Dr. Vjollca Lubonja/ Skandali me tekstet, zgjidhet me telefon nga Ministria

    599
    Për vite dhe muaj po diskutohet fati i Altertekstit. Pritet me ditë dhe me orë të jepet një vendim zyrtar: Do ketë apo nuk do ketë tekste mësimore alternative? Ka kohë që zien “kazani”. Ka nisur të vihet në dyshim dhe të sulmohet kjo reformë që nga 4-vjeçari i dytë i qeverisë së djathtë, madje sulmet erdhën jo vetëm nga opozita, por edhe nga brenda së djathtës, në emër të ndryshimeve “përmirësuese” të tij. Këto ndryshime, që në fakt ishin thjesht shtrembërime të reformës, artifice, çuan në një shthurje të vetë sistemit të konkurrimit, të miratimit, të përzgjedhjes së librit etj. Kështu u ndryshuan kriteret e konkurrimit, ku jo vetëm botuesit, por edhe distributorët mund të futeshin me tekste me autorë krejt të panjohur dhe pa asnjë përvojë në fushën e hartimit të teksteve shkollore, apo me libra-stoqe të gjuhëve të huaja të sjellë nga magazinat e përtej kufirit, që nuk lidheshin aspak as me njëri-tjetrin nga klasa në klasë, as me strukturën e shkollës sonë, as me planet dhe programet mësimore. Pra, nuk i përgjigjeshin Kurrikulës tonë Kombëtare. U vendos që apriori t’u jepeshin pikë plus teksteve që kishin autorë me grada shkencore, madje edhe me diferencim pikësh nga grada doktor dhe deri tetitulli profesor. Filluan të pranoheshin tekste edhe me specifika teknike që cënonin cilësinë e librit si: ulje e gramaturës së letrës dhe e kopertinave, ndryshime për kriteret e fletoreve të punës (nga fletore me 4 ngjyra në fletore bardhezi), apo akoma më tej, për të ulur koston e botimit dhe për të rritur fitimin, lidheshin bashkë me një kopertinë libri i nxënësit me fletoren e punës (gjysma e librit me 4 ngjyra dhe gjysma bardhezi) etj.
    Korruptimi i Drejtorive Arsimore
    Kjo ishte ana që dukej, por ana e kamufluar, ajo e përzgjedhjes së teksteve, ishte edhe më shkatërruese për imazhin e Altertekstit. Fillonte lobimi nga vetë botuesit të cilët shkonin e korruptonin drejtorin e Drejtorisë Arsimore, drejtorin e shkollës, kryetarin e komisionit lëndor deri dhe mësuesit duke u premtuar përqindje nga shitja. Kishte dhe premtime qesharake si specializim të mësuesve brenda dhe jashtë vendit, për të shkuar më tej te përzgjedhja e librave të kësaj apo asaj shtëpie botuese (“sepse janë tanët”) nëpërmjet telefonatave që bëheshin nga zyrat e MASH-it. Në 4-vjeçarin e parë të reformës, ‘specimene’ (mostra) të teksteve fituese çoheshin në çdo shkollë dhe për këto mostra, që kapnin minimalisht tirazhin e 2000 kopjeve, botuesit paguheshin nga shteti. Ndërsa në 4-vjeçarin e dytë të reformës, për arsye të mosmbulimit financiar nga shteti i teksteve-mostra, u ra dakord që botuesit të dërgonin falas 5-10 kopje librash për lëndë në çdo rreth. Kjo e thelloi edhe më shumë korrupsionin dhe luftën brenda llojit, pasi shumë libra nuk arrinin deri te mësuesi. Edhe pse kjo u besohej drejtorive ose zyrave arsimore, tekstet-mostra fshiheshin nga inspektorët kundrejt një “shpërblimi” ofruar nga shtëpitë botuese. Shpesh, edhe shpërndarësit tanë të përbashkët luanin lojën e asaj shtëpie botuese që ofronte % më të lartë në përgjedhje dhe në shitje. Dhe jam e bindur se në shumë nga bibliotekat e shkollave mungojnë mjaft tituj librash që sot rezultojnë, sipas testimit më të fundit të MAS-it, si më pak të përzgjedhur në shkollë, pra me përqindje të ulët zgjedhjeje. 
    Zgjedhja e gabuar e teksteve
    Gjithashtu, nën trysninë e drejtuesve të arsimit apo joshjes nga botuesit, shpesh mësuesit bënin zgjedhjen e gabuar, që u kthehej më pas në bumerang pasi reflektohej në orë mësimi të dështuara, në prindër të irrituar nga rezultatet e fëmijëve të tyre, nga nxënës të painteresuar për librin, madje të fyer nga niveli i ulët i tyre. Duhet theksuar, për hir të së vërtetës, se edhe koha që u lihej hartuesve të programeve, autorëve të teksteve si dhe mësuesve për përzgjedhje, ishte shumë e kufizuar. Dhe në të gjitha hallkat e saj, Reforma e Altertekstit bëhej si “me vrap”. Pra, nga sa munda të radhis pak më lartë, por edhe për shumë arsye të tjera subjektive dhe objektive, që nuk i takojnë drejtpërdrejt Altertekstit, por që ndikuan tek ai, Alterteksti mori një krisje dhe misioni i tij u komprometua. Nuk kishte më filtër për ta penguar futjen e teksteve të dobëta në shkollë. Gati çdo vit, me nxitjen e disa shtëpive botuese klienteliste të politikës së atëhershme dhe me mbështetjen e vetë politikës, që e gjykoi të arsyeshme t’i futej edhe këtij biznesi, u shfaq rikonkurimi. Pra, shthurja e Altertekstit erdhi së pari nëpërmjet rikonkurimeve edhe për lëndët që tashmë i kishin alternativat e tyre në shkollë. Modelimi i ri i reformës me rihapjen e konkurseve për herë të tretë apo të pestë, vetëm për të ngopur oreksin në rritje të disa botuesve, ortakë me politikën, nuk kishte të bënte aspak me zhvillimin përmirësues të reformës, por me deformimin e saj. Këtë e faktojnë jo vetëm prurjet e dobëta që erdhën në shkolla, me autorë anonimë dhe pa kapacitete intelektuale dhe profesionale të mjaftueshme, por edhe vetë shfaqja e disa shtëpive botuese, ku përfaqësimi i tyre me administratorë me shkollë të mesme, kioskaxhinj librash, makinistë shtypshkronjash etj., linte shumë për të dëshiruar. 60-70 % e botuesve nuk e dinë se çfarë përfaqëson Alterteksti, Kurrikula dhe nuk i kanë lexuar kurrë librat shkollorë që kanë sot në treg. 
    Përpjekjet për kurrikulën e re
    Gjatë viteve 1993-2006, pati një investim kualifikues nga shumë shoqata dhe organizma kombëtare dhe ndërkombëtare, të lidhura me arsimin apo të ndjeshme ndaj zhvillimit të tij, ku do të veçoja fondacionin “Soros”, Këshillin Britanik, Bankën Botërore, Ambasadën amerikane, Ambasadën franceze, Ambasadën Italiane, Ministrinë Franceze të Edukimit, Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës etj. për kualifikimin e punonjësve të SHBLSH-së në përgjithësi dhe stafit drejtues në veçanti, të autorëve dhe specialistëve të institucioneve në vartësi të MASH-it, për specializimin e mëtejshëm të tyre brenda dhe jashtë vendit, pra të individëve dhe grupeve të caktuara që do të merreshin drejtpërdrejt me Kurrikulën e re, si hartues progamesh, autorë tekstesh apo koordinatorë dhe formatorë të mësuesve. Janë me dhjetëra e qindra bursa, seminare dhe vizita pune që i kanë paraprirë Reformës së Altertekstit. Reforma e Altertekstit është një politikë arsimore europiane, madje shumë më e gjerë, botërore, ku përjashtim bëjnë vetëm vendet diktatoriale si Kuba, Koreja e Veriut etj. apo vende me probleme të theksuara etnike dhe fetare si Qiproja, Maqedonia etj. Pra, Reforma e Altertekstit nuk ishte një gjetje e rastësishme, që sot ta gjykojmë me një fjalë të vetme: “S’bën”. Ajo u ngrit dhe nisi jetë në vitin 2006 si një nga reformat më të suksesshme në vend. Alterteksti ishte reforma zhvilluese e shkollës, e arsimit dhe e mbarë shoqërisë, ishte pjesë e pandashme e reformës së jetës të çliruar nga kufizimet e para ’90-tës, ishte reforma e jetës së hapur, e shprehjes së diversitetit të mendimit, të veprimit dhe zgjedhjes së lirë, e mundësive, e shanseve të barabarta, që erdhi natyrshëm me rënien e shtetit totalitar, monist-monopolist. Gjatë 4-vjeçarit të parë Reforma e Altertekstit pati zhvillime të dukshme si në mënyrën e organizmit nëpërmjet BOMIT-it, brenda godinës së MASH-it, por e pavarur prej saj, e pavarur politikisht, ashtu dhe nga kërkesat në rritje për sigurimin e cilësisë së teksteve, të respektimit me rigorozitet të afateve në çdo fazë të zhvillimit të saj, në respektimin e vullnetit të mësuesve në përzgjedhje etj. Në 4-vjeçarin e dytë dhe më pas, madje edhe sot, politika, interesat, klientelizmi, mungesa e profesionalizmit, korrupsioni etj. e gërryen dhe e shpërfytyruan Altertekstin duke e bërë të urryer për mbarë opinionin, shpesh edhe për ne që me dëshirë u bëmë pjesë e saj.
    Çfarë po bëhet sot me këtë reformë? 
    Të kthehesh te përkthimi i librave, qofshin këto edhe nga Oksfordi etj., është për mendimin tim një kthim te vitet ’50-’60, kur në mungesë të akademikëve, intelektualëve dhe kuadrove specialistë të fushave të ndryshme, u morën librat rusë dhe u përkthyen, u përshtatën për shkollën tonë. Injorimi i intelektualëve shqiptarë, i stafit akademik profesorat, i didaktëve e specialistëve të arsimit, duke i përjashtuar nga hartimi i teksteve për lëndët natyrore ose për gjuhët e huaja, është një fyerje shumë e madhe që u bëhet këtyre personaliteteve të arsimit dhe të edukimit, duke i cilësuar si “të paaftë”, si “kopjacë” etj. Ata që shprehen kështu, janë nihilistë ose snobë, mosmirënjohës të mësuesve dhe pedagogëve të tyre që i kanë mësuar dhe aftësuar për të përballuar sot sfidat e jetës apo edhe për të ngritur e drejtuar me sukses bizneset e tyre. Por mund të jenë edhe dështakë, siç mund të jenë edhe fodullë që mendojnë se “pranvera vjen me një lule” dhe kjo lule është vetëm mendimi i tyre kritizer, shpesh joobjektiv etj. Sigurisht që ka dhe autorë mediokë, por tre-katër dru të shtrembër nuk duhet të na çojnë të presim pyllin.
    MAS shkon drejt monopolit të librit
    Kalimi nga alterteksti në monotekst, qoftë me tekste të përkthyera ose metodika të importuara, qoftë me teskte të paracaktuar fitues (pasi MAS-i e ka vetcaktuar grupin e autorëve për tekstet e historisë), qoftë edhe konkurrimi i “hapur” ku fitues do dalë vetëm një tekt (për lëndët shoqërore), pra fitues vetëm një shtëpi botuese, tregon qartazi si po shkohet drejt monopolizimit të tregut të librave shkollorë. Madje dhe vonesat nga MAS-i në njoftimet për shpallje të ndryshimeve në kurrikula, në shpalljen e listës së teksteve që përfshihen në konkurrim, i ndryshimit të herëpashershëm i kësaj liste, lënia e një afati tejet minimal për hartimin e teksteve të reja (vetëm 52 ditë!!) si dhe të shumë rrethanave të tjera, tregojnë se tashmë janë ndarë “zonat”. Çdo përpjekje për t’u kthyer te monoteksti është regres, është kthim në vitet e para ’90-tës. Të më falin lexuesit që u zgjata, por nuk mund të lë pa trajtuar edhe dy çështje shumë të rëndësishme në këtë shkrim, atë të testimit apo mbledhjes së vërejtjeve të MAS-it nga mësuesit, jo vetëm për tekstet shkollore që u bënë me të drejtë objekt diskutimesh në median e shkruar dhe elektronike dhe që, me po kaq të drejtë, shqetësuan mbarë opinionin, por edhe për të gjitha tekstet që përmbante katalogu i MAS-it. Nga ky “aksion” investigues, sipas MAS-it, dolën mbi 2000 fashikuj me vërejtje, të cilat u panë vetëm nga ne botuesit dhe na u la e lirë që së bashku me grupet e autorëve të reflektonim ato vërjtje që i shihnim të arsyeshme, por që më pas as që u kontrolluan nga MAS-i nëse u realizuan, sa u realizuan dhe pse nuk u reflektuan. Përsëri na u besua ne botuesve që të bënim listën e botimeve që duhet të hiqnim nga katalogu dhe, me sa jam në dijeni, sipas shifrave të MAS-it, rezultojnë 120 tituj të hequr. Por a u skarcuan vërtet të gjitha tekstet e dobëta nga katalogu i MAS-it? Pse nuk u bënë publike këto 2000 faqe vërejtje? 
    Përgjegjësia e botuesve
    Personalisht jam shprehur që në takimin e parë në MAS, kur u thirrëm për këtë problem, madje dhe më pas, që ne botuesit duhet të mbanim përgjegjësi individuale për çfarë i kishim dhënë shkollës. Gjithashtu botimi i këtyre vërejtjeve do të sillte debat duke evidentuar, pse jo, edhe kotësinë e shumë vërejtjeve të bëra nga mësuesit. Kjo do të tregonte realisht edhe nivelin profesional të mësuesve që kishin bërë këto vërejtje. Pra, në të dyja rastet MAS-i do dinte t’i orientonte politikat e saja, ose duke mbajtuar qëndrim ndaj botuesve të papërgjegjshëm dhe autorëve mediokër, ose do konkludonte se ku duhet të drejtonte kualifikimin e mësuesve, nëse vërejtjet nuk qëndronin. Dy javë pas shpalljes së kësaj liste, personalisht kam depozituar në MAS librat apo pjesë nga disa libra që përmbanin jo vetëm gafa shkencore, konceptuale, kopjime të metodikave të huaja (të konkretizuara me nr. faqe dhe titull metode), por dhe me mospërputhje me temat e programit, me mangësi informacioni gjuhësor etj. Këtë veprim e bëra për të ndihmuar në spastrimin e katalogut nga libra cilësisht të dobët. Por edhe sot e kësaj dite nuk pata një përgjigje zyrtare. Me interesimin tim, m’u tha se “tekstet e gjuhëve të huaja po hetohen”. E skandalizuar nga kjo përgjigje, dhënë fatmirësisht gojarisht dhe te shkallët e MAS-it, jo brenda zyrave të saj, u mundova të ngushëlloj veten se kjo do jetë një lapsus, por thellë-thellë mendova: “Edhe kjo na duhet, të kemi në MAS njerëz kaq joprofesionalë, sa të mos njohin regjistrin gjuhësor të institucionit ku punojnë”. Por akoma më flagrante shfaqet problemi, kur pas votimit të fundprillit 2015, që ndërmori MAS-i për tekstet me të cilat mësuesit duan të punojnë vitin e ardhshëm, rezultojnë se pikërisht këta libra, të faktur (e zeza mbi të bardhë) me gabime dhe mangësi, me plagjatura dhe kopjime, kanë % më të lartë të përzgjedhjes nga shkollat në krahasim me librat që kanë autorë të specializuar në Francë, libra të vlerësuar nga profesorë të mirënjohur në Qendrën e Gjuhëve të Aplikuara (CLA) në Bezançon të Francës.
    Pra, ç’mund të them më shumë për këta mësues? 
    Ose janë në atë nivel sa vihet në dyshim diploma e tyre, ose janë zënë ngushtë nga ndonjë drejtor i ri. Gjithësesi, përgjegjësia, sipas meje, është e MAS-it që i la në katalog, në vend që t’i hiqte pasi të ndërmerrte një veprim investigues me specialistë. Duke iu kthyer edhe një herë problemit të Altertekstit, do të theksoja, si mësuese, pedagoge, metodiste, autore dhe botuese, se Reforma e Altertekstit nuk duhet të zhbëhet. Ajo duhet vetëm të ridimensionohet. Në konkurset që do organizohen nga MAS-i (edhe për ca kohë kështu do vazhdojë te ne), duhet të ngrihet lart “steka e vlerësimit”. Madje, edhe nëse këtë stekë e kalojnë 2-4 alternativa, kjo s’ka pse të na shqetësojë, përkundrazi, kjo do tregojë vlerat intelektuale të autorëve, mundësi zgjedhjeje për mësuesit, libra më cilësorë për nxënësit dhe në fund, më shumë punë për të gjithë: autorë, mësues, didaktë, intelektualë, punonjës të shtypshkronjave, librarë etj. Së fundi, mendoj se MAS-i duhet ta thellojë më shumë punën për të përcaktuar qartazi modelin e shkollës tonë, duke u marrë më profesionalisht me politikat kurrikulare, me ridimensionimin e Reformës së Altertekstit. Ka akoma shumë punë për të bërë edhe me programet e reja të saposhfaqura në faqen e saj zyrtare, ku kërkohet, siç e thashë edhe mëlart, që për 52 ditë të bëhen tekste të reja më të mira nga këto që kemi (një tekst kërkon normalisht 6-12 muaj kohë për t’u hartuar), duhet të kërkojë nga specialistët e saj, grupet hartuese të programeve të reja t’i rikontrollojë edhe një herë këto programe, sepse ka disa mospërputhje mes nivelit të kompetencave me grupmoshën e nxënësve që u drejtohen, duhet të rikontrollojë tematikat në programet e reja, se ka shumë përsëritje, gati njësime temash si brenda një programi lëndor, ashtu dhe nga klasa në klasë. Unë do sugjeroja edhe hartimin e “portofoljove’ lëndore, si dokument standardizues, ballafaques me atë çfarë mësojnë realisht nxënësit tanë duke e krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara. Njëherazi me programet dhe tekstet e reja duhet detyrimisht të fillojë puna edhe me kualifikimin e mësuesve. Por, kujdes! Kualifikimi të bëhet nga struktura të pavarura nga MAS-i, pasi ka zëra se punonjës të institucioneve vartëse të MAS-it, ditën trajnojnë mësuesit dhe natën punojnë me Shtëpitë Botuese. U bë Alterteksi, si Kalaja e Rozafës!
    (Metodiste e gjuhëve të huaja)
    Sigal