“Dukagjini” duhet të rrojë!

    429
    Sigal

    Forma e re e ndarjes administrative është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme. Ka komuna dhe veçanërisht fshatra qe janë shpopulluar fare. Të gjitha këto mbajnë administratë që duhet paguar nga taksapaguesit shqiptar, gjë e cila rendon xhepat tonë, por edhe nuk krijon mundësi për investime më të mëdha, më të përqendruara dhe më të fuqishme për rritjen e mirëqenies së komunitetit.

    Në këtë reforma patjetër që do të preken edhe Komunat e Dukagjinit,  Shala, Shoshi, Pulti, Shllaku, Dushmani dhe Temali janë të vendosur në këto territore prej shumë shekujsh, kanë mbijetuar midis shumë vështirësish natyrore, territoriale, shoqërore-historike. Kanë kaluar jetën në atë mënyrë që edhe vetë ishin të kënaqur, sepse jetonin në monotoninë e jetës, me besimin, doket dhe traditat e tyre të ruajtura me rreptësi.

    Dukagjini ka qenë dhe është një zonë me të kaluar shumë të vështirë, por ka ruajtur traditat, kulturën, historinë, gjenezën, doket dhe zakonet në mënyrën më të mirë të mundur. Kjo për vetë faktin e qëndrimit të bashkuar, vendosjes për të jetuar me më shumë vështirësi natyrore dhe historiko – shoqërore, por për të mos shkatërruar të kaluarën e tij të mirë, ka jetuar në varfëri, por kryelartë sepse nuk ka pranuar t’ua shtri dorën të tjerëve, të bëhet urë kalimi, të ndryshojnë traditën e formuar në shekuj. Duhet që përveç numrit të banorëve apo votueseve, të shikohet edhe hapësira gjeografike, kushtet natyrore lagësia nga qendra e rrethit apo qarkut, nga qendra e Komunës, doket dhe zakonet që mund të afrojnë apo largojnë një komunitet. Po të bashkohet një territor nga Hoti i Ri e deri në Kufirin shtetëror me Malin e Zi do të ishte e keqja më e madhe që mund t’i bëhet këtij komunitetit në organizimin territorial. Duke shfletuar shtypin e përditshëm shikohet se, Qeveria ka vendosur disa kritere sipas zonave dhe këto krijojnë mundësi të plota që Shala, Shoshi dhe Pulti të përbëjnë një Komunë -Bashki. Të gjithë duhet të përpiqemi në mënyrë të kulturuar dhe demokratike, por të vendosur që të mos bëhen zgjidhje në kurriz të kësaj krahine, sa për të thënë se u bë riorganizimi me të pastudiuara, të pamenduara bëjnë të mundur që të zbehet e kaluara dhe sotmja. Kryetarët e Komunave të territorit të Dukagjinit kanë mundësi dhe duhet të bashkëbisedojnë dhe bashkëpunojnë midis tyre, të unifikojnë mendimet e tyre, të komunitetit që përfaqësojnë dhe t’i publikojnë ato. Po qe se bashkimi do të ndodhë mbi bazën e bashkëbisedimit dhe bashkëvendosjes bashkërisht midis komunave ka më shumë vlera brenda vetë Komunës, por do të vlerësohet dhe mbështetet me përparësi nga shteti dhe kjo ka jo pak rëndësi. Problem me shumë rëndësi është edhe turizmi, i cili ka filluar shumë kohë përpara në Alpet Shqiptare dhe që po vjen duke u shtrirë në shpatet e luginat e tyre, por këto vitet e fundit ka marrë një zhvillim më të shpejtë, është zgjeruar dhe pasuruar në llojshmëri. Qendra e Komunës duhet të jetë sa më afër Alpeve që të mund të ndihmohet në zhvillimin e tyre, sepse çdo largim i qendrës do të ndikonte në zbehjen e tyre, largimin e investimeve, largimin e projekteve, frenimin e zhvillimit që ka pasoja negative shumë të rëndësishme. Shteti dhe punonjësit e tij duhet të bëjnë të mundur që të dëgjojnë mendimin e komunitetit në mënyrë të organizuar dhe me përfaqësi nga të gjithë fshatrat. Pa një diskutim të tillë çdo bashkim apo ndryshim nuk është dashamirës. Emri “Dukagjin” duhet të rrojë zyrtarisht në emërimin e Komunës që do të përfshijë këto territore. Dukagjini nuk ka nevojë që të jenë shtojcë e askujt, plotësues i askujt, ai ka kulturën, historinë dhe doket e veta. Asnjë ngarkesë politike nuk duhet të nxisë apo ndajë qëndrimet për një të ardhme të përbashkët e shumë të rëndësishme të këtij komuniteti.

     Luigj SHYTI