“Droga me avionë”, të dorhiqen Kodheli e Tahiri, në burg Imami

505
Sigal

Informacioni zyrtar i SHISH ngre shumë pikëpyetje. Opozita kërkon të përfitojë politikisht, qeveria thotë: “Nuk kemi prova”, drejtësia hesht

Debate pa fund në media e Parlament, akuza të ndërsjella deri në fyerje e kërcënime, bujë për ngritjen e një Komisioni hetimi Parlamentar, por asgjë të saktë e për më tepër mister që kërkon të fshihet diçka apo të pohohet me plot gojën se janë thashetheme…

Kështu po ndodh këto ditë për çështjen e shumëpërfolur të “Përdorimit të bazave të ushtrisë për trafik të lëndëve narkotike” nga ajri. Që ka trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, kjo tashmë është një fakt që pohohet nga të gjithë. Madje, zyrtarisht, fqinjët u kanë kërkuar zyrtarisht organeve tona shtetërore që të frenojnë këtë trafik. Por në rastin konkret, si nga akuzat e kundër akuzat e krahëve të politikës, heshtjes së organeve shtetërore për të dhënë një informacion të saktë për këtë për folje, direkt, por më shumë indirekt, përmendet NATO, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Qoftë dhe për këtë, është absurd heshtja zyrtare. Që PD-së dhe ish-Ministrit Arben Imami, i interesojnë qoftë dhe politikisht këto akuza dhe për faktin si alibi e një arrestimi të mundshëm të Imamit, i denoncuar në Prokurori për një sërë abuzimesh e përfitimesh me detyrën që kishte. Por ndryshe qëndron puna me qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes e Kryeministrin Edi Rama. Përballë një fakti, pra informacionit zyrtar të SHIK, firmosur nga Visho Ajazi Lika, (ku sillen disa dëshmi) dhënë ministrave të Mbrojtjes e Rendit, është e pafalshëm që Mimi Kodheli të thotë vetëm “Nuk ka asnjë provë” (që lë të kuptosh se nuk dihet ka ndodhur apo jo, se nuk ka prova), apo Kryeministrit Edi Rama që ironizon me ‘avionë spërkatje ndaj mushkonjash’!!! Ish-ministri Imami, edhe nëse i provohet një nga “mali i akuzave’ që i bëhen nga titullari e dikasterit që dorëzoi, duhet të shkojë prapa hekurave. Por ministrat Imami e Kodheli, Kryeministri Edi Rama, janë të detyruar me ligj të flasin me përgjegjësi, të thonë të vërtetën. Për ‘ta, në rastin konkret, lojërat e fjalëve, akuzat politike e për më keq ironizimet, minimalisht tregojnë jo seriozitet për një problem, i cili nëse dhe ekziston (qoftë dhe një rast të vetëm), hedh dritë mbi një skandal jo vetëm për Shqipërinë, por dhe më gjerë. Imami dhe Kodheli, minimalisht duhet të japin dorëheqjen, ndërsa Imami, le të përballet me drejtësinë…

INFORMACIONET E SHISH-it

Për sa më sipër, së fundi, mësohet se ekziston një informacion i SHISH-it, madje dhe me disa hollësi dhënë Mbrojtjes dhe ministrit të Brendshëm. Po çfarë thuhet ndër të tjera në informacionin e firmosur nga Visho Ajazi Lika. Që në fillim, në ‘të thuhet: “Lënda: Dyshime serioze për shfrytëzimin e Aerodromit të Gjadrit, Lezhë në funksion të transportit dhe trafikut të drogës”. Ndërsa më tej vazhdohet: “Nga të dhënat në proces verifikimi, u informuam se në datë 19.03.2014, rreth orës 07:00 të mëngjesit, në fund të pistës kryesore të aerodromit të Gjadrit është ulur një avion i vogël sportiv, tip “Charter”, me ngjyrë të bardhë. Pas uljes së avionit, shumë afër tij erdhi dhe u afrua një automjet tip furgoni ‘Veko’, me ngjyrë të bardhë, i mbyllur me targë të Vlorës. Ky avion vjen dhe ulet shpesh herë në aerodromin e Gjadrit.
Bazuar në indicet tona, dyshojmë se ardhja e këtij avioni ka pasur për qëllim transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Rreth orës 08:00 të asaj datë në aerodromin e Gjadrit erdhën dhe efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, sepse ishin informuar se një avion ishte ulur në fundin e pistës kryesore të Gjadrit. Të dy strukturat tona në Qarkun e Lezhës, si ato të SHISH-it dhe ato të Policisë së Shtetit bënë verifikimin e tyre në terren. Nga ana jonë u mësua se efektivët ushtarakë të aerodromit ishin shprehur në prani të strukturave të policisë se radarët nuk funksionojnë dhe për rrjedhojë nuk kanë dijeni dhe nuk kanë konstatuar të ulen ndonjëherë avion në aerodromin e Gjadrit. Për rastin në fjalë si nga ne ashtu dhe nga policia, u pyetën banorët e zonës përreth, të cilët konfirmuan uljen e një avioni rreth orës 07:10 minuta të datës 19.03.2014”. Në informacion thuhet se ‘Për këto situata kemi informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën 666 prot., datë 11.03.2014, më Lëndë: Dyshime mbi përdorimin e avionëve privat, si mjet për transportin e lëndëve narkotike’. “Deri tani, kemi evidentuar se kjo mënyrë po përdoret në rrethet: Gjirokastër dhe Lushnje. Jemi informuar nga strukturat tona në bazë se ky informacion i është kaluar Drejtorive të Policisë në qarqet përkatëse, të cilat kanë filluar bashkëpunimin konkret mes tyre. Në vlerësimit tonë, çka paraqet rëndësi në evidentimin e saktë të mjeteve të ndryshme që po përdoren në transportin e drogës në linjat detare dhe ajrore është përdorimi i radarëve, të cilët sipas të dhënave tonë në disa raste keqpërdoren ose nuk ekzistojnë fare, si në rastin e aerodromit të Gjadrit…”,-thuhet më tej në informacionin e firmosur nga Visho Ajazi Lika.

MINISTRIA E MBROJTJES

Pas publikimit të informacionit të mësipërm, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë duke theksuar se, ‘nuk ekziston asnjë fakt që të provojë hamendësitë për trafik droge’. Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë deklaratës së mëparshme të dhënë nga titullarët e saj se: “Nuk ekziston asnjë fakt që të provojë hamendësitë e shprehura gjatë javëve të fundit në publik. Forcat ajrore disponojnë dokumente nga struktura të specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirat ajrore të Shqipërisë, të cilët konfirmojnë se nuk ka pasur avion Renegat në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media”. Qëndrimi i FA mbështetet në verifikimet e kryera nga institucionet e specializuara vendase dhe të huaja,- thuhet më tej në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. “Duke ju bindur ligjit dhe vetëm ligjit, FA do të vendosë në dispozicion të Prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtij qëndrimi”,-theksohet më tej.

PARADOKSI

Për atë që konfirmon SHISH, Ministria e Mbrojtjes thotë se nuk ka prova. Kjo, përveçse nga deklarimet në seancën e ditës së enjte në Parlament nga Rama, Meta, Kodheli e Tahiri, konfirmohet dhe në deklaratën e ditës së premte të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndërkohë, deklaratat politike, me akuza e kundërakuza, nuk pushojnë. Opozita dhe pushteti, në vend që të hedhin dritë mbi të vërtetën, po krijojnë më shumë mjegull. Qëllimi, të përfitojnë politikisht. Ka një zgjidhje, që para se të jetë ligjore, duhet të jetë morale: Mimi Kodheli e Saimir Tahiri, të japin menjëherë dorëheqjen deri në verifikimin ligjor të situatës. Opozita të heshtë se problem është madhor e populli është aq i zgjuar dhe nuk të jep shansin e përfitimit politik në këtë rast. Ndërsa Arben Imamin, me atë ‘mal’ akuzash, nuk ka kush e shpëton nga prangat.