Drejtuesit e Policisë së Shtetit braktisin Nokën dhe Burgajn

495
Sigal


Policia e Shtetit dhunon Policinë Bashkiake, duke e penguar të zbatojë ligjin ndaj ndërtimeve pa leje

Ndërrimi i pushteteve, nuk është thjesht një rotacion politik, por edhe një rotacion i servilizmit të disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët braktisin eprorët e tyre politikë, ende në pushtet, për t’u dëftuar zellin dhe shkallën më të lartë të servilizmit drejtuesve politikë, që do vijnë në pushtet.

Policia e Shtetit, kundër Policisë Bashkiake

Policia e Shtetit dhe përmbaruesit privat përplasen me inspektorët Ndërtimorë të Tiranës si dhe Policinë Bashkiake, për prishjen e një ndërtimi në kryeqytet. Gjithçka ka nisur pas një aksioni të ndërmarrë nga Inspektorati Ndërtimor i Urbanistikës në Bashkisë e Tiranës, për prishjen e këtij objekti në rrugën “Misto Mame”. Kreu i këtij institucioni, Florenc Hoxha, thotë se, ky objekt duhet prishur pasi është pa leje. Por policia e shtetit i ka dalë në mbrojtje përmbaruesve private dhe pronarit Besnik Canaj.

 Policia e Shtetit arreston inspektorët e Urbanistikës së Bashkisë

Ngjarja është motivi i servilizmit të disa drejtuesve të Policisë së Shtetit ndaj maxhorancës së re. Për përplasjen në fjalë policia bën me dije se, ka shoqëruar 6 persona, prej të cilëve 5 inspektorë të bashkisë dhe përmbaruesin privat, që është vëllai i pronarit të ndërtesës. Ndodhi më e çuditshmja. Që policia e shtetit të arrestojë 5 inspektorë të urbanistikës së Bashkisë, të cilët përpiqen që të zbatojnë ligjin! Policia e Shtetit, në këtë rast, kë ligj mbron? Të shtetit? Apo interesat e individit, që janë në shkelje flagrante të ligjit! Pyesim. A do të ndodhte që policia e shtetit të përdorë dhunë kundër policisë bashkiake të Tiranës dhe ndaj inspektorëve të INU-së, nëse akoma kjo qeveri dhe ministri Noka e drejtori i Përgjithshëm, Burgaj,  do të kishte mandat kohor edhe 3-4 muaj të tjerë?  Arrestimi i 5 inspektorëve të Urbanistikës së Bashkisë së Tiranës, nuk u bë me kokën e policëve. Së pari, Policia e Shtetit kishte vajtur aty me një urdhër paraprak. Që të kundërshtonte me çdo mënyrë INU dhe Policinë Bashkiake, që të mos kryenin detyrën e ngarkuar. Policët e shtetit, madje, kishin marrë urdhër, që me forcë, t’u përcillnin mesazh Bashkisë së Tiranës, që tani, ajo është e pafuqishme që të zbatojë më ligjin.  Ndërsa inspektori Hoxha ka bërë denoncim në polici për pengim gjatë ushtrimit te detyrës. E gjithë kjo situatë e përplasjes mes institucioneve të një vendi vjen në një moment kur qeveria e re e Edi Ramës ka njoftuar një aksion mbarë kombëtarë për prishjen e ndërtimeve pa leje në gjithë vendin, madje edhe të atyre objekteve që kanë marrë miratime nga vendorët, por që kanë cenuar rëndë territorin. Përveç publikimeve mediatike të kaosit të territorit, vetëm në faqen e iniciuar nga PS-ja,  “stoprrenimit.com” numri i denoncimeve me foto të ndërtimeve abuzive ka arritur në 631, ndërsa ka edhe 23 video. Shumë prej këtyre ndërtimeve mbartin edhe konflikte të tjera të natyrës se pronësisë dhe të kompensimeve që pritet të dalin pas nisjes së aksionit.