Dritëro Agolli/ Poezi

    736
    Sigal

    Mos ma kujto

    E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
    për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

    Për shembull më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto,
    Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

    Për shembull më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
    Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

    Për shembull pësova diku një disfatë, mos ma kujto,
    Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

    Për shembull më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
    Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

    Për shembull më pe duke ngrënë e gënjyer, mos ma kujto,
    Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

    Për shembull në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
    I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

    E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
    Ka ndrojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!


    HESHTJA

    Cigarja u dogj gjer në fund
    Mbi tryezë gjumi më mori
    Në xham era perdet i tund
    Dhe hesht korridori.

    Me kokë në tryezë të flesh
    Të shohësh ëndrra të blerta
    Sa ndot!…Të zgjohesh e prapë të gjesh
    Në qoshe të vjellat e lëna nga jeta.

    Sirena e lumit

    Ajo u vërtit lakuriq
    Si pata e bardhë në lumë;
    Këndonte hutini në vidh,
    Bretkosa fërkohej me shkumë.

    Më humbi nga sytë pastaj,
    Siç humbin sirenat e lumit,
    Më mbetën veç hiret e saj,
    Dhe nazet e kurmit.

    U zhvesha dhe lumit me not
    I rashë tri herë;
    Ju them se notoja aq kot,
    Sa dukesha fare i mjerë.

    Madje, dhe bretkosa u lig,
    Sa s`donte aspak të më shihte,
    Në vend të hutinit në vidh
    Veç hëna fytyrën e griste.

    Kur dashuroheshim

    Kur dashuroheshim në kohën tonë,
    Kur tretesha dhe digjesha për ty,
    Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
    Kalonte dhe një muaj apo dy.

    Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
    Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
    Me biçikletë a mushkë apo me kalë
    Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

    Kur dashuroheshim në kohën tonë
    Me zor na vinin letrat fshat-qytet
    Nuk kishim nëpër dhomë telefonë
    Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

    Megjithatë më mirë që nuk kishte
    As telefon, as internet, as faks,
    Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
    Një dashuri të vjetër për një çast.

     

     

    Në vendin tim!

    Në vendin tim dhe në vendin tënd
    e çpojnë lakrën, i hedhin mend.

    Në vendin tim dhe në vendin tënd
    Njërit i kruhet, tjetrit i dhemb.

    Në vendin tim dhe në vendin tënd
    Hënën si petull e pjekin në shkëmb.

    Në vendin tim dhe në vendin tënd
    Një kokë e çmendur, … një vend e çmend!

    DHE SIKUR

    Dhe sikur në botë ti mos ishe,
    Do jetoja si çdo gjë që jeton,
    Veç pa ty kjo botë do lëvizte
    Siç lëviz pa ngrohje një vagon.

    S’ma zëvendëson ti botën mua,
    S’të zëvendëson as bota ty,
    Por sa botën sigurisht të dua,
    Kur jetojmë e vdesim tok të dy.