‘Drejtësia’, Basha: Ligjet nuk mund të kalojnë tani, shkelet Kushtetuta

424
Kryetari demokrat Lulzim Basha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka folur për reformën në drejtësi. Ai tha se opozita është e gatshme në çdo kohë të punojë për të përfunduar procesin për reformën. I pyetur nëse PD ka pakënaqësi nga projektligji, ai tha se ekspertët e partisë së tij ende nuk e kanë shqyrtuar. Basha është shprehur se 7 ligjet nuk mund të kalojnë ditën e nesërme pasi, sipas tij, është në shkelje të kushtetutës.
“Nuk mund të kalojnë, sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurd që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur kushtetutën e vendit, por PD ka shprehur gatishmërinë për të nisur punën me ekspertët për të shqyrtuar për draftin për Vettingun, në mënyrë që mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit”.
“Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë vonë dhe do të bëhen publike sugjerimet tona. Nuk mund t’ua them, sepse ekspertët tanë nuk e kanë shqyrtuar ende dhe sapo të ndodhë do të ketë një reagim, – tha kryeopozitari për VOA. – Opozita është e gatshme të sakrifikojë nga ditët e pushimeve zyrtare për reformën, e rëndësishme është që mazhoranca të mos punojë me hile. Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin. PD është e vendosur t’u japë shqiptarëve një reformë sipas standardeve dhe nuk kemi pasur asnjë mëdyshje për reformën në drejtësi”, tha Basha.
Sigal