Drejtori i Ujësjellësit, Sait Dollapi sillet si sulltan!

    547
    Sigal

    Qytetarët e revoltuar: Ujësjellësi na detyron të paguajnë lekë për fatura të pakonsumuara

    Mbetet një problem i pazgjidhshëm uji i pijshëm përsa kohë Drejtoria e Ujësjellësit nuk angazhohet për zgjedhjen e problemeve të qytetarëve dhe përsa kohë nuk bëhet asnjë investim nga kjo drejtori. Qytetarët bëjnë ankesa të pafundme për mungesën e ujit, për ujin që është i pakonsumueshëm, apo për faturat e larta që vijnë. Por përgjigja që marrin është gjithmonë negative dhe zgjidhja mbetet po ashtu në mëshirë të fatit. Indiferenca e Drejtorit të Ujësjellësit Sait Dollapi i nervozon edhe më shumë qytetarët që duhet të ndeshen çdo ditë me mungesën e ujit. Ashtu si shumë zona të kryeqytetit që vuajnë mungesën e ujit edhe banorët e një pallati në rrugën “Irfan Tomini” po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej disa kohësh edhe pse i paguajnë faturat e ujit rregullisht.

    Problematika

    Disa banorë të kryeqytetit që ndodhen në një pallat në rrugën “Irfan Tomini” po bëjnë javë të tëra që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm edhe pse shprehen se janë pagues të rregullt të faturave të ujit. Këtyre banorëve prej disa javëve uji nuk u vjen fare ose u vjen me orar të limituar dhe kryesisht në mes të natës. Por edhe në ato pak raste që u vjen uji  gjatë ditës sipas banorëve uji është i pakonsumueshëm, pasi mban erë të keqe dhe nuk mund të përdoret për asnjë punë. Ankesat e këtyre banorëve kanë qenë të shumta në drejtim të Drejtorit të Ujësjellësit zotit Sait Dollapi, por përgjigja ka qenë negative. Njëra nga banoret Jozefina.T, e cila po vuan mungesën e ujit prej disa javësh shprehet shumë e revoltuar në lidhje me problemin që kanë pasur me ujin. Në një prononcim për “Telegraf”, zonja Jozefina shprehet: “Jemi të tërë pagues të rregullt të faturave të ujit dhe nuk është e drejtë që ne të vuajmë për pikën e ujit, nuk kemi më çfarë të lahemi”. Për këtë problem banorët e këtij pallati i janë drejtuar disa herë drejtorit të Ujësjellësit Sait Dollapi, por që asnjëherë nuk kanë gjetur zgjidhje. “e kam takuar personalisht zotin Sait Dollapi, dhe nuk na ka dhënë zgjidhje, aq më tepër që më është përgjigjur në mënyrë jo normale”shprehet zonja Jozefina.

    Qytetarët: Na vijnë fatura të larta dhe kur nuk e konsumojmë ujin

    Qytetarët përkrah mungesës së ujit dhe shërbimit të keq që marrin nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve, duhet të paguajnë shpeshherë edhe faturat e “kripura” që u vijnë në emër të tyre. Faturat e larta qytetarët shprehen se i paguajnë edhe kur nuk jetojnë në shtëpi dhe nuk harxhojnë ujë fare. Një faturë uji mund të shkojë deri në 37 mijë lekë të vjetra. “Unë kam paguar fatura të larta edhe kur nuk kam qenë në shtëpi. Këto fatura janë abuzive dhe normalisht që këtë nuk e vë në dyshim, sepse të paguash 40 mijë lekë kur nuk jam në shtëpi dhe nuk kam konsumuar ujë nuk ka shpjegim tjetër”, shprehet Shpresa. R në një prononcim për “Telegraf”.

    Qytetarët: Nuk e dimë ku shkojnë pagesat që bëjmë, të përmirësohet shërbimi

    Pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar shkojnë ankesa të shumta për ujin. Por ato ngrenë dhe një problem me vend në ankesat që bëjnë. Ata duan të dinë se ku shkojnë paratë që paguajnë qytetarët, përse nuk përmirësohet shërbimi? Bëhen kontrata mes Ujësjellësit dhe konsumatorit, vendosin matësit, por nuk na japin libreza thonë konsumatorët. Qytetarët thonë se “ndodh shpesh që të japin edhe lekë nënë dorë sa herë që ata dëshirojnë te heqin dhe të vendosin një matës. Po qytetarët duan të dinë se ku shkojnë lekët që mblidhen pasi nuk dihet se ku shkojnë, ku është arka apo ku depozitohen këto para. “Trumbetohet ne media e gazeta se është siguruar uji i pijshëm për çdo familje, se janë bërë investime të mëdha – a mund të pyesim ku kanë shkuar këto investime se ujë s’ka, tubacionet janë të amortizuara dhe të dëmtuara. Kanalizimet në gjendje të mjerueshme atëherë ku është puna ? Ku janë investimet?” shprehen qytetarët për “Telegraf”.

    Kanalet e ujërave të zeza të hapura, nuk merren masa nga ujësjellës kanalizimeve

    Janë disa zona në Tiranë që kanë probleme serioze me kanalet e ujërave të zeza. Disa nga lagjet problematike me ujërat e zeza janë: Lagjja e Bregut të Lumit, e njësisë nr. 11 Laprakë, Rruga Petraq Leka, rruga Shaban Bardhoshi në Njësinë nr. 6 Kombinat. Situata është  e rëndë për shkak se kanalet e ujërave të zeza janë të hapura me vite të tëra. Banorët shprehen se, “edhe kur ne jemi ankuar pranë drejtorisë së ujësjellësit na kanë thënë: Ne nuk merremi me Ju rregullojeni vete kanalet nëse doni”.