Drejtuesi që ndryshoi “fytyrën” e shërbimit shëndetësor në Devoll

    474
    Sigal

    Personeli mjekësor nuk gjendet më kafeneve e në punë private, por në shërbim  të qytetarëve.

    Njohja me Valent Nallbatin, Drejtor i Shëndetit Publik të rrethit të Devollit, nuk ishte njohje për personin e tij, por një rezyme punësh të projektuara e të realizuar prej tij dhe stafit që ai drejton. Është krejt normale, që kur flitet për një drejtues reformator të suksesshëm e pasionant, të flitet diçka edhe për profilin e tij. Valent Nallbati, është fëmijë i një familjeve të nderuar me emrin “Fejzi Nallbati”, ka krijuar një emër të nderuar në shoqërinë ku jeton e punon, ka krijuar dhe drejton denjësisht një familje të kulturuar, të arsimuar, të qytetëruar deri tek sjellja edhe ndaj… mjedisit! Ka ndërtuar me “thonj”, atje në vendlindjen e tij në Bilisht një biznes, të cilin e ka bërë edhe pjesë kontribuuese të ndjenjës së tij si humanist, duke lehtësuar sadopak edhe hallin e atij që është i pamundur e në nevojë jetike. Politikisht, ka zgjedhur të jetë anëtar i PS, jo thjeshtë si “numër evidence” në listat emërore të anëtarësisë, por si energji e veprimtari aktive dhe prej 23 vitesh nuk ka devijuar “as 1 sekondë” nga përkushtimi dhe “besnikëria” ndaj linjës së PS-së, madje ka sakrifikuar rehatinë personale, punët dhe financat e veta, qetësinë familjare e që bindshëm e vullnetshëm, pa “djallëzira” e pa interesa, ka investuar shpirt dhe energji për të mbajtur gjallë aktivitetin e PS-së në zonë. Është drejtues modest dhe i përkushtuar, që ka gjetur shërbimin shëndetësor në Bilisht dhe në krejt Devollin në gjendje “gërmadhë” dhe ka realizuar ndryshimin. Puna e tij ka nisur nga detyrimi për të qenë korrekt me zbatimin e ligjit, të etikës zyrtare, të respektimit të të drejtave të punonjësve dhe përgjegjësisë për të përmbushur detyrimin e shërbimit ndaj komunitetit, për më tepër në një rreth si Devolli me 1 bashki e 4 komuna të mëdha, që përfshijnë 47 fshatra me afro 40 mijë banorë, të shpërndarë në një shtirrje territoriale prej 429 km², deri në 1000 metër lartësi mbi nivelin e detit. Nuk është në filozofinë e drejtor Valent Nallbatit “nxirrja e punëve” të atij që ka zëvendësuar, por fakti është që shërbimi i shëndetit publik në Devoll deri në fund vitin 2013, sidomos në fshatrat skajorë ka qenë i braktisur, inekzistent. Madje, në afro 50% të fshatrave edhe pranë qendrës së rrethit Devoll, nuk ka pasur as mjekë, as infermierë, as mjedise shërbimi të shëndetit publik, as medikamente e pajisje minimale të shërbimit fillestar të ndihmës mjekësore! Njerëzit udhëtonin shumë orë me makina, me kafshë e në këmbë drejt Bilishtit e Korçës edhe… për 1 vizitë të thjeshtë mjekësore, apo injeksion. Ato që quheshin gjoja “qendra shëndetësore” në komuna, ishin thjeshtë gërmadha deri edhe pa xhama, pa tavane, me lagështirë, ku në vend të tavolinave përdoreshin edhe dyer kasollesh të mbështjella me batanije e arka birrash si “karrige”. Asnjë mjek zone atje ku kishte, nuk kishte regjistra për llojet dhe ecurinë e sëmundshmërive, nuk kishte as regjistra vaksinimi e depistimi të banorëve sipas grup-moshave. Nuk kishte as kontakte të mjekut të fshatit (familjes) me mjekët specialistë për trajtimin e banorëve pacientë. Kësaj rrumpalle, drejtor Valent Nallbati vendosi t’i jepte fund dhe ia arriti. Tashmë, drejtor Valenti, ka një pasqyrë” të detajuar të krejt gjendjes shëndetësore të banorëve të 4 komunave e të bashkisë së qytetit. Dhe ndryshimin e nisi nga zyrat qendrore të Shëndetit Publik të Rrethit ku ai drejton, duke i kthyer ato në një “rezidencë” moderne pune për punonjësit dhe shërbimi ndaj popullatës, deri me mjedis “park të gjelbëruar” jashtë zyrave. Ai, nuk priti të çeleshin fonde nga Ministria e Shëndetësisë, por nisi punën dhe e realizoi këtë modernizim zyrash me financat e biznesit të vet. Pamjet  e mjediseve që kemi fiksuar brenda dhe jashtë zyrave të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Bilisht, flasin vetë. Tashmë, qendrat e komunave, kanë mjekët e tyre. Kanë farmacitë, kanë shërbimin fillestar e madje bazë atje në zonën ku jetojnë. Kanë kontrollin e përhershëm të punës së mjekëve nga kjo drejtori. Kanë bilancin e punës së këtij shërbimi, që raportohet çdo javë e muaj. Është arritur të bëhen evidenca me të gjithë llojet e sëmundshmërisë dhe kategorive të grupmoshave të banorëve të fshatarëve. Punonjësit dhe nëpunësit e Drejtorisë të Shëndetit Publik Devoll, ndryshe nga më parë, nuk gjenden më kafeneve e në punë private, por në shërbim  aktiv e korrekt ndaj qytetarëve.

    Përparim HALILI