Drejtuesit e sotëm të policisë pa gradën përkatëse, që përcakton ligji

    36

    Ligji i ri për Policinë/ Krijohet grupi i punës për njësimin e funksionit me gradën

    Mësohet se nga Ministria e Brendshme është ngritur një grup pune, i cili do të nxjerrë Aktin Normativ për njësimin e funksionit me gradën. Kjo, sepse pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për Policinë e shtetit” çdo funksionar i policisë do të riemërohet, (pra po ndiqet praktika e vitit 2001). Ndërkohë që, deri në mars, kur hyn në fuqi ligji i ri, Policia e Shtetit funksionon sipas ligjit në fuqi.

     Ligji aktual Për Policinë, inekzistent

    Edhe pse kaloi gati 1 vit nga vënia në detyrë e Drejtorëve të Policisë në qarqe apo të Shefave të Komisariateve dhe shumica prej tyre nuk ka gradën përkatëse për pozicionin që mbulon, ende nuk është bërë asgjë për njësimin e funksionit me gradën. Pra, nuk është ngritur asnjë komision për gradat. Kështu, në kundërshtim me ligjin në fuqi, ata qëndrojnë në detyrë edhe pse nuk kanë gradën përkatëse; komisar apo kryekomisar. Në Nenin 51 “Procesi i ngritjes në gradë” në Rregulloren e Personelit të Policisë së Shtetit thuhet se “Brenda datës 31 mars të çdo viti (brenda vitit), hartohet një listë e vendeve të lira funksioneve të (gradave përkatëse) bazuar mbi numrin e lirë të parashikuar për funksionet e reja apo nevojave të mundshme të riorganizimit, qarkullimit të përgjithshëm të burimeve njerëzore dhe daljeve në pension të planifikuara për periudhën e ardhshme. Kriteret për vendet e lira janë: vjetërsia në gradë dhe vlerësime pozitive të punës”. Pra, edhe pse përcaktohet qartë se për një funksion ka të drejtë kushdo që plotëson kriteret përkatëse (domosdoshmëri kandidatura alternative), thuhet se sipas një urdhri nga Ministria e Brendshme, kjo mundësi do u jepet vetëm personave që janë në funksionet drejtuese, duke shkelur kështu me të dyja këmbët ligjin në fuqi. Në neni 49 të Rregullores “Ngritja në gradë” thuhet se “Polica e Shtetit përzgjedh me barazi, paanshmëri dhe transparencë kandidatët për ngritje në gradë. Këta kandidatë përzgjidhen në bazë të kritereve të pozicionit dhe aftësive të tyre për të kryer siç duhet detyrën në gradën më të lartë. Punonjësi i policisë që plotëson kriteret ka të drejtë të aplikojë për të konkurruar në procesin për ngritje në gradë. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet mbi bazën e një procesi përzgjedhës rigoroz dhe të plotë”. Ndërsa në Nenin 41 “Ngritja në gradë” të Ligjit “Për Policinë e Shtetit” jepen dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që kërkojnë të ngrihen në gradë në nivelin e mesëm drejtues “ i) të ketë vjetërsi shërbimi jo më pak se 3 vjet në gradën kryekomisar; ii) të përmbushë kriteret për pozicionin e punës; iii) të shpallet fitues në ushtrimet vlerësuese dhe intervistën me nivelin drejtues; iv) të përfundojë shkollimin përkatës për nivelin e mesëm drejtues”.

     Ligji i ri

    Ligji i ri hyn në fuqi në 1 mars, pra, 6 muaj pas botimit në fletoren zyrtare. Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” përcakton njehsim të gradës me funksionin dhe më tej përcaktimin e fitimit financiar në bazë të funksionit të ri, duke shënuar një rritje të ndjeshme. Ligji i ri i policisë përcakton vetëm llojin e gradave në Policinë e Shtetit dhe jo llojet dhe gradat sipas niveleve, siç janë të përcaktuara në ligjin aktual. Më tej vendoset që hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada, nga funksioni, për punonjësit me të njëjtën gradë, dhe nga vjetërsia në gradë, për punonjësit me gradë e funksion të njëjtë. Grada “Inspektor” i jepet punonjësit të policisë nga Drejtori i Policisë së Shtetit kur përfundon arsimin policor, ndërsa fitimi i gradës nga “Nënkomisar” deri “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues. Gjithashtu, përcaktohet se fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse. Kompetenca për përcaktimin e tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë i është lënë Këshillit të Ministrave, në një kohë që përcaktohet se çdo funksioni i caktohet grada korresponduese dhe se për funksione të njëjta caktohen grada të ndryshme, që lidhen me përgjegjësitë e funksionit apo dhe kategorizimin e strukturës.