Drejtoresha e Bankës Botërore: CEZ na zhgënjeu, nuk do të ekzekutojmë garancinë!

721
Sigal

Banka Botërore nuk do të ekzekutojë garancinë prej 60 milionë euro për kompaninë CEZ Shpërndarje”, një fakt të tillë e ka bërë të ditur vetë Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Jane Armitage, në një takim me median në përfundim të mandatit të saj. “BB është shumë e zhgënjyer nga rezultatet e privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes”, tha Jane Armitage. “Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer lidhur me privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë. Të gjithë prisnin që CEZ të ulte humbjet teknike dhe financiare dhe të përmirësonte mbledhjen e faturave nga konsumatorët”, theksoi ajo. Në lidhje më CEZ, zonjës Artimage ju bënë disa pyetje nga gazetarët në konferencën për shtyp , të cilave zonja Artimage u është përgjigjur si më poshtë.

Nertila Maho: Gazeta “Panorama”: Qendra e shoqërisë “CEZ” në Pragë u shpreh se po shikojnë mundësinë e tërheqjes nga Shqipëria dhe u shpreh gjithashtu se po shikojnë mundësinë që të kërkojnë ekzekutimin e garancisë së Bankës Botërore prej rreth 60 milionë euro. A është e gatshme Banka Botërore të bëjë ekzekutimin e garancisë së Bankës Botërore?

-Jane Armitage: Në lidhje me sektorin energjetik, jemi tejet të zhgënjyer nga rezultati i privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ne kemi qenë shumë të angazhuar në ndihmën që i kemi dhënë qeverisë për të ardhur në vendimin për të bërë privatizimin. Si IFC-ja ashtu edhe Banka Botërore kanë dhënë shumë këshillim teknik dhe kemi mbështetur si vendimin për të bërë privatizimin ashtu edhe procesin e realizuar, i cili ka qenë transparent dhe kompetitiv. Kur garën për privatizimin e fitoi shoqëria “CEZ” na u bë qejfi sepse CEZ ka një reputacion global, është një shoqëri me shumë përvojë, ka përvojë në këtë fushë dhe asokohe në botë dhe në rajon kishte shumë shembuj të suksesshëm të privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke përfshirë edhe disa përvoja të suksesshme të CEZ-it. Mirëpo, përvoja këtu nuk ka qenë e suksesshme në asnjë aspekt. Sa i takon shoqërisë “CEZ” jemi tejet të zhgënjyer. Kjo shoqëri nuk ka qenë në gjendje t’i zvogëlojë humbjet teknike dhe tregtare, objektiv i pritur prej tyre. Madje, këto humbje janë rritur. Kjo shoqëri nuk ka qenë në gjendje ta rrisë nivelin e faturimit dhe arkëtimit, madje situata është përkeqësuar. Plani ka qenë tërësisht ndryshe. Situata ka qenë tërësisht zhgënjyese. Siç ju thashë, CEZ është një shoqëri me përvojë dhe ka shumë sukses në botë, por, të paktën, këtu duket se ekipi i saj në terren nuk ka qenë në gjendje të realizojë përmirësimet e pritura. Në të njëjtën kohë, institucionet shtetërore dhe konsumatorët nuk i paguajnë faturat e energjisë. Në një treg të qëndrueshëm energjetik është e nevojshme që të gjitha palët të luajnë rulet e tyre dhe është thelbësore që si konsumatorët ashtu edhe institucionet shtetërore t’i paguajnë faturat dhe t’i pranojnë rritjet e tarifave, kështu që edhe nga ana a tyre ka pasur mospërmbushje të pritshmërisë. Pra, situata është shumë e vështirë. Qeveria dhe CEZ janë duke negociuar. Duket se të dyja palët po kërkojnë një rrugëdalje. Por, unë nuk mendoj se është mirë të komentoj pikërisht tani për negociatat, të cilat ndodhen në një fazë shumë delikate. Të dyja palët kanë angazhuar juristë dhe do të angazhohen në negociata intensive. Sigurisht ne nuk jemi të gatshëm për ta ekzekutuar dorëzaninë tonë në këtë pikë. Ka shumë negociata ligjore që duhen bërë gjatë muajve të në vijim. Do t’i japim qeverisë sa më shumë mbështetje gjatë muajve të ardhshëm gjatë këtyre negociata, por ndërkohë po përgatisim edhe një kredi emergjente për energjinë e cila do ta ndihmojë qeverinë të financojë importimin e energjisë elektrike, si edhe për të vijuar me reformat në mënyrë që të sektori të vendoset në një bazë të qëndrueshme. Kjo përbën një prioritet të parë për ne. Po punojmë për një kredi 100 milionë dollarë për Shqipërinë, për sektorin energjetik, mbi baza emergjence.

-Ilirian Agolli, Voice of America: A mendoni se do të ishte më mirë që t’i jepej një kohë shtesë CEZ-it për t’i përmirësuar treguesit?.

Jane Armitage: Ne jemi përpjekur ta nxisim qeverinë dhe shoqërinë “CEZ” për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet gjatë vitit të fundit. Ka pasur shumë takime të tilla. Në këtë pikë, ka një mungesë besimi nga të dyja palët, dhe në këtë pikë është një lidhje martesore drejt divorcit. Por, keni të drejtë kur thoni se problemet mbeten po ato. Rritja e tarifave, rritja e faturim-arkëtimit, investime madhore për zvogëlimin e humbjeve teknike dhe tregtare. Me këto probleme do të përballej edhe një shoqëri e re tregtare. Druaj se, në këtë pikë, nuk ka më kohë. Ka pasur shumë përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet shoqërisë “CEZ” dhe qeverisë dhe unë mendoj se në këtë pikë, zgjedhja që mbetet gjatë muajve të ardhshëm është divorci.

Benet Koleka, Reuters: Siç e thatë edhe ju, Banka Botërore ka qenë “shkuesi” i “martesës”, por edhe “avokati” dhe ju përmendët edhe faktin se ka një “prikë” në rast problemi. Tani thoni se në këtë fazë delikate të negociatave, nuk do ta ekzekutoni dorëzaninë.

Jane Armitage: E saktë.

-Benet Koleka, Reuters: Pra, nuk bëhet fjalë fare për ekzekutim dorëzanie, ndërkohë që qeveria do të marrë 100 milion dollarë, sektori privat i përfaqësuar nga shoqëria “CEZ”…

-Jane Armitage: Nuk është mirë të komentoj për rezultatin. E vërteta është se ne kemi ofruar një dorëzani me mbulim të pjesshëm të riskut. Por jo “prikë” … nuk bëhet fjalë për një dhuratë nga Banka Botërore. Nëse ekzekutohet, kjo do të ishte një kredi që merr Shqipëria. Pra, nëse ekzekutohej CEZ-i do të merrte dorëzaninë me mbulim të pjesshëm të riskut, pra CEZ-i do të merrte paratë, ndërsa qeverisë do t’i duhej të shlyente kredinë. Pra, nuk është aspak një “prikë” nga ato që ta jep kumbara. Nëse zbatohet dorëzania, atëherë Qeveria e Shqipërisë do të kishte detyrimin të merrte një kredi tjetër shtesë. Pra, mendoj që më mirë t’ia lëmë juristëve të merren me këtë e të vendosin nëse duhet përdorur apo jo dorëzania në fjalë.