“Drejtësia” e Hasan Zyko Kamberit

639
Sigal

Nga Vangjush Saro

Është e njohur për të gjithë vjersha e hershme e poetit Hasan Zyko Kamberi “Paraja”. Motivet mbi të cilat është ngritur ajo, kishin të bënin me një sistem tejet të prapambetur, që i zbatuar në provincën më të largët të Perandorisë Osmane, ngjante edhe më qesharak. Në këtë pjesë të Ballkanit e të Evropës, ku shqiptarët sot kanë shtetin e tyre, madje kanë dy shtete, motivet e mësipërme janë zbukuruar, ‘këndohen’ disi ndryshe, por në thelb janë po ato. Pa i futur të gjithë në një thes e, duke mos i paragjykuar përpjekjet për transformim, por duke pasur parasysh problemet e shumta, të pozuara gjatë gjithë kohës, mund të thuhet se Drejtësia e sotme ka përparuar vetëm në terma, në veshje, në paga dhe në… zarfa. Për të tjerat, është po ajo.

Një koleksionist i njohur, jeta e të cilit pati tallazet e veta, ka formuluar akuza të rënda ndaj Kryeministrit Edi Rama: që nga ndalimet në kohën që ka jetuar në Francë, te vjedhja e ikonave; madje thotë se ai ka dashur ta zhdukë atë… Është shumë e thjeshtë të verifikohet ky mal me akuza dhe mandej njëri nga këta personazhe, të paguajë: me kuletë ose me burg, si ta ketë parashikuar ligji. Por ‘Drejtësia’ jonë është më keq se ajo e Hasan Zyko Kamberit. Ajo bën sikur ndryshon, sikur reformohet; në fakt, shton tekstet, ribën ligjet dhe urdhëresat, paguhet gjithnjë e më mirë, por mbetet e njëjta. Kryeministrin e kanë akuzuar edhe për çështje të tjera, qoftë të tilla që kanë të bëjnë me luftën politiken (vjedhja e votave) apo asi që kanë të bëjnë me shtetin; ka pasur edhe akuza të tjera vetjake, si ajo e ndërtuesit Dine Fratari. Aty, nëpër këmbët e ‘Drejtësisë’, kanë mbetur edhe një sërë akuza për kreun e Opozitës, z. Lulëzim Basha: që nga Rruga e Kombit te paratë e rusëve… Por drejtësia (në të gjitha episodet) hesht ose bën ca hapa si nëpër ëndërr; hapa që nuk të çojnë askund.

Akuza edhe më të përbindshme janë formuluar ndaj ish-Presdentit dhe ish-Kryeministrit më të përfolur të Shqipërisë, z. Sali Berisha. (“Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” J. V. Gëte) Dhe ‘Drejtësia’ nuk ia ka dalë asnjëherë të kapet me të. Por ajo shumë mirë kapet me ndonjë që s’paguan dritat ose me ndonjë tjetër që di ta luajë paranë… Kështu, në hezitime dhe në mosveprim kalon vit pas viti, dekadë pas dekade. Viti 97. Gërdeci. 21 janari. Çfarë ishte ky i fundit? Po ndalem pak, meqë e kam parë nga afër. Vendi qe në krizë. Njerëzit ishin të acaruar. U deklarua një protestë e madhe. PS tha se nuk merrej me të; (doemos, demagogji) dhe se… nuk mbante përgjegjësi ç’mund të ndodhte. Në fakt, protesat ishte ndër më të mëdhatë që kemi parë, para dhe pas vitit ’90. (Isha aty me një mikun tim, mund të thuhet thjesht si kureshtarë.) Turma të mëdha u dyndën në bulevardin kryesor të kryeqytetit; ndoshta si asnjëherë. Edhe pse hapësira midis Kryeministrisë dhe zyrave të Kuvendit, gjer në sheshin Nënë Tereza, ishte plot njerëz, nga qendra e kryeqytetit vazhdonin të vinin të tjerë… Shumë. Nuk kisha parë asnjëherë kaq shumë. Fillimisht, nuk kishte ende as parrulla, as thirrje, asgjë, thjesht turma lëvizte e sa vinte fryhej. Papritur, u dëgjuan shkopinjtë e gomës që kërcitën atje ku dendësia e njerëzve ishte më e madhe. Fill pas kësaj, pa asnjë paralajmërim, demonstruesit u sulmuan me gaz lotësjellës; a ku di ç’ishte. U krijua një makth, një frikë. Njerëzit, shumica, u çoroditën dhe s’dinin nga t’ia mbanin. Forcat e rendit filluan raprezaljen.  Një pjesë e demonstruesve – nuk mund të them nëse ishin të përgatitur e të yshtur për këtë apo jo – qëndruan gjatë para Kryeministrisë dhe u përleshën me forcat e rendit; u shkallmua dera e jashtme e gardhit të Kryeministrisë nga një veturë Benc 240; pastaj kërcitën plumbat. U vranë katër të pafajshëm. Njerëzit u shpërndanë.

Duan të thonë se e gjithë ajo histori lidhet me të tjerë njerëz e me të tjera video… Mund të ketë abuzime edhe në jetën dhe veprimtarinë e atyre që përgojohen, se pjesë e politikës shqiptare, të paformatuar si duhet, janë edhe ata; por duhet të themi që nuk kanë vrarë, sikundër janë akuzuar dhe po akuzohen disa që mbahen si ‘të fortë’. (Megjithëse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, në protestat e shumta e të dhunshme të opozitës gjatë vitit të shkuar, ndonjërën prej të cilave gjithashtu pata mundësinë ta ndiqja gjithaq në trishtim, nuk u lëndua askush.)

Ani. Problemi ynë i madh, siç është thënë edhe tjetër herë – me modesti, edhe nga autori i këtyre radhëve – është ikja nga e vërteta, frika prej saj, ‘zbukurimi’ apo mbulimi i episodit më të afërt me demagogji dhe, për fat të keq, me… skandalet e radhës. Në këtë përvojë të hidhur gati tridhjetëvjeçare, hezitime të tilla janë të shumta, veç atyre që cekëm më lart; dhe ‘drejtësia’ jonë nuk ka mundur asnjëherë t’i interpretojë si duhet. Kështu, krimi ka zënë krimin, është mbrujtur me pushtet, me para, është bërë skorje; dhe institucionet e reja, me emra dhe iniciale të çuditshme, siç kam shkruar edhe më parë, nuk e kanë të lehtë të vënë dorë. Por taksapaguesit shqiptarë e, madje edhe ata evropianë, ua kanë krijuar të gjitha kushtet për të vepruar. Dhe ata po presin… (“E vërteta do ngrihet mbi falsitetin si vaji mbi ujë.” M. Servantes)