Drama e mbijetesës e familjes rome

    412
    Familjet rome në Shqipëri jo gjithmonë pranohen si të barabarta me të tjerët. Ka persona të cilët mbijetojnë duke kërkuar lëmoshë nëpër qoshet e rrugicave, ka nga ata që mundohen të mbledhin sende “të vlefshme” nëpër kazana mbeturinash dhe më pas i shesin, por ka edhe persona të cilët mbijetojnë duke punuar e duke derdhur djersë në mënyrën më vulgare. Por skamja e tyre vazhdon edhe më tej. Një familje rome në afërsi të qytetit të Fierit, e përbërë nga 4 persona, dy prindërit dhe dy fëmijë të vegjël, nuk jetojnë në kushte normale, ose më saktë ata nuk jetojnë, por mundohen të mbijetojnë. Si shtëpi të tyren kanë një tendë të ndërtuar me shkopinj dhe të rrethuar me plasmas. Ata nuk kanë as kushtet më minimale të jetesës, hanë në një vend, flenë në tokë duke bërë kështu që të vuajnë nga sëmundje nga më të ndryshmet. Nuk kanë rroba, vishen me rrecka të grisura dhe në pamundësi të kushtevë dhe të një dushi ata rrijnë pa u larë për ditë të tëra. 

    Por ajo që është më e rëndë në këtë familje rome, është puna që bëjnë kryefamiljari me gruan e tij. Për të mbijetuar dhe për të mbajtur fëmijët e tyrë me bukë, siç shprehen ata për gazetën “Telegraf”, janë të detyruar të punojnë në vend të kafshëve. Ata punojnë në disa toka të mëdha duke tërhequr parmendën në vend të kuajve. Duket diçka e pabesueshme për dikë që bën një jetë normale, por është mëse e vërtetë. Kjo është pjesë e përditshmërisë së tyre. Tërheqin plugun dhe parmendën gjatë gjithë ditës duke u shndërruar kështu në “kafshë punëtore”. Kur u pyetën se pse ata punojnë në këtë lloj mënyre u përgjigjën se nuk kanë me çfarë të merren tjetër. Askush nuk i pranon në një punë të denjë për një njeri për shkak të statusit të tyre social. “Jemi me fat që kemi një punë më të cilën mbajmë fëmijët me bukë, se përndryshe do kishim vdekur me kohë prej mungesës së ushqimit dhe nevojave të tjera që kemi”, tha gruaja rome me sytë mbushur me lot. “Ndonjë kalimtar i rastit, që na sheh dhe ndjen keqardhje për ne, ndalon dhe na jep ndonjë lekë, madje disa djem të rinj që ishin nisur për pushime, ndaluan makinën dhe na pyetëm se pse jetonim në këtë gjendje dhe pse nuk i kërkonim ndihmë shtetit. Madje ata i blenë rroba të reja fëmijëve. Këtu vërtetuam se ka akoma njuerëz të mirë”, vijon ajo. Fëmijët ishin të vegjël. Nuk kishin shkuar ndonjëherë në shkollë dhe shprehnin dëshirën për të njohur bankat e shkollës. Ata grumbullonin librat që gjenin në ndonjë vend dhe shihnin figurat tërë kërshëri, sepse shkronjat nuk i njihnin. Kjo është drama e familjeve rome në vendin tonë, të cilat shpërfillen nga të gjithë dhe detyrohen të punojnë në punë të cilat janë për kafshët dhe shfrytëzohen si të tillë. 
    Sigal