Drago Siliqi/ATDHEU

    421
    Sigal

    Kudo që fati të të çojë
    Me mija vërste larg shtëpisë,
    Në zemër ndjen të të randojë
    Një ndjenjë si plumbi mu në sisë.

    Të të randojë ndien një dëshirë,
    Një peshë e randë, një copëz dhe,
    Që të mban lidhë në hapësirë
    Me dhenë e vendit ku ke le.

    Atdheun nuk e ndjejshe fare,
    Kur je përditë në gji të tij,
    S’të kap ty etja mundimtare
    Kur ke burimin pranë dhe pi.

    Deti, çdo orë që e vështron,
    Përshtypje s’t’ban, me te je rritë
    Se ke nevojë nuk e kupton
    Për thellësinë e tij çdo ditë.

    Malet e nalta deri në re
    Të duken mure të shtëpisë
    dhe s’i ven re ti naltësisë,
    pa t’cilën dot nuk rron mbi dhe.

    Kupa e qiellit – kaltërsi
    Çati të duket dhe s’e ndien,
    Se pa kte ajër – pastërti
    Të zihet fryma, gjoksi t’zien.

    Dhe ai varr nën, atë dulli,
    N’pikëllimin tand kaq shumë a shkri,
    Sa ti s’e di, sa ti s’e di
    Se ç’forcë magneti ka ai.

    Atdheun nuk e ndjejshe fare,
    Kur je përditë në gji të tij,
    S’të kap ty etja mundimtare
    Kur ke burimin pranë dhe pi.

    1953