Dritëro Agolli: “Gjuha shqipe po prishet në gramatikë dhe fjalor”

    404
    Sigal

    Promovimi i “Fjalorit burimor të Dritëro Agollit” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar mblodhi jo vetëm emra të njohur të letërsisë dhe gjuhësisë, por dhe personalitete të politikës, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përfaqësues të shtëpisë botuese “Toena”, etj. Për përfaqësuesen e shtëpisë botuese “Toena”, që ka bërë dhe botimin e kësaj vepre, ky fjalor është shumë i rëndësishëm, një vepër që u botua pak ditë para se shkrimtari i madh Dritëro Agolli të mbushte 82 vjeç. Por dhe për gjuhëtarin e njohur Rami Memushaj, ky botim që është i pari i këtij lloji në vendin tonë ka një rëndësi të madhe dhe është bërë falë një pune me shumë përkushtim. Në fjalën e shkrimtarit dhe poetit të njohur Dritëro Agolli, nuk munguan emocionet, që sipas tij dhe mosha bën të veten. “Thonë që pleqtë nuk skuqen, por unë e provoj që skuqem. Nuk ka plak që nuk skuqet edhe nga të mirat edhe nga ato të pakënaqshmet. Edhe unë në këtë gjendje jam sot. Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, të vjetër dhe të rinj, të thjeshtët dhe personalitetet. Falënderoj të gjithë diskutantët, që janë të zgjuar dhe e njohin me përpikmëri gjuhën shqipe”, u shpreh poeti Agolli gjatë promovimit fjalorit. Por në fjalën e tij shkrimtari dhe poeti i njohur dha mesazhin dhe për kujdesin që duhet të tregojmë për gjuhën shqipe, pasi sot po abuzohet shumë. “Në fjalor jo vetëm që kanë hyrë fjalë të huaja, por edhe në gramatika është prishur, p.sh dëgjojmë deputetët, që thonë kush ne. Por dhe po të dalësh në pazar dyqanet janë me fjalë të huaja, por dhe televizionet janë mbushur me fjalë të huaja. Por gjuha shqipe duhet të rrojë”, u shpreh poeti Dritëro Agolli. Por sipas poetit edhe poezia sot ka njohur ndryshime. “Nuk shkruajnë të gjithë me rimë, ajo është rralluar. E domosdoshme është dhe muzika në poezi. Sot ka varg ritmik, dhe aritmik, metrik dhe ametrik, etj.”, vijoi më tej poeti. Më tej duke falënderuar dhe gjuhëtarin Mina Geron, që sipas poetit ka bërë një punë studimore që kërkon vite, ai u shpreh se sot mund të bësh studime të ndryshme mbi krijimtarinë poetike. “Poeti thonë është bir i harmonisë, dhe duke zbërthyer këtë fjalë mund të bësh studime të ndryshme të teknikës së poetikës”, u shpreh Agolli. Ky fjalor vjen vetëm pak kohë pasi shkrimtari u nderua me çmimin letrar “Carlo Levi”, një çmim i rëndësishëm në vendin fqinj, Itali. Agolli u vlerësua me këtë çmim në kategorinë e autorëve të huaj. Në vitin 2011 ai është nderuar edhe me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.