Dua “Ilaç popullor” ose “Autan” insekticidi, që përdoret kundër mushkonjave

718
Sigal

 

“Shtëllunga” mushkonjash në plazhin e Semanit

 

– Jo mor të keqen nëna, nuk thashë të vijë qeveria të merret këtu me mushkonjat, po t’na dërgonte një aeroplan si qëmoti

– Eh, more bir, këtyre të flamosurave derman vetëm qeveria u bën. 

– I habitur nga ndërhyrja e plakës dhe shpresa e saj tek qeveria i them:

 – Po dhe me këto do merret qeveria, moj nënë?

 

Aleksandër CALA

 

Duke përfituar nga koha e mirë që po mban këto ditë dhe nga mungesa e trafikut në rrugën që të çon në plazhin e Semanit, kemi disa ditë që atje po shkojmë me biçikleta. Në pikën e mëngjesit, kur pushon së fryri era e malit dhe akoma nuk ka filluar flladi i detit, rrugës për të shkuar në plazhin e Semanit formohen re të dendura mushkonjash të llojeve nga më të ndryshmet: të mëdha,  të mesme e të vogla. Më bezdisëset janë ato të voglat, që ne vendasit nga “halli” i kemi “pagëzuar” me dy emra: Një emër për përdorim publik të quajtura “arrëzat”, ndërsa emri tjetër për përdorim intim, duke i quajtur “pi…zat”! Kur kemi përshkuar më të shumtën e rrugës, në fshatin Grykë “dorëzohemi” dhe kërkojmë ndihmë në dyqanet anës rrugës, për të blerë ndonjë medikament që i largon ato. Qëndrojmë tek dyqani i radhës dhe, duke rrahur fytyrën me duar për të larguar insektet e bezdisshme, hyjmë brenda. Në banak qëndronte një shitëse, nuse e re dhe tek dera përballë saj, ulur mbi një arkë plastike, qëndronte një grua e moshuar veshur me të zeza, si të gjitha gratë e moshës së saj në Myzeqe. Në mendje më vjen “Autan”, emri i një insekticidi që përdoret kundër mushkonjave dhe i drejtohem shitëses: 

– Një “Autan”,-ju lutem!

 E zonja e dyqanit, që si në të shumtën e rasteve edhe këtu kryente dhe detyrën e shitëses, pasi kontrolloi tek një raft, si e zënë në faj, u përgjigj: – “Autan” nuk kemi, por kemi “Aulin” dhe “Paracetamol”. Ta pushojnë dhimbjen e kokën menjëherë!, -dhe më lëshoi mbi banak, nga një pako për të dy llojet.  

U habita dhe vura buzën në gaz. 

– Nuk po bëj shaka, i kam provuar vetë, – këmbënguli shitësja për të na bindur, duke parë hezitimin tim. 

– Nuk dua ilaç për kokën, se atë e kam në rregull, por për të ndjekur këto dreq mushkonja, se na tmerruan, i thashë i mërzitur që nuk gjeta gjë në dyqan. 

Shitësja si e zënë në faj, uli kokën dhe me zë të mekur, mërmëriti;  – Nuk kam gjë për mushkonjat!, dhe mori të dy pakot e “Paracetamolit” e “Aulinës” dhe i vendosi në raft.

– Po.. si i bëhet hallit? Mos kanë dyqanet e tjerë? e pyeta dhe bëra të dilja nga dyqani.

Kur dëgjova zërin e një gruaje të moshuar, moshatare me nënën time: 

-Eh more bir, këtyre të flamosurave u bën derman vetëm qeveria. 

I habitur nga ndërhyrja e plakës dhe shpresa e saj tek qeveria, i thashë:

– Po pse dhe me këto do merret qeveria, moj nënë?!

– Jo mor të keqen nëna, nuk thashë të vijë qeveria të merret këtu me mushkonjat, po t’na dërgonte një aeroplan si qëmoti dhe t’i bënte me “flit”, që të ngordhin dreqkat, se na pinë gjakun”, – më thotë ajo dhe vazhdonte t’u binte këmbëve me një degë shpendre.

– Po qeveria ka punë e halle të tjera tani, ka zgjedhjet, – e vazhdoj bisedën unë, – mbas zgjedhjeve do ta bëjnë dhe këtë punë.

– Po e bënë para zgjedhjeve e fituam, po pas zgjedhjeve qeveria nuk kujtohet as për ne e jo t’u bjerë mendja për mushkonjat, të keqen nëna,- thotë plaka dhe vazhdonte t’u binte këmbëve me degën e shpendrës, së cilës  nga goditjet e vazhdueshme i kishin mbetur vetën nja dy-tre gjethe.    

Dola nga dyqani dhe anës rrugës këputa dy degë shpendre, një për vete dhe një për Lubën e filluam edhe ne luftën, kundër këtyre insekteve të pa mëshirshëm me dy emra. E kishim gjetur më në fund atë që kërkonim, “ilaçin” popullor kundër mushkonjave.