“Dukati ka të drejtë”

    442
    Këtë shprehje e ka thënë me gojën e tij, në vitin 2001, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër. Në atë kohë djemtë e Dukatit, të rrethit të Vlorës, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues , përlesheshin me gurë me policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Unë Nuro Kulluri , pronar autokton në fshatin Dukat, sot në moshën 80 vjeç kam provuar dhe përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin tonë dhe nuk mund të rri i heshtur dhe të largohem nga kjo jetë pa i thënë porositë e mija ashtu si i mendoj. Dukati ka të drejtë të marrë kur kërkon që secili të marrë pronën e tij. Janë ato prona që diktatura e Enver Hoxhës i grabiti me ligjet e diktaturës së proletariatit dhe Sali Berisha, donte t’ja falte Berluskonit për të ngritur bizneset e tyre. Janë po ato prona ku arkeologët thonë se të parët tanë, kanë qenë aty prej 10.000 vjetësh dhe dokumentet thonë se ata kanë mbajtur deri 150.000 kokë dhen e dhi dhe qindra gjedhe dhe prodhimet e tyre i eksportonin ne Brindizi. Janë po ato prona të dukatasve autoktonë, të cilat prej 20 vjetësh politikanët po synojnë ti quajnë prona publike, me hilenë lakmiqarë që me to të kënaqin veten dhe miqtë e tyre. Janë po ato prona që mbajnë brenda vetes varret si dhe mijëra ton kocka të pronarëve të tyre autoktonë. Malet, bregoret dhe fushat tona kanë dëgjuar nga pronarët vendas meloditë e bukura baritore dhe kanë përjetuar shumë histori njerëzore, të cilat nuk i beson kollaj kur ti tregojnë. Mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut. Padrejtësia e filluar me ligjin 7501, duhet të korrigjohet, përndryshe vazhdimisht do të ketë korrupsion, konflikte, tensione sociale gjakderdhje , jetë të humbura. Ju lutem ju dhe kryetarëve të tjerë të majtë apo të djathtë, që ta dëgjoni edhe fjalën time se po merrni popullin në qafë. Ata që kanë përfituar e dinë mirë se janë në pronë të botës, por vazhdojnë ta mbajnë pronën e tjetrit duke u justifikuar vetëm me faktin se atë pronë ja ka dhënë ligji dhe shteti. Por ku e gjeti Shteti atë pronë? Shumë mirë që kërkoni transparencë për pasurinë e politikanëve por pse nuk kërkoni transparencë për pasuritë që pretendohet se janë të shtetit kur ato asnjëherë nuk kanë qenë pasuri të shtetit. Prona, nuk fitohet me grabitje dhe as me legalizime, aq më tepër kur është pronë që ka zot. Atëherë pse Kuvendi nuk po e bllokon padrejtësinë me pronën? Ju keni detyrimin të bëni një ligj të vetëm dhe të drejtë ashtu siç thotë dhe Kushtetuta në nenin 41 dhe me këtë ligj të korrigjohen paudhësitë e bëra pas vitit 1991. Zoti Servet Pëllumbi, me vonesë por bëri shumë mirë, që e deklaroi publikisht politikën e Katovicës që është zbatuar pas vitit 1991 prej Ramiz Alisë me veglat që caktoi në krye të forcave politike. Qeveria e 1991 kishte detyrë të çrrënjoste diktaturën komuniste. Kjo do realizohej nëse do të ishte zbatuar Satuti i kooperativave bujqësore, që ngriti diktatori Enver Hoxha. Aty thuhet se në rast se kooperativa prishej çdo familje merr pronën që ka futur në kooperativë . Në 1991 deputetët duke shkelur mbi parimet morale dhe të drejtën, miratuan ligjin 7501, ligji më djallëzor që po e shkatërron Shqipërinë. Siç është deklaruar edhe në Kuvend, nga ju zoti Kryeministër dhe deputetë të tjerë, anarkia e pronës ka shkaktuar mbi 8000 viktima. Në breza dukatasit janë shquar si njerëz të ekuilibruar. Dukati një fshat i dalluar për respektimin e traditës ka filluar të ndjejë pasojat e këtij ligji. Janë ligjet që nuk e kthejnë pronën tek i zoti ato që , po e thyejnë traditën e nderit dhe të korrektësisë që është respektuar në breza. “Dukati ka të drejtë“ Të gjithë ne që jemi bij të këtij vendi e dimë mirë këtë, por këtë e harrojnë të zgjedhurit tanë menjëherë pasi bëhen deputetë. Pse? Mos vallë të drejtën tonë për pronat e trashëguara duhet ta kërkojmë nga SHBA , Gjermania, Italia, Greqia, Turqia, Beogradi, Moska apo kryetarë shtetesh të tjerë. Ata dhe Strasburgu është mjaftuar me vendimin Pilot por atje me siguri bëhen raportime krejt të zbehta dhe ata nuk mund ta imagjinojnë situatën e rëndë që është krijuar për shkak se shteti për 25 vjet po vazhdon të mashtrojë me fasadën e kompensimit dhe po vepron me ligje që shkelin detyrimet kushtetuese. Nga këto ligje të padrejta po përfiton batakçiu dhe i pandershmi, por i ndershmi revoltohet. Ne jemi të revoltuar , por po presim se revolta sjell pushkën dhe pushka merr jetë njeriu, por kjo nuk na pëlqen se kështu humbasin të gjithë shqiptarët dhe mbyllen dhe dyert e Evropës. Kemi nuhatur se qeveritarët po hedhin sytë nga kullotat e maleve të Dukatit. Dihet se aty shteti nuk ka prona dhe aty pronësinë e kanë familjet autoktone të dukatit. Po të jetë nevoja burrat e Dukatit flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama : bëhuni burrë shteti dhe kuptoni realitetin, mos na shtyni në luftë civile se do të ishte fatalitet për të gjithë Shqipërinë dhe Kombin tonë. Ky palo pluralizëm kriminal që po bëhet 25 vjeçar duhet të ketë respekt për Dukatin dhe dukatasit që janë 10.000 vjeçare në ato male. Dëgjojmë të thuhet se nuk ka dokumente pronësie. Kjo nuk është e vërtetë. Është e sigurtë se pushtuesit turq dhe ata italianë, i kanë regjistruar pronat e shqiptarëve. Mbreti Zog ngriti një kadastër shumë të rregullt për kohën, por edhe diktatori Enver Hoxha i ka regjistruar të gjitha pronat që shtetëzoi pas vitit 1945. Pra Shteti i kishte dhe i ka dokumentat e pronave të shqiptarëve. Nëse në krye të shtetit dhe në Kuvendin e Shqipërisë, do të kishte shqiptarë të ndershëm, nuk duhej të miratohej ligji 7501, por një ligj që pronarët të dorëzojnë kërkesën dhe të jetë detyrim i shtetit që duke hapur arkivat ti kthejë në origjinë pronat e grabitura nga diktatura. Nëse tek drejtuesit e derisotëm ndërgjegjja kombëtare është mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, kjo le të bëhet sot. Asnjëherë nuk është vonë për të korrigjuar gabimet. Kjo është detyra kryesore e njerëzve të zgjedhur.
    E kuptoj zoti Kryeministër revoltimin tuaj nga situata dhe uroj me gjithë zemër që ju të dëshironi me sinqeritet të bëni shtet ligjor. Atëherë, hapini arkivat, kadastrat dhe regjistrat e shtetëzimeve dhe ktheni në origjinë pronën tek i zoti. Pronarët nuk duan kompensim. Kompensoni ata që shkelën ligjin por pronarit kthejani tokën babait të tij. Por keni dhe një rrugë ndihmëse – mblidhni fshatin se dukatasit e dinë se ku janë kufijtë e secilit dhe jepuni dokumentat e reja të pronave ashtu siç i kërkon koha e sotme moderne. Ju garantoj se në shumicën e rasteve në të gjithë Bregdetin pronarët i dinë kufijtë e pronave të tyre. Në rastet ku ka vështirësi ose kufitarët nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashkët duhet ndërhyrje Shteti me dokumentat që Shteti i disponon. Reforma që presim nga ju është që secili të gëzojë pronën e tij të trashëguar sa është i gjallë. Por kjo do të kundërshtohet nga të babëziturit apo të shiturit të ulur si deputetë në Kuvend , ata si puna e ujkut pëlqejnë mjegull për të shqyer dhe grabitur më lehtë. Zoti Edi Rama Ju jeni shprehur se “Dukati ka të drejtë“ Kryeministrat pas vitit 1991, kanë lënë gjurmë negative dhe do mbahen mend si gënjeshtarë të mëdhenj që e mashtruan popullin, që sabotuan demokracinë dhe i futën familjet shqiptare në konflikte dhe në gjak me njëra tjetrën. Si asnjë herë në historinë qindra shekullore të këtij vendi konflikti për pronën është futur edhe brenda familjes. Gazetat japin shpesh lajme të tilla. Zoti Edi Rama, ne jemi larguar nga Sali Berisha sepse ai mashtroi dhe punoi për tu pasuruar për veten e tij sipas udhëzimeve të katovicës. Prona nuk ka vetëm vlerë si para, por është problem delikat që nuk mund të shlyhet me kompensime. Politika për pronat lidhet me fëmijët tanë dhe përcakton të ardhmen e kombit. Me politikën e kompensim/legalizimit, të nisur nga Saliu, brezi i ri, i lënë pa prona, si arixhiu pa atdhe do largohet nga vendi , sepse me forcën e shtetit prej 25 vjetësh, po i mohohet atdheu i të parëve. Kryeministrat pararendës, i kanë shtuar problemet që la pas diktatura aq sa ndërkombëtarët ju venë si kusht dhe ju kërkojnë ju që t’a dekriminalizoni Shtetin. Ata kanë të drejtë por kanë edhe detyrim të orientojnë se nëse dekriminalizimi nuk fillon me drejtësinë mbi pronën edhe ju do të dështoni edhe me shumë se Sali Berisha. Me kompensime dhe legalizime Shqipëria do të vazhdojë të zhytet në kënetën e korrupsionit dhe në çorbën e politikës së mbrapshtë dhe antishqiptare të Katovicës që po vazhdon prej 1991, kur drejtonte Ramiz Alia. Ata që vijnë si reporterë të BE nga zoti Stefan Fyle deri tek gjermani Fleckenstain, duke qenë të edukuar ndryshe , mbase nuk arrijë ti kuptojnë në thellësi këto gjëra, por raportojnë për progres dhe lavdërojnë edhe kur Kuvendi bën ligje që shqiptarët të thellohen në anarkinë e Katovicës dhe të justifikohen kur vjedhin pronën e tjetrit. Kjo është e vërteta e hidhur. Mos sakrifiko zgjidhjen e problemit të pronës për interesa elektorale . Turqia u bë shtet të fortë dhe shtet ligjor nga Qemal Ataturku, Italinë e shpëtoi nga post fashizmi DeGasperi. Ju zoti Edi Rama keni mundësinë historike, që të ngrini themelin e shtetit demokratik nëse zbatoni parimin se “Prona e grabitur i kthehet të zotit” Zgjidhja bëhet me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe kuptohet që edhe kompensimi duhet por kur bëhet fjalë për nevoja publike. Kërkojmë të jeni shumë i kujdesshëm, i matur dhe largpamës. Siç themi në gjuhën e popullit: mat mendo e diskuto 7 herë dhe vendos e pre një herë. Drejtësinë e duan të gjithë, se drejtësia i qetëson të gjithë, ndaj duhet të vendosësh drejtësi duke filluar me pronën e trashëguar se kështu hapet dera që Shqipëria të pranohet në Evropë. 
    Me konsideratë dhe shpresë.
    Nuro Kulluri
    Sigal