt, Ramadanajt, Demojt, Shytajt, Dukajt, Tartarajt, Premtajt e tjerë, patën nga 2-3-e më shumë të vrarë për çdo derë… Një fshat i vogël i Labërisë prej afro 1OOO banorësh, veç gjakut të afro 52 partizanëve të vrarë me armë në dorë në luftën antifashiste, (brenda e jashtë Shqipërisë), i kish dhënë lirisë edhe 61 të tjerë, masakruar brenda fshatit dhe numri i dëshmorëve e martirëve do të rritej në më shumë se 1OO, ose në çdo dhjetë veta, një njeri  i vrarë. A mund të fshihet, mohohet, përbuzet  e tradhtohet ky gjak i derdhur në themelet e lirisë? Ja pse thirrja kujtesës me fjalët, “Mos harroni“, mbetet aktuale. Aktuale, se veç të tjerash,  se një spiun u tregoi rrugën nazistëve. Unë nuk e di në se ai ishte ballist, a dikush tjetër, siç është thënë, po atdhetar nuk mund të ishte, se ai e tradhtoi  atdheun dhe njerëzit e tij. Dhe, askush nuk mund ta mohojë se në çdo luftë për liri e dinjitet kombëtar, siç ka atdhetarë, ka edhe tradhtarë. Fyese e përbuzëse mbeten përpjekjet e disa politikanëve, që tradhtarët të  shpallen dëshmorë, heronj  e “martirë të demokracisë”. Historia e shkruar me gjak, nuk duhet fshirë, se nuk mund të fshihen ngjarjet që përbëjnë historinë. Dhe faktet flasin vetë.

Kur  digjeshin në flakë njerëzit e pafajshëm

Është thënë se sebepi i masakrës ishte nga që, javë më parë, disa partizanë i kishin pritur  me pushkë e kishin vrarë disa pjesëtarë të një pararoje naziste që do të vriste e plaçkiste fshatin… Dhe nazistët, paskëshin “të drejtën” të  hakmerreshin. Mirëpo, çdo njeri me logjik të shëndosh, në çdo vend të botës, në raste të tilla, ka të drejtën të pyesin, të hakmerresh ndaj kujt? Ndaj njerëzve të pa armatosur,që nuk janë përfshirë në ngjarje ? Ndaj pleqve, grave e fëmijëve, të mbyllur brenda shtëpive e brenda fshatit?? Kjo është kriminale dhe e dënueshme, se nuk luftohet kundër armikut të armatosur, por kundër atyre që as nuk kanë vrarë, e as kanë bërë ndonjë faj dhe pyetjet mund të ishin të shumta.. Ç’do të ndodhte atëherë e në ditët tona, në se partizanët e armatosur do të hynin në një fshat të Gjermanisë? Ata do të priteshin  me lule, apo me plumba?  Pa dyshim që do ndodhte kjo e dyta… Por kundërpërgjigja nuk duhet të ishte ajo që ndodhi në Vranisht..Le të përmendim disa fakte domethënëse…  Hoxha i Fshatit Rexhep Çino, u ndodh në rrugë, pranë shtëpisë së mikut tij, Dalan Kaçit, ndërsa gjermanët do ti vinin flakën shtëpisë  Dalanit e të dy do ti qëllonin me automatik. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, të dy fshatarët e pa armatosur e   të plagosur ,  do ti hidhnin në mes flakëve të shtëpisë, duke i djegur të gjallë. Dikush, edhe atëherë ka pyetur, edhe tani i çuditur pyet..”Po me hoxhën e fshatit ,  ç’ patën? Ai nuk ishte as partizan dhe as komunist. Nazistët, dhe ndokush që i shoqëronte nuk e panë që ai ishte veshur me rrobat fetare, që e dallonin nga të tjerët ? Dhe,.nuk e dinin që ai ish njeriu i Perëndisë ? Apo edhe Perëndia paqësore, në sytë e kriminelëve, ishte armikja  e tyre , që duhej vrarë?… Isha vetëm 1O vjeç, kur ndodhi gjëma. Në  oborrin e shtëpisë sonë në Vlorë, përherë të parë në jetën time vështroja babanë duke qarë e duke i rënë me grushte kokës. Kish marrë vesh se në këtë fshat, që ishte vendlindja e tij, gjermanët i kishin vrarë tre nga nipërit e tij,  (Ahmetin dhe Jonuzin….) i vranë  duke dalë nga shtëpia, që ti shpëtonin rrethimit, dhe i treti, Imeri u kap i gjallë e mbyllën në xhami e u pushkatua me 3O të tjerë në fshatin fqinj, Brataj, ku edhe sot ka një lapidar  me emrat e tyre. Të tre nipërit ishin të martuar në një moshë të re, dhe të tre lanë prapa nuset e tyre të reja me fëmijët jetim. Po asnjëri nuk kish qenë komunistë, por bujq e blegtorë, në punët dhe hallet e tyre, ashtu si shumica e fshatarëve të tjerë që u  vranë,. Asnjeri nuk ish i armatosur, që të bënte rezistencë . Kjo do të ndodhte edhe me të tjerë,  madje në mënyrë të kobshme. Kam takuar në Vlorë një grua të qetë e fisnike. Ajo tani ka moshën e ngjarjes tragjike në Vranisht, është 7O  vjeçare. E quajnë Peshqeshe Bitri. Kisha dëgjuar që një vajzë 2-3 muajshe, së cilës gjermanët i kishin vrarë nënën tek ecte edhe me vëllain e saj  përdore.. Kisha dëgjuar edhe që  të nesërmen e asaj dite, e kishin gjetur atë,vajzën tek pinte qumësht e gjak bashkë mbi gjoksin e nënës së vrarë.. Po nuk e dija që gruaja që kisha përpara të ishte ajo, e se  pranë nënës kish qenë edhe vëllai i saj, Remziu 2-3 vjeçar, që edhe tani kur bisedon për nënën e ngjarjen ndihen të tronditur. Të tronditur ndihen edhe profesor Elmaz Aliaj e Kolonel  Fejzi  Aliaj, kur u kujtojnë nënat e tyre, Asqeri e Trëndafile Hasanaliaj. Këto dy kunatat në një moshë të re, gjermanët i vranë pranë  portës së shtëpisë. Dhe kur dolën fëmijët e tyre të vegjël u lemerisën, duke parë nënat mbuluar në gjak. Tronditesh e i thua vetes pse? Edhe nënë Safe Lula, që gjermanët i vranë të dy djemtë e saj, nuk e kish të lehtë kur tregonte, se si  e bënte udhën nga Bratajt për në Vranisht, duke  mbajtur  në kurriz djemtë e vrarë, herë njërin djalë e herë tjetrin, që ti çonte në fshat e ti varroste atje, në vendlindje.

Po ç’ është kjo, përbuzje ndaj gjakut të të rënëve?

Dhe shembujt e të vrarëve në befasi e egërsi në ato ditë tmerri janë të shumtë. Por, si për çdo ngjarje historike,që lidhet me luftën, edhe kjo nuk u shpëtoi shpifjeve e denigrimeve nga njerëz të pa përgjegjshëm të politikës. Dikush edhe nga smira, xhelozia e ndasitë krahinore, se kush kish kontribuar më shumë për luftën antifashiste, e për tu treguar fanatik të idealit, se “komunistët nuk dorëzohen” e se vranishtiotët duhet ‘të luftonin,, ‘të mos dorëzoheshin të gjallë”, e tjera u munduan të shtrembëronin të vërtetat e ngjarjes dhe arritën gjerë atje sa viktimat e martirët e masakrës naziste, të përbuzeshin e të pa fajshmit t i shpallnin fajtorë. Madje dikush guxoi të krijonte bejte me vargje mallkimi e tallëse. E dikush tjetër e hodhi urrejtjen e mallkimin edhe në ndonjë libër, natyrisht  pa vlerë dhe bejtja ka ardhur gjerë në ditët tona, si një ushqim i fëlliqur edhe për brezin e ri, 61 vetë u vranë brenda disa ditëve e brenda një fshati. Ata nuk iu dorëzuan armikut, se nuk kishin ç’ të dorëzonin. Ata ishin të gjithë të pa armatosur, duke fjetur a duke shkuar me bagëti. Ishin njerëz të punës e jetonin me hallet e tyre. Po bejtexhiu anonim pa e kursyer urrejtjen, ka shkruar ”Mirë ja u bënë qenve të qenve, se e kërkuan vet”,  por kush janë ata “qenërit” e bijtë e tyre, gjyshërit e baballarët tanë” ? Një fshat i tërë i pa armatosur, shko drejtë vdekjes se vdekjen e kërkoi vetë, apo Hoxha i fshatit, që kërkoi të shkonte në xhami, po jo mbi turrën e zjarrit, apo  ai fëmija që pinte gjak e qumësht bashkë mbi gjoksin e nënës  Njerëzit e tre brezave të shakohoxhajve, edhe ata “e kërkuan vetë vdekjen”? Mos vallë ato nuset e reja, dhe djemtë e ri, 14-15 vjeçar, që u vranë te pragu i shtëpisë,nuk e deshën jetën, se u dukesh më e bukur vdekja? Dhe shkua vetë drejtë vdekjes ?? Po ku shkuan, shkuan të armatosur për të pushtuar një vend tjetër, se nuk u pëlqente vendi i tyre? Kjo natyrisht nuk mund të ndodhte. Ishin nazistët ata për të cilët edhe tani thuhet se ishin “mysafirë e kalimtarë”. Sa për mysafirë, mysafirët nuk të vrasin e as të djegin shtëpinë, ndërsa kalimtarët e pa pritur duhet të zgjidhnin për tu larguar, rrugën nga kishin ardhur. Se, dihej, rruga drejtë Vranishtit të çonte në Vranisht..Po ajo që ka rëndësi, nuk është dialogu me një armik, të mundur 7O vjet më parë, por të merremi vesh me njëri tjetrin për të nderuar e jo përbuzur gjakun e të rënëve, aq më tepër që ky gjak u derdh brenda tokës sonë, pranë shtëpive tona. Ata që u masakruan, as që e dinin ç’ ishte komunizmi dhe cila do të ishte e ardhmja e vendit. Edhe nëse ndokush kishte luftuar, si prindërit dhe gjyshërit e tyre, këtë e bënin në bazë të traditës se hasmi nuk pranohet në prag. Se pushtuesi luftohet me pushkë.. Tendenca e disa kalemxhinjëve të sotëm për të bërë të bardhën të zezë, nuk është jetëgjatë…

..