Drejtorët firojnë 25 mijë litra karburant, zhduken 45 milion lekë

    405
    Një skandal i paparë duket se ka ndodhur në harkun kohor të 45 ditëve, ku janë zhdukur pa nam e nishan mbi 25 mijë litra karburant, si pjesë e buxhetit të ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore. Gjithë kjo sasi është firuar nga drejtorë të institucioneve, duke u justifikuar “për fushatën” ose e kanë shitur ose e kanë shpërdoruar për veten e tyre, familjarët dhe miqtë. Zhdukja e një sasie kaq të madhe karburanti, e cila zakonisht jepet me limite për një kohë të përcaktuar, sjell në vëmendjen e organeve hetimore fenomenin e shpërdorimeve dhe abuzimeve nga drejtuesit e ndërmarrjeve. Duke u fshehur dhe justifikuar me gjoja “ndihmë për fushatën”, mësuam se vetëm atje nuk kanë vajtur gjithë ajo sasi e madhe karburanti. 
    Zbulimi i skandalit ka ardhur pas denoncimit të një ekonomisti në një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të Elbasanit, sipas të cilit “prej 2 javësh ose nuk kemi karburant ose marrim borxh tek firmat dhe zhysim në skandale dhe borxhe ndërmarrjen, pasi na thuhet se “tollonat i kemi dhënë për fushatën”, kur mjetet tona duhet të lëvizin orë e çast për nevojat e popullatës”. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shumë ndërmarrje dhe institucione të shtetit, ku pas porosisë së Ramës se “drejtorët ti rrinë afër fushatës”, këta të fundit e shfrytëzuan për të bërë para me pasurinë e shtetit dhe lekët e taksapaguesve. Zhdukja e mbi 25 mijë litrave karburant, mbetet një njollë e madhe dhe një skandal që duhet hetuar pa asnjë minutë vonesë nga Prokuroria dhe Krimi Ekonomik, për të nxjerrë para ligjit çdo përvetësues të parave publike. 
    Lënia e ndërmarrjeve pa asnjë litër karburant, dhe justifikimi absurd se “e kemi përdorur për fushatën”, kur fushata nuk ka mbaruar akoma, tregon se korrupsioni dhe abuzimi është edhe më i madh. E llogaritur me çmimin e tregut, 25 mijë litra karburant sot bëjnë mbi 45 milion lekë, të cilat nuk dihen se kush i ka përvetësuar dhe si kanë mundur të justifikohen shkresërisht në degët e financës së ndërmarrjeve. Këshilli i Lartë i Shtetit vazhdimisht në kontrollet e bëra ka zbuluar dhe denoncuar veç të tjerave, edhe abuzimin me sasinë e karburanteve në ndërmarrjet e shtetit, pasi është i vetmi mall që justifikohet me 100 mënyra, ku asnjëra nuk është reale. Burimet e gazetës “Telegraf” mësuan se “tashmë ekonomisti që zbuloi abuzimin tek një prej ndërmarrjeve dhe që nuk ka pranuar të firmosë shkresat me gënjeshtra, ka njoftuar edhe KLSH dhe Krimin Ekonomik, të cilat pritet të nisin kontrollet dhe hetimet”. 
    Sigal