Duhet mbrojtur Cakrani, vendi i pasurive arkeologjike të shumë periudhave

    704
    Sigal

    Si pasojë e indiferentizmit, kryesisht të MTRS dhe ministrit, z. Aldo Bumçi një pasuri e madhe po zhduket

    Kishte dikur një mauzeleum, ndoshta i politizuar, por që mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen, por me marrjen e pushtetit partia e  z. Bumçi në vitin 1992, ashtu si shkatërroi çdo gjë, mobilizoi disa forca antikombëtare që e prishën atë që nga themelet.

    Me fjalën Cakran nënkuptohen tre përcaktime: Krahina e Cakranit, Komuna e Cakranit dhe Fshati Cakran

    Pavarësisht emërtimeve të mësipërme, qendra ka qenë në fshatin Cakran, kjo për pozicionin gjeografik të vendvendosjes së tij, diku në qendër të krahinës, por edhe të disa rrethanave të tjera, si tregu i Cakranit, i cili ka qenë edhe në të kaluarën një vend komunikimi dhe ndërlidhjeje brenda krahinës, por dhe midis kësaj krahine me qytetet Vlorë, Fier, Tepelenë e Berat.

    Në këtë artikull, do flas për pasurinë arkeologjike të kësaj krahine, e cila si pasojë e indiferencës së drejtuesve aktualë të MTRS, po shkon drejt harresës e si përfundim edhe drejt zhdukjes.

    Për aq sa kam unë njohuri, si studiues, mund të jap disa të dhëna.

    Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar, ku kushdo mund të gjente një histori lashtësie të mjaftueshme, aq sa duhej të ndjehej krenar që ishte bir i kësaj zone kaq të vjetër e të re. Nëse do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga  turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe diçka do të tepronte. Po saktësoj disa të dhëna sipas periudhave:

    I. – Periudha historike e neolitit:

    Për të qenë më i saktë në këto të dhëna, po i referohem raportit që ka mbajtur në Konferencën e 2-të arkeologjike shqiptare arkeologu i njohur, Prof. Dr. Muzafer Korkuti në bashkëpunim dhe me arkeologen prof. Zhaneta Andrea. Sipas këtij raporti, në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar. Gërmimet u përqendruan në fushë, në vendin e quajtur “Thikez”.

    Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë. Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjilë të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë. Banesa e parë në jep të drejtën të mendojmë se ajo ka qenë e futur e gjitha në tokë dhe çatia ka qenë mbi sipërfaqen e tokës. Me kalimin e kohës muret e banesave kanë qenë pjesërisht të futura në tokë dhe pjesërisht mbi sipërfaqen e tokës, siç është horizonti i dytë.

    Veglat e punës

    Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri. Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme.

    Disa prej tyre po i paraqesë ashtu si janë dhe në serialin “Iliria”

     Qeramika

    Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit dhe inkuadrimin e saktë kronologjik të saj, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Ajo ndahet në qeramikë të punuar trashë dhe në atë të punuar hollë.

    Dallohen dhe mund të rindërtohen tipa enësh si: Kupat dhe Tasat.

    Janë gjetur dhe disa enë të tjera, prej të cilave disa me vegje.

    Zbukurimet

    Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh, si: zbukurim me gërvishtje, zbukurim me reliev, zbukurim barbotin, zbukurim impreso, zbukurim me incizim e ngulitje, zbukurim me pikturim, zbukurim me kanelyra. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit.    

    Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guaske, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guaskë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë.

    Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.

    Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?

    Jo ata dinë për neolitin e Xarës, Dunavecit etj., por jo për vendlindjen e tyre!

    Pse, bëhet pyetja! Kaq e vështirë është që të shkruhet emri Cakran, meqenëse është i pari stacion i neolitit të mesëm të zbuluar në Shqipëri dhe quhet me të drejtë në arkeologji: “Kultura neolitike e Cakranit”?

    Në Cakran sot nuk ka një mauzeleum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më poshtë, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim këtu.

    Kishte dikur një mauzeleum, ndoshta i politizuar, por që mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen, por me marrjen e pushtetit partia e z. Bumçi në vitin 1992, ashtu si shkatërroi çdo gjë, mobilizoi disa forca antikombëtare që e prishën atë që nga themelet.

    Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpiake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, dhe disa thika e vegla prej stralli, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. Por jo vetëm kaq. Ato dy horizonte banesash, (dy gropa), mund të ruheshin ashtu siç ishin të zbuluara nga arkeologët, të cilët u lodhën me muaj duke punuar nën diellin përvëlues të asaj toke të zezë, por arritën ti gjejnë themelet e autoktonisë së banorëve të kësaj zone, dhe sot të vizitoheshin, të paktën nga nxënësit e shkollave, pse jo dhe nga turistët që do të vijnë

    II -Periudha historike e bronzit:

    Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka pasur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronzi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronzi, gjë që është një tregues i vazhdimësisë së jetën në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronzit të vonë e të tjerët të më vonshëm. Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronzi. Ato u gjetën rastësisht, duke hapur një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike, në lagjen Dalipaj të fshatit Varibop të Cakranit. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronzit të vonë. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Megjithëse armë prej bronzi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

    Mirë unë, që m’u dha  mundësia për të lexuar këto shkrime të studiuesve e zbuluesve tanë, po të tjerët ku do i gjejnë? Aq më keq që për këto nuk përmendet gjëkundi, as në tekstet shkollore.

    Ku ndodhen vallë këto objekte kaq të rralla për zonën tonë?

    Si do mundemi që ato të bëhen pasuri i këtij populli dhe kësaj zonë?

    Po jap këtu një skicë të shpatës dhe majës së heshtës prej bronz

      III.- Periudhat e mëvonshme

    Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin

    I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë. Siç duket dhe në foton që paraqesim, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka pasur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.

    Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të formave gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj.. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Erës së Re. Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para Erës së Re. Ndërsa gjendet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.

    Qyteza e Mashkjezës është një vendbanim tipik protoqytetar. Ajo formohet rishtas në fund të shek. VII p.e.r. dhe zhvillohet gjatë shek. VI –V p.e.r. si qendër shkëmbimi e sidomos prodhimi mallrash

      Pamje e kodrës ku ndodhet vendbanimi i Qytezës

    Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i fundit i takon Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.

    Pamje nga gërmimet në Qytezë.

      Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës që përmendëm më sipër, sigurisht dhe i mos këmbënguljes së pushtetit vendor. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për themelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka pasur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit. Më theri në shpirt, kur në një takim me Prof .Dr. Neritan Ceka në Fier, në vitin 2009, në promovimin e librit te Mësuesit të Popullit Teki Sadikut, ai më thotë me keqardhje: sa keq që muri rrethues në qytezë është dëmtuar shumë, ndoshta disa gurë edhe mund të jenë shitur. Unë nuk e di se sa është dëmtuar, por thënia e tij, më preku.

    Atë ditë ai më tha se, ishte biseduar që të çelej një fond për kërkimet në Gurëzezë, mund të dërgoj dhe vajzën time, – tha ai, por vetëm kaq, sepse me fitimin e zgjedhjeve, fondet nuk u çelën kurrë.

    Po pse vallë kjo gjendje zoti Ministër?

    Si ka mundësi që në atë vend arkeologjik të hapen gropa e të mbillen pemë pa qenë aty një arkeolog? Kjo është e pafalshme.

    Ndoshta Ministri Bumçi nuk e di ku bie Cakrani, por ka institucione vartëse që mund  t`ia tregojnë iventarin e monumenteve të kulturës dhe ato arkeologjike.

    Ruajtja dhe mirëmbajtja e tij nuk është shumë e kushtueshme, gjë që nuk e rëndon buxhetin e shtetit, por është indiferentizmi që pengon.

    Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak, Camillo Praschniker, gjatë pushtimit austro-hungarez të zonës në vitet 1916 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithëse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të tipit të lartë të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë me një mur rreth 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan , bri fshatit Cakran

    Më 18 prill 2005, nën kujdesin e Ministrit të K.R.S., z. Blendi Klosi, Instituti Arkeologjik Tiranë, organizoi një sesion shkencor me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, ku u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike dhe fillimin e kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Gurëzesës,  por përsëri,  nuk u gjetën fondet e duhura që të hapej rruga, dhe të bëheshin kërkimet, sepse në krye të qeverisë u vendos partia e z. Bumçi dhe ajo nuk i lëvroi fondet e nevojshme. Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji.

    Më në fund, erdhi një kryetar komune, djalë i Cakranit dhe arriti, ndoshta me shumë mundime, ta hapë një rrugën për të shkuar deri në Gurëzezë dhe është për t`u përgëzuar. Kjo ishte si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studiuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmimi gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna.

    Duke biseduar me arkeologun Dr.Lami Koçi, i cili ka qenë gjithmonë i interesuar për kërkimet e zbulimet në qytetin e Gurëzezës, ai më thotë se, pengesa kryesore ishte rruga, tani mjaftojnë 500 mijë lekë në vit që atje të bëhen kërkimet e të zbulohet në vazhdimësi qyteti.

    A nuk duket habi që për një shumë kaq të vogël të mos vazhdojnë kërkimet. Vërtet ministria dhe Ministri, nuk kanë mundësi të gjejnë kaq pak lekë. Jo kaq, por edhe një milion lekë në vit duhet të japi ministria dhe atje të vazhdojë puna për zbulimin e qytetit dhe restaurimin e atyre gjërave që mund të ribëhen.

    Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qytetet Bragul, Eugen, pse jo edhe Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.

    Përsëri shtroj pyetjen: Kush është i interesuar që këto pasuri arkeologjike dhe historike të mos dalin në dritë, kujt i intereson të mos njihet historia jonë kombëtare?

    Me këtë artikull, dua të bëjë thirrje institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë hapat e duhura që aty të punohet për zbulimin e kësaj kulture historike. Po kështu u bëj thirrje këtyre institucioneve që të ndërtohet sa më shpejt një mauzeleum në Komunën Cakran, si domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit, veçanërisht sot që në Cakran kalon rruga Levasn – Tepelenë, në këtë krahinë histori madhe të mblidhen të gjitha pasuritë arkeologjike të zbuluara e që do të zbulohen.