Dritëro AGOLLI/

    549
    Sigal

    Dashuri e vështirë

    Ti në kanape tani dremit
    Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
    Abazhuri mbi qerpikë ndrit
    Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

    Para teje ndal mendimi im:
    Jemi dashuruar edhe sharë
    Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
    Por drejt njeri tjetrit kemi ngarë.

    Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
    Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
    Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
    Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

    Të kam pasur ëndërr çast e orë,
    Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
    Po të jem vërtetë një Pitagorë
    Ti je teorema më e vështirë….

    MJEGULLI I DASHURISË

    Kur ikja larg drejt teje vija
    Kur vija afër ikja larg
    Për dreq më trembte largësia
    Dhe afërsia bëhej çark

    As e kuptoja si të desha
    Një mjegull pus një çmenduri
    Si një poet që shkruan vjersha
    Dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi

    Dhe ndoshta kjo ish dashuria
    E çakërdisur kuturu………..
    Për dreq më trembte largësia
    Dhe afërsia gjithashtu.
    1996

     

    PO TI NUK JE

    Nuk je kurrkund. Kjo ditë e nxehtë e gjatë
    Mbuloi me pluhur rrugën gjer në fund.
    Vështroj në zheg në pluhurin e thatë,
    Po ti nuk je kurrkund.

    Dhe me gishtërinj mbuloj fytyrën time,
    Pastaj këmishën e rënduar shkund,
    Nga pluhuri përdhe rrëzohen thërrime,
    Po ti nuk je kurrkund.

    Jam gati të kërkoj çdo kokërr pluhuri
    Dhe në kërkim si arkeolog të humb,
    Veç të të gjej, e humbura qëkuri,
    Po ti nuk je kurrkund.

    POÇARI

    Vajta në Stamboll të bëj pazar,
    për kujtim të ble një vazo balte:
    – Paqe dhe selam, usta poçar,
    Vazon më të mirë po e pate
    Paqe dhe selam, usta poçar!

    Vazoja nga dora shkau e ra
    Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
    Më erdhi rrotull deti Marmara
    Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
    Më erdhi rrotull deti Marmara.

    Pa më shau poçari keq turqisht,
    Unë e shava shqip e mend i rashë;
    Për çudi poçari nuk u ligsht,
    Veç dy lotë në sytë e kuq i pashë,
    Për çudi poçari nuk u ligsht!

    Mos u çmend ky turk, ky mysliman?
    Unë e shaj, ai me duar në qafë!
    Poçe tjetër mori në dyqan
    Dhe më tha: “Më shaj, për besë, prapë!”
    Poçe tjetër mori në dyqan.

    Psherëtiu si unë: “Jam shqiptar,
    Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
    Fjala shqipe s’blihet në pazar,
    Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
    Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

    Ikën nga dyqani burra e gra,
    Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
    Vazot frynte deti Marmara,
    Vazove poçari shqip u fliste,
    vazot mbushte deti Marmara..

    Mësueset e fshatit

    Në udhëkryqe, ndan xhadeve

    Ditët e shtuna dalin shpesh,

    Dhe zgjatin dorën nga makinat,

    Here dy nga dy, herë veç e veç.

    Por shpesh ata që janë brenda

    Me njëri-tjetrin, shkëmbejnë fraza:

    “si shumë pretendime kanë,

    Mor shoku Jani, këto vajza”.

    Dhe janë ata që bëjnë zhurmë,

    Që kanë për vete 40 gojë,

    Që i shkruajnë letër Presidiumit,

    Për një kuzhinë, po t’ju mungojë.

    Dhe ata presin makinë tjetër,

    Atje në rrugë, atje në shi,

    Ato të urtat gjer në dhembje,

    Të thjeshtat gjer në madhështi.

    Tek presin, java që kaloi

    U rikujtohet si në tym,

    Klasa me nxënësit, gabimet,

    Që u përsëriten në hartim.

    Në mbrëmje radion dëgjon njëra,

    Tjetrës ndër mend i vjen sërish

    Shikimi i fotoreporterit

    Qandej kaloi rastësisht.

    Kohë e fejesës i ka ardhur,

    Dikujt dhe ndoshta i shkon çdo ditë…

    Pluhur i shkumësit, vello e bardhë

    U bie mbi supe i trondit.